Ralf Gjoni-Ramës: Ju jeni njësoj si ata që janë jashtë, masakrat në Kodin Zgjedhor i keni bërë në një krevat

Deputeti Ralf Gjoni theksoi sot gjatë seancës plenare në Kuvend se nuk mund të ketë zgjedhje, as të parakohshme e as të kohshme, me sistemin aktual skandaloz proporcional-rajonal me lista të mbyllura.

Gjoni kritikoi gjithashtu edhe zgjatjen e mandatit te komisionit per reformen zgjedhore si qesharake dhe kerkoi qe KQZ të qartësojë se kujt i përkasin komisionerët e KZAZ-ve pas konfigurimit te ri ne parlament.

"Demokracia kërkon dialog të hapur, transparencë politike e financiare dhe kompromis. Asnjërën prej këtyre nuk e keni ju.

Zoti Kryeministër, ne nuk jemi njëlloj si ata! Njëlloj si ata jeni ju, sepse bashkë në një krevat keni qenë kur keni bërë ato ndryshime dhe masakrën e Kodit Zgjedhor të vitit 2008 dhe ndryshimet famëkeqe kushtetuese, të cilat na kanë sjellë ne sot këtu.

Sot na kërkohet të votojmë shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore në një moment kur i gjithë shteti ka rënë; Shteti është në krizë ekzistenciale. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese; Nuk ka Gjykatë të Lartë. Presidenti ju konsideron juntë ushtarake, dhe ne këtu na konsideron të paligjshëm. Opozita parlamentare është e paqartë. Dhe ndërkohë, seanca e Kuvendit zhvillohet si njësitë guerrilase, një herë të enjten, një herë të hënën dhe një herë të mërkurën, sikur keni frikë nga gjermanët!

Tani, kur i referoheni opozitës dhe opozitës parlamentare, KQZ-ja ka detyrimin të shprehet dhe t’a qartësojë me transparencë se kujt i takojnë komisionerët e KZAZ-ve, pra nëse u takojnë partive të opozitës që janë jashtë, apo u takojnë partive të opozitës parlamentare?! Cila është sot opozitë parlamentare, ne që jemi këtu deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, apo partitë që janë jashtë, të cilat ju i konsideroni për skrap?

Unë nuk mendoj z. Kryeministër, që këtu mund të ketë zgjedhje të parakohshme apo të kohshme lokale apo të përgjithshme këtë vit, vitin tjetër apo në vitin 2021, në qoftë se nuk ka një ndryshim rrënjësor, total të sistemit zgjedhor. Ne na kërkohet sot në mënyrë qesharake të votojmë për shtyrjen e afatit të një komisioni për reformën zgjedhore. Dhe keni shkruar këtu (është qesharake): “Pranë komisionit caktohet në cilësinë e vëzhguesit përfaqësuesi i partisë më të madhe të opozitës, Partia Demokratike”. Më falni, por sipas numrave sot në parlament partia më e madhe opozitare parlamentare i bie të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim.

E dyta, kushdo qoftë, ju doni të bëni një komision për reformën zgjedhore, duke marrë një përfaqësues të opozitës si vëzhgues. Patjetër, kjo ju konvenon, sepse juve ndiheni si pronarë të shtetit, pronarë të demokracisë, pronarë të institucioneve... Sepse ju mendoni se i keni pronë të gjithë deputetët tuaj, të cilët i keni patjetër, por edhe ne që jemi këtu.

Nuk mund të ketë komision për reformën zgjedhore dhe nuk duhet të shtyhet afati i tij, në qoftë se nuk ulemi të gjithë në tavolinë bashkë me Partinë Demokratike dhe me LSI-në, që janë atje jashtë, të gjendet një kompromis dhe të ndryshohet sistemi zgjedhor.

Një gjë është e qartë; biem dakord për çfarëdo, por sistemi zgjedhor aktual proporcional-rajonal me lista të mbyllura, që nuk përfaqëson vullnetin e popullit shqiptar, nuk duhet të vazhdojë më pas këtij viti", u shpreh Gjoni.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja