Kryeministri i vendit, Edi Rama për shkak të ndryshimeve në axhendën e ditës ka anuluar prezantimin e kandidatit, Rakip Suli për bashkinë e qytetit të Kamzës.

Prezantimi i Sulit ishte parashikuar që të bëhej ditën e sotme në orën  17:00, por siç njofton edhe vetë kandidati socialist për bashkinë e Kamzës, takimi zgjedhor është shtyrë për një moment të dytë.

"Të dashur bashkëqytetarë, mbështetës të Partisë Socialiste dhe mua si kandidat për Kryetar i Bashkisë Kamëz, dëshiroj t’ju informoj se takimi i planifikuar për sot do të zhvillohet në një moment tjetër për shkak të ndryshimit të axhendës së Kryeministrit tonë Edi Rama" shkruan Rakip Suli në rrjetet sociale.



 

Kujtojmë se ditën e sotme Rama mblodhi kryesinë e PS-së menjëherë pas firmosjes së dekretit nga ana e presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Në mbledhjen e kryesisë është marrë vendim politik për të nisur  procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta në seancën plenare të Kuvendit, të enjten. Këtë procedurë kryeministri Rama e kishte paralajmëruar që një ditë më para gjatë një takimi në Burrel ku deklaronte se Meta nuk e meritonte zyrën ku ishte.

Ndërsa lidhur me këtë çështje është mbledhur edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mbledhja urgjente bëhet  pas deklaratës së jashtëzakonshme të Presidentit Ilir Meta që sot firmosi para kamerave dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve dhe anulimin e tyre në një afat të pacaktuar.

Ndërkohë kryeministri Rama sonte pritet që të niset për në Bruksel ku pritet të takohet me zyrtarë të lartë për të diskutuar me situatën politike në vend.