Sipas shefit të qeverisë vendi i opozitës është në Kuvend, duke dhënë kontributin e saj me një vizion alternativ, program konkurrues, dhe me një projekt të ri politik.
“Më vjen keq që s’kemi opozitë, që s’jemi të sfiduar me asnjë vizion alternativ, asnjë program konkurrues, asnjë projekt të ri politik. Madje sinqerisht, me asnjë ide të vetme që do të na vinte në pozitë para publikut si më e mire apo më tërheqëse për njerëzit se sa e jona. Zero!
Ky është shqetësimi që desha ta ndaj publikisht, në vend të replikave me opozitën e munguar. Sepse unë hyj tek ata që besojnë se një opozitë e dobët është fatkeqësi për qeverinë dhe pa një opozitë të besueshme, mund të jetë shumë më e lehtë ta mbash pushtetin por është padyshim, shumë më e vështirë ta përdorësh atë deri në fund për të bërë në vijimësi gjërat e duhura”, shkruan kryeministri Rama.
Por në përgjigje, kreu i PD-së Lulzim Basha replikën duke thënë se po i bën bisht fakteve, duke u ndalur tek ngjarja e djeshme në kryeqytet ku u vranë 4 persona në një lokal nate. Basha akuzon kryeministrin Rama se ka mbrojtur një person me precedent penal, djalin e Luiza Xhuvanit, ndërsa shton se opozita po kryen rolin e saj duke denoncuar krimin në vend dhe duke mbrojtur interesat e qytetarëve.
“Nuk e mbrojti opozita vrasësin nga aksioni i policisë në Lazarat. Nuk e ndaloi opozita policinë që ta prangoste pasi ishte shpallur në kërkim. Nuk e solli opozita të kërkuarin nga drejtësia, me helikopter ushtrie drejt e në oborrin e parlamentit për ta tundur para kamerave si argument politik.
Opozita po bën detyrën për interesin më të lartë të qytetarëve. Denoncimin e lehtësisë që gjen krimi, dhe lidhjes së drejtpërdrejtë që ka me qeverinë, me Kryeministrin vetë. Fjala e opozitës ka prishur qetësinë e Edi Ramës, por ne kemi një mision më të rëndësishëm që na udhëheq. Lufta për të vërtetën, beteja e përditshme për dekriminalizimin e qeverisë, administratës dhe parlamentit. Përpjekja çdo orë për interesat e qytetarëve të vendit.
Sigurisht Edi Rama do të donte një opozitë si ajo që përshkruan me baltë të ulët e banalitet pervers. Iluzion do t’i mbetet”, shkruan Basha.
Shkrimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
NË VEND TË REPLIKAVE ME OPOZITËN E MUNGUAR
Nuk është e habitshme se si flasin sikur kanë rënë nga qielli, jo nga pushteti. Prandaj nuk është e habitshme dhe pse vazhdojnë të jenë përfaqësuesit publikë të jetës së ulët që, deri dje, i’a imponuan një populli të tërë me forcën brutale të pushtetit që kishin. Po ashtu, prandaj edhe nuk është e habitshme se pse sot, s’u beson dot askush që i ka sytë në ballë e mendjen në vend. Nganjëherë madje, duket açik që as ata vetë s’i besojnë vetes kur u flasin të tjerëve.
Morën nga populli në zgjedhje atë që merituan, mu ashtu siç e merituan. Por natyrisht jo për të qenë edhe në opozitë, po aq të ulët sa ç’ishin në pushtet në raportet e tyre me të vërtetën, me kombin, vendin, njerëzit apo dhe me kundërshtarët në fund të fundit; po për të qenë zëri i fortë qortues i Shqipërisë ndaj qeverisë dhe alternativa e re qeverisëse e këtij vendi. Pikërisht pse nuk janë të tillë, po kanë mbetur të atillë siç ishin kur lanë pushtetin, janë sot opozita më e dobët, më e sajuar, më pa besueshmëri që mbahet mend në Shqipëri. Dhe e para opozitë që kokën e ka në shtëpi dhe trupin nën shtëpinë e kokës.
Kanë ikur nga parlamenti me ca arsye të vajtueshme për partinë që lindi nga një rebelim studentor kundër komunizimit; që ka qeverisur vendin 13 vjet nga 24 që kemi në pluralizëm; që është partia e dytë më e madhe në Shqipëri. Janë mbyllur në Shtëpinë e Oficerëve e për fat të keq, i ka zënë sëmundja ngjitëse e asaj godine, ku izolimi nga shoqëria dhe fryrja butaforike janë simptomat më të qarta. Janë hapur në rrjetet sociale, ku janë shkrirë e bërë një me kategorinë e atyre që përdorimin e fjalëve të pista e jetojnë si shprehjen më domethënëse të trimërisë. Bubullojnë para çdo mikrofoni për gjëmat e hatatë që po i ndodhin orë e çast Shqipërisë, duke recituar me patetizëm luftarak ca deklarata që tek veshët e publikut mbërrijnë si zhurma e prodhuar nga njeriu prej overdozës së fasuleve. Dhe ah po, nuk harrojnë që në fund të çdo bubullime kësisoji të ftojnë shqiptarët në protesta!