Kryeministri Edi Rama tha se Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere apo lëmoshë për t'u bërë pjesë e BE-së. Ai theksoi se po bën detyrat e shtëpisë që t'i bashkohet unionit, ndërsa shtoi se rajoni është i rëndësishëm për Evropën si për ekonominë, sigurinë dhe të ardhmen, duke e cilësuar si "truproja e Evropës". 


“Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere dhe kjo është diçka që mund të ndihet e mund të dëgjohet në çdo pohim e deklaratë të udhëheqës përreth tryezës. Askush nuk po kërkon nder. Askush nuk po thërret për tu shpërblyer me ëmbëlsira. Gjithkush vjen me krenarinë për të ofruar vlerë dhe për të ofruar mund e djersë. Falë Zotit nuk duhet gjak. Ne nuk po lutemi për të hyrë në BE, nuk po kërkojmë lëmoshë. Po provojmë çdo ditë se jemi gjithmonë e më gati. Ne nuk thjesht po flasim, po japim rezultate. Dhe më lini që ta them në mënyrë më të drejtpërdrejtë sa i takon pjesës së konvergjencës. Në konvergjencën e Ballkanit Perëndimor Europa bëhet më e fortë, në qoftë se Ballkani Perëndimor është stanjacion atëherë Europa bëhet më e dobët. Nuk ka variant i një Europë më të fortë me një rajon të dobët ballkanik në mes të saj.

Dua ta përmbyll duke iu thënë qytetarëve tanë, nuk po ecim drejtë Europës me duart bosh e aspak si ata që lypin lëmoshë, po ecim me rezultate të arritura, me reforma të realizuara, më investime të siguruara e me detyrat tona të shtëpisë të plotësuara në çdo hap. Dhe ne do të vazhdojmë të ecim përpara derisa Ballkani Perëndimor të hyjë në BE jo si të ftuar por si kontribuues për sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen e tij e pa dyshim si kontribuues i sigurisë së tij sepse të gjithë e dinë, Marta e di dhe më mirë që për sigurinë tuaj zgjidhni një ballkanas dhe kjo funksionon gjithmonë dhe për sigurinë e Europës zgjidhni ballkanasit, ne mund të jemi truprojat e Europës. Dhe më pas Europa do të ndihet më e sigurtë dhe shumë më e qetë në gjumin e saj.”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Samiti/ Rama: Ballkani Perëndimor s'kërkon lëmoshë, po bën detyrat! Kos: Shpejtoni reformat, do humbisni 300 mln euro fonde nga Plani i Rritjes