Kreu i qeverisë, Edi Rama e konsideron fushatën e 14 majit krejt ndryshe nga herët e tjera pasi pretendon se nuk kanë kundërshtarë konkret por po punojnë që të përmirësojnë situatën në disa qytete.

Rama pranoi se ka disa gjëra që s’janë bërë mirë, por është e rëndësishme që nuk flitet për premtime si ‘do t’ju sjellim ujë’ si dhe shtoi se duhet të përmirësohet bilanci duke qenë se Tirana ka rritje të madhe të popullsisë.

“Në të gjitha fushatat kjo është një fushatë ndryshe, nuk e ndjej si një betejë si të tjerat me kundërshtarë konkret. Duke e parë nga afër bilancin, kemi bërë gjëra të mira në bashki, qytetet janë të pastra, përjashto Shkodrën. Akoma sot vazhdojnë kazanët mbushen me plehra rrinë me ditë në rrugë. Qytetet sot nuk kanë probleme me ujin e pijshëm, sot mbulojmë më shumë sesa mbulohej përpara 90-tës. Në te gjitha qytetet nuk është refreni “do t’ju sjellim ujë”, pjesa më e madhe e ka. Tirana është më e vështira se ka një rritje të madhe të popullsisë. Është shumë e rëndësishme të përmirësojmë bilancin. Nuk është fushatë konfrontuese, kemi preferuar ta mbajmë komunikuese, nuk janë kundërshtarët në sensin e përplasjes. Kemi shumë pak bashki që janë në diskutim”- tha Rama në Wake up.

Rama u shpreh se nuk do të bashkëpunojë me non-gratat, pasi “eksperienca ka treguar se edhe pa pasur këtë ngërç kaq të madh të një damkosjeje e cila është shumë serioze, bashkëpunimi ka qenë i vështirë për shkak të kulturës politike të asaj force që s’ka bashkëpunim në ADN e vet”.

Kryeministri bëri një koment edhe për të gjithë kritikët e këngës që ka zgjedhur për fushatën e zgjedhjeve vendore.

“Nuk është tallava, është kombinim mes hip hop me muzikën tradicionale. E shijoj shumë edhe tallavanë. Tani këta hundëhollët e buzëhollët që kanë problem me tallavanë, ju siguroj që nuk e kanë dëgjuar kurrë Bethoven nga fillimi deri në fund”, tha Rama.

Sa i përket podcast-it që bën me personazhe të ndryshëm dhe publikon episode cdo të shtunë, Rama shprehet se është frymëzuar nga gazetari britanik Alastair Campbell.

“Kisha kohë që e mendoja, por fakti që kam marrë gjithë këtë hov zëri në vesh tregon se njerëzit kanë nevojë të jenë në hapësirën e jetës së tyre ku të mos jenë të imponuar nga imazhi, por të mund të shijojnë një bisedë që zakonisht është më e thellë se sa biseda që bëhet në televizor dhe mua vetë më ka tërhequr për 2 arsye, e para se podcasti sjell më shumë njerzillëk në komunikimin e përditshëm publik dhe ne kemi shumë nevojë për njerzillëk në hapësirën e komunikimit mediatik. Alastair Campbell ka qenë shtysë”, tha Rama.

I pyetur nëse djali i tij i vogël Zaho i ndjen mungesën për shkak se është i angazhuar me punën, kryeministri u shpreh:

“Është një punë që ka një sakrificë shumë të madhe për ata që jetojnë me mua. Borxhi i kohës, angazhimit të nevojshëm dhe zakonshëm në kushte te tjera, vetëm thellohet dhe nuk ka shans të lahet më.”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:34
Rama për Veliajn: Jemi në simbiozë të plotë, Lalit nuk i mungojnë kurrë idetë

Kryeministri Edi Rama e cilëson të shkëlqyer bashkëpunimin me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një intervistë për emisionin “Wake Up”, Rama tha se Veliajt nuk i mungojnë kurrë idetë dhe propozimet, ndërsa shumë prej projekteve i bëjnë bashkë.

“Lali Eri ka lindur me këmishë sepse së pari, është themelore për një kryetar bashkie dhe një bashki që të ketë derën e hapur dhe disponimin e qeverisë qendrore për t’u ulur, diskutuar për projektet e për të marrë mbështetje. Në këtë aspect, mbështetja dhe mirëkuptimi nuk ka munguar kurrë. Së dyti, unë jam kryeministër, e kam bërë edhe kryetarin e Bashkisë, dhe e kam në gjak atë eksperiencën e kryetarit të Bashkisë. Duke pasur në gjak këtë eksperiencë, duke pasur në gjak Tiranën, sigurisht që jo vetëm mbështes Lali Erin, por edhe e nxis shume, ndaj jemi edhe në simbiozë të plotë, që na jep mundësi të bëjmë gjëra. Gjërat që bëjmë, i bëjmë bashkë. Ai sigurisht ka detyrën të mendojë 24 orë për Tiranën, të jetë proaktiv në qasje, të vijë me propozime, që nuk i mungojnë me thënë të drejtën, dhe sigurisht është një bashkëpunim shumë i suksesshëm”, theksoi Rama.