Rama: 24 orë para ikjes nga pushteti
PD-ja legalizoi 800 pallate të saj

TIRANË – Qeveria "Berisha" ka legalizuar deri një natë para se të linte pushtetin, në shtator 2013, mbi 800 objekte që i përkisnin zyrtarëve dhe miqve të saj. Këtë denoncim të shoqëruar me dhjetra fakte të tjera i ka denoncuar sot në Kuvend, Kryeministri Rama para votimit të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje.”

Rama theksoi se  “këta duhet të shkojnë në burg, sepse ky është krim i pastër ekonomik. Procedurat e legalizimit janë bërë me shpejtësi të paparë brenda një nate në mënyrë selektive. Në mes të zonë të tërë që duhej legalizuar me qindra shtëpi, është legalizuar vetëm një pallat 12-katësh, që i përket një zyrtari të lartë; madje, në 20 raste rezulton se kanë legalizuar ajrin, pasi objektet nuk ekzistojnë dhe pronarët, duke marrë legalizimin paradhënie,  kanë marrë  të drejtën t'i ndërtojnë edhe sot e t’i përfundojë ato objekte. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri tha: "Qentë le të lehin, karvani ynë ecën përpara." Ligji u miratua me 74 vota të mazhorancës, asnjë kundër e asnjë abstenim.

BRENDA NATES LEGALIZUAN PALLATIN 12-KATESH NE MES 700 SHTEPIVE PA LEJE NE QYTETIN STUDENTI

Kryeministri tha: ““Sot, ky parlament do të votojë për ti dhënë fund një kalvari 20 vjeçar të qindra e mijëra familjeve që ndërtuan një shtëpi për një jetë më të mirë që u gënjyen, u rigënjyen dhe u stërgënjyen se do të mund ta legalizonin shtëpinë e tyre.

Kam dëgjuar shpesh njerëz që thonë se ne nuk duhet të flasim për këta që ikën, por është shumë  e vështirë që të mos e bësh një gjë të tillë, edhe në këtë moment, kur kam sjellë këtu një numër shumë të kufizuar rastesh konkrete që flasin më shumë se çdo fjalim. Këtu kam një praktikë:

Objekt i legalizuar brenda 24 orësh në 19 korrik 2013, pasi populli i kishte sikterisur nga pushteti me ato 1 milionë shuplakat që vazhdojnë t’iu djegin aq shumë, saqë ende sot nuk e marrin dot veten për të kuptuar se sa shumë i kanë rënë në qafë këtyre njerëzve. Dhjetëra e mijëra qytetarë në të njëjtën zonë prisnin prej vitesh legalizim, ndërsa një zotëri, emrin e të cilit nuk kam asnjë dëshirë ta përmend, por zyrtar i lartë i këtyre, mbaron punë nga data 18 në datën 19. E nuk është i vetmi!

Midis prillit dhe shtatorit të vitit 2013 deri ditën e fundit, deri natën e fundit, përpara sesa të dilnin nga zyrat janë 800 objekte të legalizuara brenda 24 orësh. Të 800 të lidhura qartësisht me interesa krejtësisht të ndryshme nga interesi i politikës së legalizimit.  

Objekt tjetër në një zonë ku 700 familje presin legalizimin sot që flasim, i vetmi objekt që legalizohet në mes të shtëpive është një pallat me 12 kate. Dhe ku? Legalizohet në datën 30 gusht 2013, në një zonë që historikisht ka votuar Saliun dhe Partinë Demokratike, tek Qyteti Studenti. Lexo: Fjala e plotë e Kryeministrit

Një objekt tjetër me leje nga 6 në 9 kate, që i legalizohen 16 kate, 7-10 kate pa leje, të ndërtuara pasi Bashkia e Tiranës ra në duart e atyre që sot kanë gojë dhe flasin për Qeverinë tonë dhe për Aleancën tonë.

Si ky rast, në periudhën deri në ditën e fundit dhe në orët e fundit të natës së shtatorit 2013, përpara sesa të linin zyrat, janë 80 objekte të dyfishuara mbi leje, të përfituara nga këta.  Objekt tjetër i legalizuar brenda 24 orësh, mbaron punë nga data 24 deri në datën 25, me të gjitha procedurat, nga hapja e dosjes e deri në fund. Nuk është shtëpi, është pallat në mes të Tiranës, me themele pa leje.

Më e bukura është që kur e ka bërë vetëdeklarimin për legalizim ishte 3-kate, ndërkohë, si objekt i legalizuar është shumë më tepër. Pra, në vend se pas vetëdeklarimit, bazuar në Kodin Penal, bazuar në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë, për shkak të kateve të shtuara mbi, ndërtuesi i këtij objekti të shkonte në burg është bërë pronar.  

Objekt tjetër, në rërë, në bregun e Spillesë. Edhe ky i legalizuar 30 metër nga deti, ndërkohë që në gjithë fshatrat, - dhe e them me përgjegjësi të plotë, - të bregdetit të Kavajës nuk ka as edhe një objekt tjetër të legalizuar në kulmin e fushatës elektorale, brenda 24 orësh.  

Objekt tjetër në Tiranë, në mes të zonës së bllokut, prishur nga policia ndërtimore në vitin 2009. E dini se çfarë kanë legalizuar? Ajrin! Mund t’ju duket si diçka e pabesueshme, por kanë legalizuar ajrin. Objekti është i prishur, në terren nuk ekziston, ndërkohë që në hipotekë zotëria është pronar, ka në dispozicion gjithçka që i duhet për ta bërë objektin tani. Në mos e ka bërë dhe e ka përfunduar, mbi bazën e një legalizimi të fushatës elektorale të vitit të shkuar, i realizuar brenda 24 orësh.

Nuk është një, janë 20 objekte në Tiranë ku është legalizuar dhe hipotekuar ajri. Pra, e kanë marrë paradhënie tokën, kanë marrë paradhënie edhe ajrin dhe tani nuk u mbetet veçse të përfundojnë apo të fillojnë, falë bashkëpunimit të ngushtë me Bashkinë e Tiranës, ndërtimet që janë të hipotekuara. 

Në Parkun e Liqenit, në Tiranë, 56 m2 objekti, i shitet truall 820 m2, jo mbi bazë të kthimit, as të kompensimit, as të pretendimit, por thjeshtë për të zhvatur 800 m2 mbi një të ashtuquajtur objekt social-ekonomik, -e quan ky, ndërkohë që është një klub. E nuk është vetëm. 12 legalizimet të tilla janë bërë, ekzaktësisht kështu, duke zhvatur mijëra e mijëra metër nga parku i liqenit. E dini datën? Se data është më domethënësja. Është 17 shtator 2013. 
Objekt tjetër, në Shkodër. Objekt 36 m2, në tokën e shtetit. Sipërfaqja e shitur tek zotëria tek këto 36 m2, nga toka e shtetit, në datën 30 gusht të vitit 2013, është 1013 m2 tokë shtet. Si ky rast, pikërisht në këtë periudhë të vitit 2013, janë 60.  

Edhe një rast tjetër që është mu në zemër të lëvizjes, që fatkeqësisht nxori Saliun në krye, në zemër të Kavajës, një objekt ndërtuar me 3 mure. E dini kush është muri i katërt?  Muri i Bashkisë së Kavajës. Ky objekt i përket 17 gushtit të vitit 2013, - janë 400 raste të tilla.“

MË 30 SHTATOR 2013 LIDHËN 200 KONTRATA PUNE TEK ALUIZNI 
 
“Dëgjoni këtu, tani, sa bukur, - tha Kryeministri. - "Në 30 shtator të vitit të kaluar, pra, kjo shumicë kishte bërë betimin, qeveria kishte filluar punën, këta që me siguri duhet të jenë tek protestat e atyre që janë hedhur në rrugë, bëjnë 200 kontrata të reja pune për punonjës të tjerë, pa pasur asnjë lek në arkë. Në 1 tetor, kur Drejtori i ALUIZNI-t shkon atje për të marrë situatën në dorë, gjen një miliardë borxhe dhe 200 veta që kishin ardhur tek dera, ditën e parë të punës, me një kontratë të lidhur natën përpara. E këta flasin për Shqipërinë! Këta flasin për çfarë po i bëjmë ne, Shqipërisë! Këta flasin se si në këto 9 muaj, Shqipëria që lulëzonte dhe ku një milionë njerëz gabuan, na qenka kthyer në ferr dhe na qenka kthyer në një problem të madh për gjithë planetin.

PRESIM  QE PROKURORIA TE HETOJE "TARIFAT" E SHABANIT QE NGA 200 LEKESHI I ROJES TEK PORTA DERI TEK 20 MIJë EUROT PER HIPOTEKEN

"Të shikosh vetëm kundërshtitë mes letrave që Saliu i çonte Shabanit dhe letrat që Shabani i kthente Saliut, mund të kuptosh gjithçka për si ka funksionuar shteti shqiptar. Dy javët e para të punës, Artan Lame e ka kaluar në dysheme, poshtë dollapëve, poshtë tavolinave, për të mbledhur letra e për të bashkuar bashkë fije. Kjo nuk është metaforë. Ky është fakt. Mjafton t’ju sjell këtu, një rast të një drejtorie rajonale, në Lezhë faktikisht, ku për t’ju dhënë aktin e legalizimit, qytetarët thirreshin tek holli i bibliotekës së qytetit.

Tani drejtoria e ALUIZNI-t ka bërë edhe një analizë faktike të tarifave jo shtetërore. Tarifa jo shtetërore e të mirënjohura në gjithë sistemin e korrupsionit, që unë pres, ne presim dhe nga sot, me siguri, me të drejtë Shqipëria pret që Prokurori i Përgjithshëm dhe prokuroria e caktuar ta hetojnë. Rojës për të hyrë tek dera - dera e ALUZNI-t zuri për vite me radhë, vendin e derës së dikurshme të ambasadave, ku njerëzit nuk kanë më nevojë të shkojnë për viza, por kur ndërkohë nuk iu ndanë kurrë këto radhët dhe prisnin që Shabani t’u jepte vizën – 200 deri në 500 lekë rojës, për të kapërcyer murin e ‘ambasadës’ së kalimit nga ‘i pa legalizuar’ tek ‘i legalizuar’.

Pastaj nuk mjaftonte të kapërceje hyrjen, se me dosje në dorë duhet ta lije diku. Se mund të hyje e të dilje pa lënë asgjë. Marrja e dosjes dhe hapja e dosjes, 5 mijë deri në 10 mijë lekë (të vjetra). Pastaj dhënia e vërtetimit 5 mijë lekë, pastaj matjet në terren, këtu fillon të ngrihet situata, 10 mijë lekë e këtu flasim me të reja.

Pastaj kalojmë në një urdhër përfshirjeje. Kishte edhe një urdhër përfshirjeje, që përfshihesh apo s’përfshihesh, që ngjitej 500 deri në 1000 euro. Për përshpejtim procedure, se mund të përfshiheshe, por mund të ngecje, siç kanë ngecur gjithë këta dhjetëra mijëra njerëz, kalohej në 1000 deri në 2000 euro. Pastaj kalimi i pronësisë ishte goditja më e madhe dhe për shkak të kësaj goditjeje më të madhe është edhe ky hendeku, 22 mijë dokumente legalizimi, 15 mijë certifikata pronësisë.

Si shpjegohet kjo? Si ka mundësi që njerëzit shkojnë bëjnë gjithë këtë, ta marrin dokumentin e legalizimit dhe mos ta fusnin në hipotekë, sepse aty pastaj, goditja ishte që të mendoheshe a ta legalizoje, apo të bëje një shtëpi tjetër. 10 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të pozicionit ku ishe.

Kurse te dosjet e rëndësishme, thuhet, kishte një sektor të veçantë, ku tarifat ishin të posaçme. Tarifat e posaçme, kuptohet, kishin të bënin me gjithë këto legalizime që përmendëm, ku tipik është ai i Qytetit Studenti, 700 familje, shumica votues të hekurt të Partisë Demokratike, një legalizim. 700 familje nëpër shtëpi të bëra vetë, një legalizim i një pallati 12-katësh, të bërë me lekët, që mos ia themi emrin."

Në vazhdim, Rama vuri theksin se procesi i legalizimeve do të jetë falas dhe do të  përfundojë këto 8 vite me radhë. Sipas tij, janë  300 mijë ndërtime pa leje, ndër të cilat, 270 mijë janë vetëdeklarime. Ndërkohë,  janë pajisur me leje legalizimi 21900 qytetarë, ndërsa 15 mijë familjeve iu është legalizuar banesa.

Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti