VLORE - Kryetari i Partisë Socialiste ishte sot paradite në një kënd fjale me  ish ushtarakët e qarkut të Vlorës ku u premtoi rikthimin e dinjitetit atyre, ushtrisë por dhe Vlorës e cila është lënë pas dore nga qeveria e kryeministrit Berisha sepse është socialiste dhe u hakmorr në 100 vjetorin e pavarësisë duke bllokuar fondet. Prandaj vlonjatët- tha Rama- nuk dihet t'i japin asnjë votë PD."  

“Për 100 vjetorin u pa hakmarrja e Berishës për Vlorën.  Shëtitorja “Pavarësia” nuk u lejua të pëfundonte, dhe fondet e siguruara me thonj e kursime nga bashkia për ta përfunduar u morën, se me demek ishte borxhi ujësjellësit, dhe më 28 Nëntor shëtitorja ku u inaugurua shtatorja e “Isa Boletinit” ishte gjysmë e shtruar dhe gjysmë me gropa. Si për tju thënë unë ju urrej dhe s’ju lë të ngrini kokë. Banorët e këtij qyteti duhet të votojnë si vlonjatë për Vlorën , kjo do të thotë të mos i japësh asnjë votë për Saliun, as edhe një, sepse e lanë Vlorën si xhep falso pa rrugë sot e kësaj dite, kur pretendon se ka shtruar 10 mijë e 400 km rrugë, dhe në to nuk përfshihet rruga që të çon në Vlorë, ajo është akoma e austro-hungarisë dhe kur vjen me makinë të duket sikur je në karrocën e Ismail Qemalit. E lanë Vlorën pa asnjë investim , mbështetje sociale, e goditën mu në zemër duke bërë një proces korruptiv grabitqar, pushtues të pronave në bregdet dhe i kthyen kurrizin Vlorës”- tha Rama.
 
 RAMA: USHTRIA SHQIPTARE NJE GARNIZON PRIVAT, U GRABITEN PRONAT
Rama ndau me ish ushtarakët shqetësimin për situatën aktuale te ushtrisë, korrupsionin brenda saj nën drejtimin e ministrit Imami.

“Ushtria shqiptare është katandisur siç nuk ka qenë kurrë, përjashto 1997. Eshtë e drejtuar nga një kupolë që merr para dhe për të përcaktuar se kush do shkojë në Afganistan. Bakshish për të shkuar ushtar në frontin e luftës. Një minsitër i paaftë dhe karagjoz që vë ushtrinë në dispozcion të fushatës elektorale. Ushtria është kthyer në garnizon privat për të marrë vota në këmbim të thasit me miell dhe një rruge me të shtruar me çakull. Ajo që është bërë me pronat e ushtrisë është e papërfytyrueshme. Nga ato prona të gjithë ju që kontribuat në vite nuk merrni asgjë.  Ato prona iu transferohen oborrtarëve dhe familjarëve të Saliut duke u kthyer në pronarë tokash pafund."- tha Rama duke premtuar se do bëjë transparencë të në lidhje me deformimet dhe korrupsionin e pronave.

Për të treguar gjendjen e vështirë ku ndodhet ushtria Rama përmendi një copëz ngjarje të ndodhur me rastin e 100 vjetorit kur Artan Lame i kishte dhënë ushtrisë nj shpatë për paradë.  
 “Ushtrisë i duhej shpata për të dalë në paradë në aktivitetin e 100 vjetorit. Dhe ia kërkuan Artan Lames”  

RAMA: ISH USHTARAKEVE: NUK DO JU MBYLLIM DEREN
Rama u premtoi ish ushtarakëve njohjen e vendimeve të gjykatave dhe ato që gjykata kushtetuese u ka njohur.
 “Nuk do ju mbyllim derën në fytyrë, të bëjmë sikur nuk ekzistojnë ato vendime gjykatash. por do i zgjidhim bashkarisht, duke ju lehtësuar barrën e rëndë”- u tha Rama.  
Nga ana e tij Arben Isaraj sqaroi në pika konkrete  programin e PS-së për ish ushtarakët: 
- Trajtimin e plotë të statusit që keni marrë me ligj 2004.
- Shfuqizim urgjent të aktit normativ të kthyer në ligj nga Berisha në dhjetor 2010.
- Ndërprerja e rrillogaritjes dhe e uljes së pensionit të parakohshëm me ish ushtarakët.
 -Zbatimi direkt i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me diskriminimin tuaj.
-Çdo gjë do të bëhet në marrëveshje me sindikatat tuaja
Arben Isaraj deputeti socialist i cili hapi takimin shprehu shqetësimin për policinë aktuale “jo vetëm fisnore por dhe e paarsimuar dhe paedukuar dhe e shkëputur totalisht nga komuniteti”


ROMA: VOTONI PS, DO E BEJME VLOREN TE BUKUREN  E MESDHEUT
“Kollozi përfaqëson ultërsirën më të madhe mendore”- tha Rama, duke folur për kryetarin e PD-së në Vlorë dhe renditi premtimet për të kthyer Vlorën në një nga zonat më të bukura të Mesdheut.  
 
“Vlora të votojë për vetvete  dhe Vlonjatët të votojnë për Vlorën e jo për partitë. PS do i sjellë Vlorës ujin e pijshëm në çdo shtëpi. Qeveria jonë do të japë fonde pë pedonalen, by pass,   duke bërë gjirin e Vlorës një nga zonat më të bukura urbane të mesdheut.  Në 4 vitet e ardhshme do i japim Vlorës frymë marrje të re dhe fuqinë për të shkuar më përpara tek e ardhmja. Në 4 vite do bëjmë për Vlorën atë çka nuk është bërë në 20 vjet. “

 Rama e mbylli bashkëbisedimin me ish ushtarakët duke i bërë thirrje banorëve të shkojnë sa më shumë në kutitë e votimit.
“Bëni çmos që përtej të gjithë angazhimeve  të tjera në 23 qershor mos shkoni vetëm në kutinë e votimit. Merrni me vete një tjetër që nuk ka votuar herën e kaluar, ndonjë nip nga ata që çohen në 11 të mëngjesit. Sali është i lodhur dhe nuk bën më. Ne nuk do bëjmë mrekullira shqiptarët nuk do të kenë  pushtetin në qafë por në krah. Problemet nuk do mbarojnë por problemet tuaja do të jenë tonat”

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)