Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e një aksioni në të gjithë vendin për prerjet e paligjshme të ujit të pijshëm dhe për ata të cilët janë debitorë.  

Nga mbledhja e grupit parlamentar socialist, kreu i qeverisë thekosi se do t’u lihet një afat të gjithë të gjithë atyre që kanë abuzuar me ujin e pijshëm, ndërsa më pas do jetë qeveria ajo që do ndërhyjë duke bërë të njëjtën gjë si me reformën në sektorin energjetik. 

Njësoj si me energjinë elektrike, është koha të bëjmë shtet edhe me ujin. Do t'u japim kohë, disa muaj, të gjithë atyre që vazhdojnë të vjedhin ujin, duke përfituar nga lidhjet e paligjshme, pa matëse, duke nxjerrë zorrën e ujit nga lokali dhe duke vaditur rrugën. Në bashkëpunim me kryetarët e bashkive, do fillojmë prerjet masive të lidhjeve të paligjshme të ujit”, u shpreh Rama. 

Sipas tij, uji duhet të kursehet dhe sasia e shpenzuar të tarifohet në mënyrë që të shmangen abuzimet. "Gjithashtu, dua të bëj me dije një fakt rrëqethës se Shqipëria sot harxhon trefishin e ujit të pijshëm që ka nevojë. Mjafton që uji të shitet si mall, të kursehet te derdhjet e panevojshme të tij, jo vetëm ka për të gjithë, por është i gjithi i aksesueshëm nga pikëpamja financiare". 

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se do përgatitet një paketë subvencioni për familjet me ndihmë ekonomike, të cilat preken nga tarifimi i ujit të pijshëm. “Njësoj si me energjinë elektrike, po përgatisim në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, me Ministrinë e Energjisë, paketën e subvencionit social për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike, që të mos ndjejnë një barrë shtesë për tarifën e ujit”, tha Rama. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com