Rama-Basha nisin garën për 
Tiranën, por mungojnë emrat

Rama-Basha nisin garën për <br />Tiranën, por mungojnë emrat
TIRANE- Beteja për Bashkinë e Tiranës, mes mazhorancës dhe opozitës, po bëhet gjithnjë e më e nxehtë. Kur duhen rreth 9 muaj deri në zhvillimin e zgjedhjeve vendore, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama kanë lëshuar një lumë akuzash në drejtim të njëri-tjetrit.

Edhe dje kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për bllokimin e një sërë projektesh të rëndësishme në funksion të qytetarëve të Tiranës. Gjatë rikonstruksionit të shkollës “Ahmet Gashi” në kryeqytet Basha i ka rikujtuar projektet e rëndësishme që qeveria i ka bllokuar Bashkisë së kryeqytetit. “Nuk kishte nevojë të jepte asnjë lekë, por në bazë të ligjeve duhet të bashkëfirmoste me Bashkinë e Tiranës për t’i hapur rrugë koncensionit. S’ka firmosur jo prej pamundësisë, por prej dufit dhe mllefit. Kur ka qenë kryebashkiak ka marrë fonde nga qeveria, i ka marrë për qytetarët, sepse kështu funksionojnë gjërat”, deklaroi Basha. Ndërkohë që vetë kryeministri, i cili prej ditësh e ka etiketuar Bashën si “Kryebashkiakun më kot që ka pasur Tirana”, është shprehur se bllokimet për të cilat flet Basha janë thjesht imagjinare, pasi në realitet kreu i Bashkisë bën vetëm krime jashtë imagjinatës.

Beteja për Bashkinë më të madhe në vend nisi me akuzat e përsëritura të mazhorancës e cila për disa ditë me radhë kërkoi publikisht dorëheqjen e kreut të Bashkisë Lulzim Basha. Nga ana e tij, Basha edhe në cilësinë e kreut të opozitës sulmoi qeverinë dhe vetë kryeministrin Edi Rama për mllefin politik të shfryrë ndaj opziztës dhe bllokimin e gjithë investimeve të Bashkisë së Tiranës.

Përplasja
Punimet në sheshin “Nënë Tereza” me rastin e viztës së Papa Franceskut në 21 shtator, shtoi edhe më shumë acarimin mes mazhorancës dhe opozitës pas përplasjeve që ndodhën ngjatë punimeve për restaurimin e sheshit. Kryeministri nëpërmjet postimeve në rrjetin social “Twitter” ia atribuoj të gjithë masakrën urbane të ndodhur në kryeqytet kryebashkiakut Basha dhe mazhorancës së shkuar të drejtuar nga Berisha. Ndërkohë nga ana e tij, kryebashkiaku dhe njëherësh kreu i PD-së, Basha së bashku me ish-kryeministrin Berisha paraqitën nëpërmjet fotove dokumentat e disa prej lejeve më të mëdha për bizneset që mbanin firmën e Ramës.

Hera e fundit që Edi Rama dhe Lulzim Basha ishin përballë një beteje elektorale të drejtëpërdrejtë me njëri-tjetrin ishte ajo e 8 majit 2011 për Bashkinë e Tirënës, ku mes kontestimesh Basha arriti të shpallej fitues. Gara për Bashkinë më të madhe në vend mund të quhet zyrtarisht e hapur, ndërkoqë që mungojnë vetëm emrat që do të garojnë në zgjedhjet e vitit 2015. Në selitë e partive kanë filluar të qarkullojnë emrat e parë, por ata që do të vendosin në fund do të jenë sërish Rama dhe Basha. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

'Bardhi pa kokërr leku', Sara tregon mes lotësh momentin e vështirë dhe kush i ndihmoi për qiranë

'Bardhi pa kokërr leku', Sara tregon mes lotësh momentin e vështirë dhe kush i ndihmoi për qiranë