“Ka dalë një budalla ka hedhur një gurë në lumë edhe këtu bëhet garë kush do gjejë gurin. Është jo vetëm propagandë e kundërshtarit politik, por një propagandë që gjeneron injorancë në sistem, pa parë asgjë. Gjithë kjo punë e bërë me ekspertët, kaq kollaj e paskan këta sa me një të dëgjuar e kthyekan në akuza. Kujt i shërben kjo?”, tha kryeministri duke shpjeguar se qeveria e majtë ka lidhur 14 kontrata partneriteti në pamundësi për t’i sjellë benefite qytetarëve, aq sa do të mund ta bëjë privati
Rama shtoi se “partneriteti publik-privat është mekanizëm kyç për të zhvilluar ekonominë” dhe “është pjesë e filozofisë” së qeverisë së tij”.
Por në ndryshim nga kjo filozofi, qeveria e kaluar e kryesuar nga Sali Berisha - tha kryeministrit Rama - dha plot 173 koncesione të pastudiuara të cilët sollën një dëm fatal për financat. Rama i quajti të padrejta akuzat se "po jepet me koncesion atdheu", kur qeveria aktuale sipas tij, jo vetëm që ka lidhur një numër shumë të vogël kontratash, por edhe ka rishikuar koncesionet e dhëna nga paraardhësi i tij për të lehtësuar barrën monetare të qytetarëve.
“Në programin tonë qeverisës është një filozofi që ne e mbrojmë për funksionimin normal të tregut dhe ofrimit të shërbimeve cilësore. Kam insistuar që në çdo sektor, çdo ministër, dhe çdo drejtori politikash të eksplorojë dhe të çojë përpara çdo mundësi për partneritet publik-privat. Nga vitet 2005-2013 janë dhënë 173 koncesione. Ndërsa sot bëjnë akuza se po jepet atdheu me koncesion, por janë dhënë vetëm 14 kontrata, ku 6 prej tyre janë ndërtim HEC-esh, krahasuar me 161 koncesione në të shumtën e herës fatale për financat, mjedisin, etj, të dhëna në 8 vite nga ata. Ndërsa sot kanë vënë një kujë të kuptueshme lidhur me numrin shumë të vogël të koncesioneve, që edhe janë të strukturuara në një mënyrë të ndryshme nga çka qenë më parë.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar
Duke marrë disa shembuj të rinegociimit të konstratave, kryeministri tha se koncesioni për skanimin e kontenierëve u rinegociua, duke ulur tarifën nga 39 euro në 22 euro.
"Nëse në listën prej 173 koncesionesh, përfshihet edhe koncesioni për barnat siguruese, shumë i rëndësishme në aspektin financiar, koncesioni për skanimin e kontejnerëve, i cili është mjaft i rëndë për biznesin, dhe shumë i diskutueshëm për çfarë ka sjellë për biznesin. Koncesioni për skanimin e kontejnerëve është rinegociuar me këmbëngulje nga qeveria shqiptare, për të përmirësuar termat në funksion të biznesit. Megjithatë ne do dëshironim që ky koncesion të mos ekzistonte fare, por janë bërë me parlament, dhe janë blinduar me votën e sovranit. Ndaj kemi zgjedhur te rinegociojmë. I rinegociuar është edhe koncesioni për pullat fiskale. Kërkuam që të mos rritej çmimi i ilaçeve për qytetarët, por ashtu edhe koncesioni i markimit të karburanteve që është një koncesion për të cilin jemi ende në diskutim për t’i dhënë sens bashkëpunimit, dhe për të rritur cilësinë e bashkëpunimit me qytetarin. Të gjitha këto koncesione janë me tarifa të larta për qytetarin. Po kështu është edhe koncesioni për kontrollin e automjeteve, që kanë shërbime me kosto të larta për qytetarët. Nëse nuk do rinegocionin skanimin bizneset do të paguanin 39 euro për skanimin e cdo fature doganore. Ne ulën tarifën nga 39 euro në 22 euro dhe nxorëm para nga buxheti i shteti për të kompensuar industrinë fasone. Kemi bërë kontrata me studime dhe oponencë. Ne i dhamë fund kontratave të HEC-eve kur shteti merrte përsipër të paguante tarifat fikse."-shtoi kryeministri
Rama foli edhe për kontratat e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas kreut të qeverisë ky dikaster ka bërë vetëm 3 kontrata dhe këto kontrata janë bërë në interes të publikut ndër të cilat veçoi Check-Upin
"Tre kontrata ka bërë ministria e Shëndetësisë në interes të publikut, për shërbime që shteti nuk i bën dot me cilësi. Sot në Shqipëri tarifa për një person të pasiguruar për të bërë analizat, Chek-Up është 51 mijë lekë. Shëndetësia falas nuk është qofte tek daja, por është sistem mbulimi universal. Shëndetësia falas kërkon mekanizma që ende nuk i kemi."-tha Rama
Kryeministri Rama theksoi se qeveria po punon për të krijuar kushtet për përmirësimin e cilësisë së turizmit, pasi, sipas tij, ai është “një nga burimet reale të rritjes ekonomike”.
“Turizmi është një nga burimet reale të rritjes ekonomike. Po punojmë për të krijuar kushtet për përmirësimin e cilësisë së tij. Viti i kaluar ishte mjaft inkurajues për turizmin, në aspektin sasior dhe cilësor. Konstatojmë numër në rritje të turistëve nga Europa veriore. Gjithsesi, ka shumë për të bërë në të gjithë vijën bregdetare, duhet investuar për shërbimin e energjisë dhe shërbimet e tjera bazë. Por mendoj se nëse koordinohemi më mirë me operatorët privatë, do tërheqim më tej vëmendjen e turistëve”, deklaroi kreu i qeverisë.
Mbledhja e radhës e Këshillit Ekonomik Kombëtar do t’i dedikohet vetëm partneritetit publik-privat. Rama tha se duhet shpjeguar qartë se çfarë është bërë deri më tani nga qeveria, dhe ç’është planifikuar për tu bërë më tej.
“Të kuptojmë se bashku se kjo qeveri nuk e ka tradhtuar dhe nuk e tradhton popullin e vet”, - përfundoi Rama.