TIRANË, 27 Janar/ATSH- I. Vata/-Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe ka shpalosur objektin e reformës strukturore në shëndetesi, duke shpallur autonomine spitalore dhe kalim te administrimit të spitaleve nga ministria tek trupa e mjekëve, si modeli i ardhshëm i organizimit spitalor.
Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ku u përurua rikonstruksioni dhe pajisja e repartit të neurologjisë, u shoqërua nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se "autonomia spitalore do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore, që synon mireadministrimin e spitaleve nga vetë ata që qëndrojnë më pranë pacientëve. Këtu mund të shohim edhe bazën solide të asaj që do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore dhe që do të garantojë autonominë spitalore. Pra, kalimi i fateve të administrimit të spitaleve nga duart e ministrisë dhe të qeverisë në duart e trupës që është në frontin e betejës me sëmundjen dhe që jo vetëm duhet të zbatojë, por duhet të projektojë dhe të ketë në dorën e vet, mundësinë që projektet e veta t'i financojë me vendimmarrjen e vet autonome."
Kryeministri Rama vizitoi disa nga shërbimet e Spitalit Neurologjik, që pas rikonstruksionit plotësojnë standardet bashkëkohore për trajtimin e kësaj tipologjie sëmundjeje. Në shërbimin e konsultave ambulatore, Kryeministri u bë dëshmitar i trajtimit të një rasti urgjence nga spitali rajonal i Vlorës, rast qe  u zgjidh nga mjekët e specializuar të këtij spitali falë teknologjisë së shkëmbimit të imazheve ose telestrokës. Kryeministri u ndal edhe në shërbimin e rehabilitimit fizik, ku struktura e fizioterapisë për të parën herë shfaqet me një palestër moderne, të mirëpajisur, që së bashku me elementë të tjerë do të sjellë përmirësimin dhe riaftësimin në një kohë më të shkurtër të pacientëve me probleme si pasojë e sëmundjeve neurologjike. Në këtë shërbim është vendosur për të parën herë "acces control" për personelin, duke mundësuar kështu dhe monitorimin e kohës së punës në shërbim.
Po ashtu, Kryeministri Rama nënvizoi se ndryshimi që sjell ky shërbim është i prekshëm, ndërsa e quajti si nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e organizimit, modeli i të nesërmes për të gjithë shërbimin spitalor shqiptar."Ky është një model i prekshëm për atë që ne mund dhe do të bëjmë për shërbimin tonë spitalor, duke e nisur nga kjo qendër spitalore universitare ku pa as më të voglin ndryshim, çdo strukturë do të jetë si kjo strukturë. Praktikisht, norma europiane, e konsoliduar për nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e organizimit në këtë strukturë, do të jetë një normë europiane e konsideruar në të gjitha strukturat e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza.
Spitali Neurologjik është ndërtuar në vitin 1978. Tashmë, Shërbimi i Neurologjisë është jo vetëm i rikonstruktuar, por dhe i pajisur me hotelerinë e nevojshme për funksionim./i.v//a.ke/