Kryeministri shprehet se sipas raportit të Guardia di Finanza 99.8% të parcelave të fotografuara u shkatërruan dhe këtë nuk e thotë policia, por një trupë e njohur botërisht.
Rama deklaron se krahasuar me vitin e fundit të qeverisë Berisha, në 2016 u mboll 35% më pak kanabis dhe u shkatërrua 92% më shumë sesa në vitin më të suksesshëm të qeverisë së vjetër.
"Këtë vit u mboll 35% më pak se në vitin e fundit të qeverisë së vjetër dhe u shkatërruan 92% më shumë sesa në vitin më të suksesshëm të qeverisë së vjetër në 2013.
Këtë luftë e fitoi bindshëm policia. Nuk e fituan as trafikantët as atoparlantët e kazanit" thotë ai.
Kreu i qeverisë u përgjigjet edhe akuzave të PD duke thënë se askush nuk guxoi të hapte luftën ndaj kanabisit, ndërsa sipas tij Berisha dhe Basha lejuan kultivimin e kanabisit në Lazarat me argumentin se ai komunitet kishte vuajtur.
"Më pak se 10 vite më parë si ministër i Brendshëm, Basha vizitonte Lazaratin dhe përgëzonte ata që kultivonin kanabisin, i quante aleatë të qeverisë kundër drogës.
Apo kur Berisha deklaronte se për Lazaratin kishte një qëndrim politik në favor të mbjelljes se ai komunitet kishte vuajtur, apo faktet që mbaheshin sekret" deklaroi ai.
Pak ditë më parë gazeta 'Shekulli', botuesi i së cilës është ish-deputeti i PS, Koço Kokëdhima publikoi një shkrim duke iu referuar sipas saj një raporti sekret mbi kanabisin në Shqipëri, por Rama u shpreh se ka një luftë mes realitetit dhe fabrikimit të gënjeshtrave përmes të cilave ngrihen akuza me raporte sekrete të fabrikuara dhe shifra të montuara për të krijuar pasiguri dhe konfuzion dhe për të bërë gjithçka pis me baltë.
Deklarata e plotë e Ramës
"Avioni fotografik përfundoi misionin në Shqipëri. Këtë vit u kryen më shumë fluturime dhe u regjistruan një shifër rekord në këto tre vite i forcës reaguese, 99.8% të parcelave të zbuluara u shkatërruan.
Nuk e them unë, as policia, por Guardia Di Finanza, një trupë e njohur botërisht. Këtë luftë e fitoi bindshëm policia.
Nuk e fituan as trafikantët as atoparlantët e kazanit.
Këtë vit u mboll 35% më pak se në vitin e fundit të qeverisë së vjetër dhe u shkatërruan 92% më shumë sesa në vitin më të suksesshëm të qeverisë së vjetër në 2013.
Sipas Guardias fara e përdorur këtë vit rritet më shpejt, kjo ka bërë që sasi e prodhimit të jetë 6 herë më e ulët, edhe pse sipërfaqja ka qenë më e madhe se viti i kaluar.
Bazuar në fakte, në shifrat objektive duhet të jemi të gjithë krenarë për punën e vështirë që ka kryer policia.
Ndërkohë që vazhdon paralelisht edhe në këtë fushë, lufta kundër fakteve e cila është bërë linjë mode e shëmtuar ku top modeli është Saliu i ndjekur nga drejtori i PD, analistë dhe portalistë që sfilojnë cdo ditë.
Raporte sekrete të fabrikuara dhe shifra të montuara për të krijuar pasiguri dhe konfuzion dhe për të bërë gjithcka pis me baltë.
Nuk kam qenë dhe nuk do të jem më atë që është bërë, se më shumë mbeten për tu bërë.
Por jam krenarë që cka kemi bërë për ta vendosur shtetin mbi një bazë solide në cdo sektor nuk e ka cuar në mend PD dhe jo ta bëjë.
Edhe përsa i përket temës, askush nuk guxoi të hapte luftën ndaj kanabisit nga Lazarati.
Më pak se 10 vite më parë si ministër i Brendshëm, Basha vizitonte Lazaratin dhe përgëzonte ata që kultivonin kanabisin, i quante aleatë të qeverisë kundër drogës.
Apo kur Berisha deklaronte se për Lazaratin kishte një qëndrim politik në favor të mbjelljes së ai komunitet kishte vuajtur, apo faktet që mbaheshin sekret.
Guardia nuk u lejua ti afrohej Lazaratit. Lufta ndaj kanabisit vazhdon. Nëse policia e ka luftuar me sukses, 99.8% të prodhimit, jemi akoma larg shkatërrimit të rrënjëve të fenomenit.
Mos humbisni kohë duke kultivuar kanabis se nuk u lejon kush ta gëzoni prodhimin. Të zhvillojmë politika parandaluese. Kam besim se ashtu sikur në cdo fushë do t'ia dalim me vizion dhe vendosmëri.
Kjo fushë është fusha më e përshtatshme për ta mbyllur duke thënë 'qentë le të lehin, karvani do ecë përpara" përfundoi Rama.