“Sali Berisha përsërit se opozita ka pranuar ato që i janë ofruar dy vjet më parë, por e verteta është se pala e keqdrejtuar prej tij nuk ka pranuar ende asnjë nga pikat e domosdoshme kyçe për një reformë të plotë e të drejtë zgjedhore. Dy vjet rresht kryeministri ka përsëritur me dhjetra herë për opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar se është gati të pranojë çdo propozim të opozitës për Refomën Zgjedhore. Sot, kur për pak ditë skadon afati i kryerjes së kësaj reforme, Sali Berisha nuk ka pranuar ende asnjë nga rekomandimet kyçe të ODHIR-it e jo më propozimin e opozitës për përmirësimin e vetë sistemit zgjedhor. Për të cilin media shqiptare mund të gjejë plot raste kur ai ka thënë shprehimisht: Do pranoj çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe çdo sistem zgjedhor që propozon opozita”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ramës.
Rama tha se ajo që kërkon PS është respektimi pikë për pikë i vendimit të parlamentit për Reformën Zgjedhore dhe futja në kod pikë për pikë e çdo rekomandimi të OSBE/ODHIR-it, ashtu sikundër hapja e një debati transparent në Komisionin e Reformës Zgjedhore edhe për përmirësimin e sistemit zgjedhor.
“Pala tjetër nuk është e detyruar të bëjë atë që mendojmë e propozojmë ne për përmirësimin e sistemit zgjedhor, pavarësisht se propozimi ynë lidhet me interesin e gjerë publik jo me interesin e ngushtë të Partisë Socialiste. Por padyshim është e detyruar të votojë bashkë me ne pa humbur kohë reformën, mbi të gjitha pikat detyruese të listës së gjatë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it”, tha Rama.
Ai akuzoi sërish PD dhe Berishën se mbeten të vendosur për të zvarritur reformën zgjedhore, ndërsa i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të ndërhyjnë.
“Ja pse është dita për t’i kërkuar miqve e partnerëve ndërkombëtarë të mos lejojnë që Reforma Zgjedhore, për fatin e së cilës ata janë angazhuar solemnisht përpara shqiptarëve pas dy dështimesh me radhë të dy palë zgjedhjeve, duke e përcaktuar së fundmi këtë reformë si prioritetin e prioriteteve për integrimin europian të Shqipërisë, të dështojë në funksion të axhendës së njohur të kryeministrit. Që fatkeqësisht mbetet vjedhja e zgjedhjeve të radhës. Nesër do të jetë vonë për ta ndaluar përsëritjen e historisë së shkeljes së vullnetit të popullit Sovran”, përfundon deklarata e kryesocialistit.
(aq/shqiptarja.com)