Rama: 23 Qershori, zgjedhja mes
jetës së gënjeshtërt e të ardhmes

Rama: 23 Qershori, zgjedhja mes<br />jetës së gënjeshtërt e të ardhmes
TIRANE - Partia Socialiste shpalosi sot për të dytën ditë rresht, programin elektoral të zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe programin me të cilën do të qeverisë nëse fiton zgjedhjet. Konventa e socialistëve, e hapur pasditën e djeshme, u mbyll sot pasdite në Pallatin e Kongreseve me fjalën e kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili, paraqiti alternativën e PS-së si e vetmja rrugë drejt së ardhmes dhe jo së shkuarës, me të cilën jeton qeveria aktuale e kryeministrit Sali Berisha.

Kryetari i PS-së tha se më 23 Qershor, qytetarët duhet të vendosin nëse duhet të zbrapsen nga krimi apo t’i nënshtrohen atij; të zgjedhin mes atdhedashurisë për të ardhmen apo nacionalizmit primitiv;  taksimit të ndershëm apo taksës së sheshtë.

“Të gjithë mendojnë se Shqipërisë i duhet një Rilindje; Dhe nëse Shqipërisë i duhet kjo Rilindje, atëherë, për të gjithë ata demokratë që e duan, kjo rilindje fillon nga ndarja me PD-në dhe kalimin e saj në opozitë. Nuk duam të fitojmë e të qëndrojmë për 30 vjet në pushtet. Jo! Dhe fjala “pushtet” është term i vjetër. Ne duam një mandat për të mirëqeverisur, jo pafundësisht, por deri në pikën kur një alternativë e re të lindë natyrshëm. Për këtë është demokracia“- nënvizoi kryetari i PS-së, Rama.

“Të mos votojmë si tifozë, por si votues të ndërgjegjshëm. Mos ngatërroni fanellën bardhë e blu të Tiranës me të Berishës”- tha më tej Rama.

Kreu i opozitës premtoi se pas zgjedhjeve qeverisja socialiste do të nisë aty ku realisht ndodhet Shqipëria. “Mos u trembni nga fjaja lakuriq; ju e dini qe unë s'kam frikë nga lakuriqësia. Kjo ndan nga gënjeshtra dhe shtetet që funksionojnë. Sepse kur do të jetë në opozitë ai (Berisha) do të thotë: Ju lashë një hap prapa Gjermanisë! Jo, ne do ta nisim nga statistikat reale”-  saktësoi Rama në një fjalim i cili zgjati për gati 1 orë

Gjatë ditës së dytë të Konventës së PS-së, e cila nisi punimet rreth orës 10:00 dhe përfundoi rreth orës 15: 30, mbajtën fjalën dhe përfaqësues të njohur të Partisë Socialiste, kandidatë për deputetë të cilët prezantuan me pika konkrete se cili do të jetë programi qeverisës i socialistëve nëse fiton zgjedhjet: Hapjen e 300 mijë vendeve punë të reja, mbylljen e procesit të legalizimit, ndalimin e importit të mbetjeve dhe financimin për zhvillimin e qyteve, reformat në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, ajrore, reformat në diplomaci, hapat seriozë për uljen e borxhit publik. Konventën e përshëndeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Internacioanlistes i cili nënvizoi se sfidë e PS-së mbetet lufta për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 .
RAMA: "NE NUK AFROJMË MENU DËSHIRASH, POR PLAN PËR TË NDRYSHUAR JETËN"

Ora 14:30 - 15:30 Kryetari i PS-së mbajti një fjalim për gati një orë. Ai e nisi duke falenderuar të gjithë ata që gjatë këtyre dy ditëve, “shtjelluan për publikun, themelet e programit socialist" dhe analizoi sërish në pika kryesore, çështjet e programit.

 “Dje”, tha Rama, "unë e fillova këtë bashkëbisedim të gjatë mes nesh dhe publikut me pyetjen: Në çfarë Shqipërie duam të jetojmë: në atë të vërtetën apo në atë të gënjeshtërt? Sot, ne jemi si popull, të imponuar të jetojmë në një Shqipëri të gënjështërt. Ne duam ta zhbëjmë këtë imponim dhe të jetojmë në Shqipërinë e vërtetë, që di të thotë të vërtetën, që di ta dëgjojë e të jetojë me të vërtetën. Dje unë pyeta: Në cilën Shqipëri duam të jetojmë? Në një Shqipëri të lirë apo të trembur? Sot ne jetojmë në Shqipërinë e trembur. Ne jetojmë në një vend, për të cilin programohet i njëjti avaz. Ja çfarë duam të ndryshojmë, ne, socialistët dhe progresistët. Ne nuk duam t’u afrojmë shqiptarëve, një listë premtimesh apo menu dëshirash për t’iu marrë votën, por një plan për t’iu ndryshuar jetën”.

"SHQIPERISE I DUHET RILINDJE"

Rama ftoi demokratët të braktisin PD-në pasi dhe asaj i duhet një rilindje dhe të kthehet në opozitë.
“Të gjithë mendojnë se Shqipërisë i duhet një Rilindje; Dhe nëse Shqipërisë i duhet kjo rilindje, atëherë, për të gjithë ata demokratë që e duan, kjo rilindje fillon nga ndarja me PD-në dhe kalimin e PD-së në opozitë. Nuk duam të fitojmë e të qëndrojmë për 30 vjet në pushtet. Jo! Dhe fjala “pushtet” është term i vjetër. Ne duam një mandat për të mirëqeverisur, jo pafundësisht, por deri në pikën kur një alternativë e re të lindi natyrshëm. Për këtë është demokracia“- nënvizoi kryetari i PS-së.
 
"BERISHA JETON ME TE SHKUAREN. DO TA NISIM QEVERISJEN, DUKE PARE TE VERTETEN LAKURIQ"

“Nuk jemi të pagabueshëm as të rënë nga qielli por kemi prova se mësojmë nga e shkuara por nuk jetojnë në të shkuarën, ndërsa kjo qeverisje jetonv etëm me të shkuarën, me ta ka vetëm të shkuar me ne ka një rrugë drejt ë të ardhmes. “- tha Rama.

Duke akuzuar kryeministrin se manipulon shifrat dhe statistikat  Rama tha se pas 23 qershorit qeverisja do të nisë aty ku realisht ndodhet Shqipëria. “Mos u trembni nga fjala lakuriq ju e dini qe unë s'kam frikë nga lakuriqësia. Kjo ndan nga gënjeshtra dhe shtetet që funksionojnë. Sepse kur do të jetë në opozitë ai do të thotë ju lashë një hap prapa Gjermanisë"- tha kreu i PS-së.
Ai premtoi një polici. “Do mbyllim epokën e kushedi sa lloje policish janë”- tha Rama.
Fjala e plote e Kryetarit Edi Rama

"SI KA MUNDËSI QË 5% ZOTËRON PASURITË E KËTIJ VENDI dhe 95%, JANË FARE JASHTË?!

Kreu i PS-së përmendi më tej,  thënien e një miku të tij të moshuar: “Shqipërinë më të varfër e kam parë, por më të çoroditur, kurrë”. Dhe ka të drejtë”- tha ai- “sepse ne jemi kundër modelit të rritjes së papunësimit, të zhvillimit pa ruajtje të burimeve, të zhvillimit të komuniteteve që mund të prodhojnë votues të verbër, por jo qytetarë të këtij vendit. Pse nuk e pranojmë taksën e sheshtë? Sepse më parë, 30% e të ardhurave të këtij shteti vinin nga populli, kurse tani ndodh e kundërta: tani vijnë 70% e të ardhurave, taksa nga ai popull që nuk ka çfarë t’i veshë fëmijës."

"Ata thonë se ne do rrisim taksat. Jo, ne do të ulim taksat për 95 % të popullit të shqiptar. Më pak se 5% e njerëzve, zotëron më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit dhe më shumë se 90%, është jashtë çdo mundësie të marrjes pjesë në fitimin e përbashkët.  Dhe fitim i përbashkët janë pasuritë që koncensionohen."- vazhdoi Rama duke ngritur pyetjen "Si ka mundësi që më pak se 5% , zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së këtij vendi? Ku jemi? Në Gjermani? As Gjermania, as Franca, as Regani, as Theçeri nuk ishte kështu. Këto i përdorim ata që duan ta hedhin popullin në greminë dhe sundojnë si gjela maje plehut, ata që i mori përpara “Pranvera arabe”.

"Ne nuk e kemi problemin me të pasurit- vërejti më tej kryesocialisti- s’janë ata targeti ynë, por varfëria. Ne duam që pasuria të jetë më e aksesueshme. Ne jemi e majta e Toni Blerit, e Gerard Shrëderit. Ja pse kompanitë e biznesit të madh duhet të votojnë për ne. Se ne u themi atyre: ju do paguani më shumë, po do shërbeheni më mirë sesa sot; se nesër ne do t’ju vëmë në piedestal njësoj si artistët, si sportistët, sepse ata janë progresistët. Ata dhe jo sistemi me 5 vetë, që nëpërmjet lidhjeve me të parin e punës, zë vendin e parë dhe kap tërë koncensionet e të tjerët rrinë e vështrojnë. Në këtë sistem mund të thuhen përrallat e taksës ë sheshtë.  E pra, sa biznesmenë në vite kanë lënë jetën në infrakt? Epo nuk ka pësuar infarkt ndonjë politikan! "

Shqipëria-, theksoi Rama- është vendi ku gjithkush ka të drejtën të pasurohet, por fëmijët e të pasurve dhe të varfërve të ndihen në atdheun e tyre, që u jep të dyve mundësinë të argëtohen, të arsimohen, të marrin trajtim shëndetësor.”

BUSHATI : REFORMIM RRËNJËSOR, SHËRBIMIT DIPLOMATIK

Ora 14:02 Për çështjet e integrimit, foli deputeti Ditmir Bushati, i cili nënvizoi nevojën e reformimit të shërbimit shtetëror diplomatik, "duke e ndarë nga sëmundjet e partisë-shtet”.
"Shqipëria europiane është projekti i vetëm i thellimit të kursit të politikës konstruktive europiane. Projekti ynë nënkupton cilësinë e komunikimit të lirë duke respektuar tërrësinë territoriale të shteteve ku shqiptarët jetojnë. Projekti ynë nuk realizohet pa mbështetjen e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në botë, pa votën e tyre”- shtoi Bushati.

GJIKA: KRYEMINISTER ANTIVLORE

Ora 13:37 “Nuk po i kërkoj gjë Kryeministrit sot, se e di që ai e ka merak vetë, Vlorën”. Kështu e filloi fjalën e tij, kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili tha në vazhdim se “ky kryeministër përbën pengesën më të madhe për zhvillimin e qytetit të Vlorës."

Sipas Gjikës politikat mediokre të kësaj qeverie janë shfaqur në praktikë në mënyrë konstante. "Aq e vërtetë është kjo, sa qyteti i Vlorës është shndërruar në një ishull të izoluar nga toka, deti dhe ajri. I izoluar nga autostrada e pambaruar, nga deti i boshatisur nga mjetet lundruese dhe nga mungesa e një aeroporti, që vetëm një mendje si ajo e Salës nuk do ta pranojë."

"Jemi përballuar me një Kryeministër pa vizion që nuk sheh më larg se interesat e kupolës së tij dhe me një Kryemnistër antiVlorë- vijoi Gjika- plot mllef e urrejtje ndaj saj, që guxoi të harrojë, qytetin e Flamurit në ditën e 100 vjetorit, po dështoi me turp. Se qytetarët janë qartësuar se cfarë përfaqëson ky njeri. Ne i treguam atij se mund të na pengojë, po jo të na bllokojë në besimin tonë për të ecur përpara.

Për 100 vjetor,” mbylli fjalën me humor Gjika, “ në nuk do i dërgonim dele, se ato i kishte vetë, por i çuam fjalë se po i bënim gati hellin”.

SHKËMBI: POGRADECI I HARRUAR NGA QEVERIA MBAN SHPRESAT TEK PS

13.30 Artan Shkëmbi, Kryetari i bashkisë së Pogradecit e quajti një qeveri penguese. “Ka zero lekë investime nga ana e qeverisë”- tha ai, duke shprehur shqetësimin se liqeni i Pogradecit është i harruar.
“Vazhdojmë të mos pastrojmë liqenin e Ohrit për shkak të pengesave të qeverisë, kemi varfëri, papunësi e skamje. Nuk kemi shkollë profesionale. Liqeni është ndarë në 2 gjysma, një që jeton në jetën normale dhe një që fle në anën tonë. Peisazhet i dallon shumë lehtë sa të kalosh anën tjetër. Liqeni jonë i harruar, i fjetur, ku qytetarët futen vetëm me varka për të kapur pak peshk për t’u ushqyer. Do të kërkoja që lëvizja e lirë e qytetarëve nga toka, të kthehet dhe në lëvizje e lirë nëpërmjet ujit. Do të rindërtojmë molin e qytetit , për ti dhënë jetë lëvizjes përmes ujit”, tha Shkëmbi, duke shtuar se qytetarët janë gati të votojnë PS sepse është e vetmja shpresë.

DAKO: DURRËSIN DO TA BËJMË TAVERNËN E EUROPËS

13.22 Vangjush Dako, Kryetari i bashkisë së Durrësit, foli për zhvillimin e qytetit bregdetar dhe turizmit në përgjithësi. “Kemi shumë projekte turistike, për plazhe të reja, por edhe projekte sociale, kulturore, arsimore, strehimi. Për këto të fundit madje kemi probleme shumë me ata që kanë mbetur në rrugë nga vendimi normativ për nxjerrjen nga shtëpitë e ish-pronarëve. Por, pas 23 qershorit do ta bëjmë Durrësin, qëndrën e Europës, jo nyje lidhëse për Ballkanin, por tavernë për Europën”.- tha Dako.

KLOSI: DO NDËRTOJMË KORRIDORIN INDUSTRIAL DHE ATË TURISTIK

Ora 13.07 Blendi Klosi foli gjërësit për infrastrukturën rrugore, hekurudhore, ajrore. Ai tha se “sot janë rritur aksidentet në rrugët dytësore, plagosjet. Çfarë po ndodhe me njerëzit? Rrugët anësore janë zhdukur. Sot në rrugët e kombit harxhojmë mbi 106 milionë euro vetëm për mirëmbajtjen e makinave, që po të kishim standarde më korrekte në rrugë, s’do të ishin harxhuar. Çfarë po ndodh me transportin detar e atë hekurudhor. U premtuan porte, po u nximë me atë të Petroliferës dhe atë të Porto Romanos. Shohim që hidhen para në porte, por në ato pjesë që jepen me koncension e shfrytëzohen nga njerëzit e Olldashit. Sot hekurudha shqiptare afron me vështirësi deri në 300 njerëz e kafshë bashkë. Transporti ajror është bërë monopol: mbyllet “Albatros”, mbyllet “Albanian airlines”
Padyshim që PS e ka një vizion të së ardhmes. PS do të ketë infrastrukturën prioritet, atë rrugoren të parën, duke e parë si rrjet unik kombëtar; duke krijuar boshtin Shkodër - Vlorë e duke punuar me 4-5 linjat e jugut. Rruga e Kombit sot përfaqëson 60 km të bëra nga 200 km në standarte të pranueshme po jo europiane."- tha Klosi.
Ai mbylli fjalën duke thënë se propozimi i PS-së është ndërtimi i Korridorit të Kaltër, atij industrial. "Shqipëria ka nevojë për korridor industrial dhe ngritjen e Korridorit të Gjelbër, për turistët, që të mos shohin vetëm pjesën indstriale të Shqipërisë, por ta shohin atë edhe nga bregu i detit”- tha Klosi

ZOGAJ: NDËRTIMI I EUROPORTIT TË SHËNGJINIT S’KA PSE TË JETË ËNDËRR

Ora 13.00 Preç Zogaj i ka dhënë rëndësi të madhe zhvillimit të sektorit të peshkimit dhe turizmit në zonat bregdetare, të cilat janë burim i madh të ardhurash për vendasit dhe Shqipërinë turistike. Në veçanti, ai vlerësoi projektin e “europortit të Shëngjinit, për përpunimin e anijeve deri 500 tonëshe, që do ta përfshijë Shqipërinë në hartën e interesave rajonale ekonomike dhe më gjërë. Qeveria e re”, tha ai, “brenda mandatit katërvjeçar, i ka të tëra mundësitë të ndërtojë në breget 4-7 porte turistike dhe të bëjë një revolucion në këtë sektor” .

TARE: NË CILIN VEND NDODH QË PRESIDENTI TË BETOHET MBI NJË FLAMUR JOZYRTAR?!

Ora 12.40
. Auron Tare ngriti shqetësimin e braktisjes së trashëgimisë kulturore, nga Qeveria. "Të harruara nga Qeveria shqiptare", tha ai, "pikturat e mjeshtrit Onufri, një artist i denjë për rilindjen europiane, sot nuk janë më. E pra braktisja e Onufrit është simboli i braktisjes së trashëgimisë sonë.

Një tjetër simbol europian i shqiptarëve, Kruja. Qyteti ku 500 vjet të shkuara u mbrojtën vlerat shqiptare dhe ato europiane. Të asaj Europe, për të cilën Kryetarja e Parlamentit përgjërohet përditë për kalimin e tre ligjeve të famshme. Jo, znj. Jozefinë, mbrojtja e Krujës është integrimi ynë më i mirë dhe jo nacionalizmi anakronik i kryeministrit tënd.

Kjo qeveri të dashur miq, ka neglizhuar deri në krim jo vetëm trashëgiminë kulturore por edhe simbolet tona të shenjta kombëtare. Më thoni ju lutem në cilin Parlament Europian apo në botë, valvitet flamuri kombëtar në mënyrën më të shpërfytyruar? Në cilin vend Presidenti betohet mbi një Flamur jo zyrtar. Në cilin vend dëshmorët e kombit varrosen me flamurë të rremë? Vetëm në Shqipërinë e sotme po ndodh kjo mynxyrë, ku shteti nuk respekton me as flamurin tonë kombëtar.

E pra, nesër ne do të ndalojmë çdo rrënim të mëtejshëm të trashëgimisë sonë. Do të rishikojmë strategjinë ekzistuese të turizmit e do ta vendosim atë në qendër të fokusit të qeverisë së ardhshme. Do të miratojmë Masterplanin Kombëtar të Zhvillimit të Turizmit, atë Rajonal, dhe atë Vendor

Do të përsërisim", përfundoi Tare, "suksesin e Butrintit, i cili mbetet ende sot i vetmi shembull pozitiv në lëmin e menaxhimit të trashëgimisë e turizmit, që nga koha e Edi Ramës si ministër i Kulturës edhe në zona të tjera me interes të veçantë historik e mjedisor. Ne dimë ta bëjmë atë. E kemi treguar njëherë dhe jemi në gjendje ta shumëfishojmë këtë model kudo në Shqipëri".

BALLA: DO HETOJME PASURINE E BERISHES


Ora 12: 50
“Do të kërkojmë procedim penal ndaj ministrave të përfshirë në korrupsion. Me të ardhur në pushtet Partia Socialiste do të hetojë pasurinë e familjes Berisha, do godasim korrupsionin”- premtoi deputeti socialist Taulant Balla.

BARAJ: DO NDALIM IMPORTIN E PLEHRAVE


Ora 12: 47 Deputeti socialist, Besnik Baraj shprehu shqetësimin për humbjen e specieve të rralla të biodiversitetit. Ai premtoi se në qeverisjen e socialistëve do ndërpritet importi i plehrave dhe eksporti i lëndëve drusore.
“Si ka qenë Lura, nuk është sot. Nuk ka investime për të ndaluar erozionin. Do ndërpritet improti i plehrave dhe eksporti i lëndës drusore dhe qymyrit të drurit. Atë që po i bën Berisha Shqipëria nuk ia ka bërë as fashizmi në kohën e tij. Brenda mandatit tonë nuk do ketë më derdhje të ujrave të zeza në bregdet”- tha Baraj.

BEQJA: VETEM 1 NE 40 FAMILJE NE FSHAT PERFITOI SUBVENCION NGA BERISHA, MADJE ME KORRUPSION

Ora 12.30
Ilir Beqja, i cili u cilësua nga Veliaj si "dekani i këtij universiteti të programit", iu kushtua gjatë çështjes së zhvillimit të bujqësisë dhe përfitimeve që fshati thuhet se ka pasur nga qeveria.  "Në fshat- tha ai- të ardhurat janë më pak se gjysma e atyre që jetojnë në qytet, ndaj ne do të nxisim investimet private. Politikat aktuale kanë mbështetur vetëm një pakicë fermerësh. I bie që në 40 familje, vetëm 1 ka përfituar nga politikat e subvencionit, madje edhe aty ka raste korrupsioni. Kur prokuroria shkoi në një fshat të Elbasanit të pyetse një nënë që kish mbjellë, 100-ra milionë lekë, mollë e portokalle, ajo tha: "Unë o bir, nuk dal dot nga shtëpia, jo të mbjell këto që thoni ju".

LAME: MBYLLIM PROCESIN E LEGALIZIMIT, HAPIM 300 MIJË VENDE


Ora 11:30
Artan Lame tha se të gjitha agjencitë e pronave do të mblidhen në një të vetme. “Do përfundojë procesi i legalizimeve, do themelojmë regjistrin e pronave. Shkëlqim Cani tha se PS premton hapjen e 300 mijë vendeve pune brenda mandatit të parë dhe krijimin e Bankës Bujqësore për kreditimin me lehtësi të fermerëve.

KODHELI: BORXHI PUBLIK I RREZIKSHËM, DO MARRIM HAPA SERIOZË PËR ULJEN E TIJ

Ora 11:10 Deputetja socialiste Mimi Kodheli shprehu shqetësimin e rritjes së borxhit publik i cili është "sa trefishi i të ardhurave tatimore”. “Ne do fitojmë edhe pse na duhet të realizojmë një program të uljes së borxhit në bashkëpunim me FMN. Do marrim hapa seriozë për uljen e borxhit. Ne do synojmë jo me fjalë por me vepra rritjen ekonomike.”- tha Kodheli.

VELIAJ: MERRNI NJË MAKINË LLOGARITËSE SOT PËR TË VERIFIKUAR ULJET E TAKSAVE

Ora 11.00  "Merrni një makinë llogaritëse sot për të parë si do të ndryshojnë taksat, tatimet, si është e si do bëhet plani për ekonomimë para se të vendosni për të votuar", tha Erion Veliaj, para prezantimit të Mimi Kodhelit,  Shkëlqim Canit, Eduard Shalsit dhe Taulant Ballës.

LUIS AYALA: BETEJA JUAJ, ZGJEDHJET E LIRA. TË BËNI NJË QEVERISJE TË PASTËR

Ora 10.49  Luis Ayala, Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, duke përshëndetur Konventën e Partisë Socialiste, tha se beteja e socialistëve në  Shqipëri ishte lufta për zgjedhje të lirë e qeverisje të pastër 

“Ne kemi 170 qeveri të organizatës sonë, që qeverisin në mbarë kontinetin në mënyrë të sukseshme. Gjatë 20 viteve të fundit, në shumë vende të botës , si në vendin prej nga vij edhe unë, ka pasur një luftë thelbësore për të fituar demokracinë, por lufta thelbësore është e vetmja për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe patjetër ato që ju bëni, do të gjejnë jehonë tek familja jonë. E në fakt në këtë luftë, ne kemi qënë përkrah Edi Ramës, kemi qënë përkrah socialistëve shqiptarë. Në ato vende ku ne po qeverisim, arsyeja e dytë që kemi arritur demokraci, është se kemi arritur qeverisjen e mirë për popullin në një kohë kur kriza ka prekur shumë vende, përfshirë edhe SHBA-në. Në fakt ka pasur një origjinë dhe kjo krizë, tek ato gjera që ne kemi kundërshtuar, ndaj është një betejë që kërkon rregullim me jo më pak shpenzime, por me më shumë shpenzime për njerëzit.  Kemi parë dhe pjesë të tjera të botës, ku janë ato parti që kanë ndjekur atë ç’ka ne kemi thënë, ç’ka ne kemi dëgjuar këtu, luftën kundër krimit, përkrahjen e grave etj. etj; e në fakt"- tha Ayala.

Ai e përfundoi duke thënë "kjo është arsyeja pse beteja juaj është shumë e rëndësishme për ne: që ju të bëni pikërisht ato që thatë dje, të bëni një qeverisje të mirë, të pastër”.

ÇFARE NDODHI DITEN E PARE TE KONVENTES, 22 SHKURT


Konventa u mbajt gjatë pasdites së djeshme.
Kryetari Edi Rama tha dje se ky program i jep përgjigje gjithë  shqiptarëve për të bërë zgjedhjen e duhur në 23 qershor. Kreu i opozitës paraqiti alternativën e PS në të gjitha fushat, si premtime për zgjedhjet e 23 qershorit

"Në çfarë Shqipërie duam të jetojmë? Si duam të jetë vendi ynë pas 10, 20 apo 30 vjetësh? Cila është zgjedhja që duhet të bëjnë shqiptarët në 23 qershor?" Me këto pyetje, kryesocialisti Edi Rama, çeli dje ditën e parë të Konventës së Partisë Socialiste.
 
Me një risi për Shqipërinë, kjo konventë vjen sipas modelit amerikan ku shpalos piketat kryesore të fushatës së 23 qershorit dhe skemën e qeverisjes pas zgjedhjeve. Niko Peleshi dhe Ilir Beqja, ishin moderatorët që prezantuan çështjet dhe folësit. 

Konventa, fillimisht shpalosi gjithashtu risi për nga mënyra e konceptimit, nëpërmjet videos të transmetuara në Pallatin e Kongreseve, ku deputetë, bashkiakë dhe figura të PS-së paraqesin për 30 sekonda, esencën e programit qeverisës të PS-së për sektorët më jetikë të vendit. Ndërkohë pak orë para fillimit të Konventës, Rama ftoi gjithë qytetarët shqiptarë të ndjekin direkt, sesionet e këshillimit me ekspertë shqiptarë dhe të huaj, për ta përsosur këtë program.

RAMA: PSE DUHET TE VOTONI PS ME 23 QERSHOR

Ora 17:00 Kryetari i Partisë Socialiste në fjalën e tij para të pranishmëve sqaroi esencën e kësaj Konvente të cilën e përcaktoi si një mënyrë për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve si dhe një paraqitje të përmbledhur të një pune të jashtëzakonshme, siç quajti lideri i opozitës angazhimin e deputetëve në Programin e PS.

Rama premtoi se gjatë qeverisjes që ai synon të ketë pas fiores në zgjedhjet e 23 Qershorit, nuk do të lejojë që kultura e pandëshkueshmërisë të bëjë ligjin në Shqipëri. Rama theksoi se në ndryshimet që PS do t’i sjellë Shqipërisë, arsimi do të jetë jo më një skemë piramidale.

“Pse jemi ne PS të vetmit që mund të garantojmë mbrojtjen e territorit të trashëgimisë tonë? Si do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat dhe do ta zhbëjmë menjëherë ligjin për importin e plehrave, si do ta trajtojmë çështjen me pronarët? Për të përndjekurit pse do të gjejnë tek PS partnerin që i ka munguar 20 vjet në krahun tjetër?”, këto pyetje sipas Ramës do të prezantohen gjerësisht në konventat dy ditore të socialistëve.

TAHIRI: NJE POLICI KUNDER KRIMIT

Ndërkaq, kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, deputeti Saimir Tahiri vuri në fokus ndryshimet që PS do të sjellë në policinë e Shtetit, për një rikonceptim të saj nga një institucion aspak transparent siç e cilësoi ai, në një instrument që lufton krimin.

“Parimi “Një Shtet, një Polici”, do jetë shtrati për të riorganizuar dhe koordinuar çdo hallkë, në mënyrë që të mos ndodh më që krimi të marrë rrugët derisa agjencitë e ndryshme të mbarojnë lojën “e ka kush e ka”. Nuk do ketë më lloj-lloj policish, që në këto 8 vjet, dhe njëra-tjetrës i janë sulur për interesa pushteti, por vetëm krimit dhe keqbërësve nuk i janë sulur kurrë aq sa duhet, por do jetë vetëm një polici dhe maksimalisht efektive në goditjen e pamëshirshme ndaj krimit: Policia e Shtetit Shqiptar.Policia e Shtetit do të riorganizohet duke u çliruar nga burokratizimi, nga drejtorët që ngatërrojnë njëri tjetrin, që urdhërojnë njëri tjetrin e që në fund të ditës, urdhrat nuk i zbaton askush. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese, pavarësisht varësisë hierarkike në hartën institucionale të shtetit, do i përgjigjen të njëjtit mision, të njëjtit objektiv, të njëjtës axhende veprimesh, për sa kohë i përgjigjen të njëjtëve qytetarë që paguajnë taksa për të marrë mbrapsht fillimisht qetësinë dhe sigurinë, e pastaj mirëqenien. Ne do të themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit, si njësia e specializuar që do të përqendrojë funksione themelore të Policisë së Shtetit; si analiza e të dhënave dhe informacionit kriminal; drejtimi i luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore, armëve, drogës, pastrimit të parave dhe korrupsionit; njësitë speciale të agjentëve në mbulim; antikrimi ekonomik; mbrojtja e dëshmitarit dhe shumë funksione të tjera me rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar, antiterrorist, por dhe korrupsionit. Ndërkohë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nga kamzhik politik brenda radhëve të policisë që është sot, do kthehet në instrument për të garantuar integritetin dhe ligjshmërinë në çdo hap të veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Ne do t’i japim garanci dhe paprekshmëri punonjësit të policisë që zbaton ligjin dhe përmbush detyrën. Duke filluar nga trajtimi financiar”, tha Tahiri.

Në 30 sekonda për çdo çështje, u deklarua se:


 "Ne marrim përsipër t'i japim fund njëherë e përgjithmonë, hipokrizë me shtresën e të përndjekurve. Për ish-të përndjekurit mbi 75 vjet, dëmshpërblim të plotë brenda një viti".

Ne do ta heqim menjëherë, taksën e biznesit të vogël dhe do ta mbështesim fort, rritjen e të punësuarve në biznesin e vogël. Në Shqipërinë e rilindur, asnjë biznesmeni nuk do t'i bëhet shantazh.

Jo taksë të sheshtë,  por taksim të ndershëm; ai që fiton më shumë, do paguajë më shumë. Do të heqim taksën e biznesit të voqël dhe taskën e arbitraritetit për biznesin e madh. Do zhbëjmë klientelën e biznesmenëve të privilegjuar.

Do të pesëfishojmë financimin për bujqësinë; do heqim taksën për plehtat kimike, fidanët, farërat.

Do ketë një ofertë turistike të unifikuar me Kosovën. Gjithçka në dispozicion të turizmit, nga Brezovica në Butrint.

Do të çlirojmë qytetet tona; programi ynë për qëndrat e banuara, ka qasje të re. Berati dhe Gjirokastra do të rilindin si dy qendra të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe botërore

Shqipëria europiane është projekt dinjiteti në marrëdhëniet ndërkombëtare".

Përmbylljen e videove të shkurtra me mesazhet e secilit prej anëtarëve të grupit të punës, e bëri kreu i PS-së, Rama, i cili tha: "Ne kemi një program të ri për një rilindje shqiptare; falë programit tonë të ri, shqiptarët kanë një zgjedhje të re për të bërë më 23 qershor!"

Gazeta "Shqiptarja.com" publikoi dje në mënyrë të përmbledhur se çfarë do të thonë për programin, një pjesë e referuesve të PS, në Konventën dy ditore të socialistëve. Shkrimi i Shqiptarja.com

(Lajmi u perditesua 22 shkurt- 23 shkurt 2013)
 

Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Vendosni një ekulibër midis punës dhe dashurisë, çfarë kanë rezervuar yjet për sot

Vendosni një ekulibër midis punës dhe dashurisë, çfarë kanë rezervuar yjet për sot