Takimi mbi 5 orë mbrëmjen e së mërkurës në kryeministri mes Ilir Metës dhe Edi Ramës duket se ka qenë përcaktues për fatin e marrëdhënies mes dy partive më të mëdha ta së majtës. Sipas sinjaleve që ka lëshuar mbrëmë kreu i qeverisë, Edi Rama, thelbi i bisedës ka qënë vijueshmëria e koalicionit, dhe me gjasë është paracaktuar një mandat i dytë bashkëqeverisës. Kryeministri Edi Rama iu referua, gjatë fjalës së tij në Kuvend, tha se në fokus të takimit nuk ishin as "mbetjet" dhe as "kanabisi", por për të fitorja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.  

"Meqë e kishit merak takimin tim dje me kryetarin e Kuvendit, aleatin e partisë tjetër të koalicionit, nuk ishte as për mbetjet, as për kanabisin dhe asgjë tjetër. Por për të diskutuar se si do të ndërtojmë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Kur ta mbarojmë diskutimin, do t'ju njoftojmë për dhimbjen tuaj",-u shpreh Rama, duke iu drejtuar deputetëve të PD në sallën e Kuvendit.

Nga këto fjali të shkurtra të artikuluara nga kryetari i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, kuptohet se tashmë ai dhe Ilir Meta kanë nisur negociatat për të ardhmen e tyre për zgjedhjet e ardhshme, por bisedimet nuk janë finalizuar. Kryeministri gjithsesi ka bindjen se do të dalin përsëri bashkë me Ilir Metën, e për këtë arsye ai u tha demokratëve se shpejt do t’i njoftojë për dhimbjen e tyre. Ai ironizoi edhe opozitën përmes një batute, duke lënë të kuptohej se e djathta pret ndarjen e koalicionit qeverisës që të shpresojë të vijë në pushtet.

"Jeni bërë kaq qesharakë si ajo komshia që thotë, "mua s'po më merr njeri, por ishalla ndahet ndonjë nga komshinjtë e mi që të më marrë mua",-deklaroi Rama.  

Edhe Ilir Meta ka dhënë së fundmi sinjale të një marrëdhënieje normale me Edi Ramën. Nga Shkodra, ku në 1 prill të vitit 2013 firmosi koalicionin PS-LSI, Ilir Meta tha pak ditë më parë se LSI do t’i qëndrojë deri në fund marrëveshjes qeverisëse. “Unë mund t’iu them se interesi im kryesor është i fokusuar për momentin te zgjedhjet brenda LSI-së përsa i takon raportit në koalicion me partinë Socialiste ne i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë shumë luajal dhe konstruktiv kësaj marrëveshjeje, që është firmosur pikërisht në Shkodër. Unë përpiqem të ndryshoj çdo ditë për vete, aq më tepër besoj se të gjithë në LSI e kanë këtë ambicie për forcën e përbashkët politike dhe shpresoj që të gjithë të ndryshojnë për mirë çdo ditë, të ndryshojnë jo vetëm LSI-në, por të gjithë politikën shqiptare dhe të krijojmë një ambient sa më të qetë, sa më shpresëdhënës sa më bashkëpunues në shoqërinë tonë, pasi kjo është e domosdoshme edhe për një rritje të shpresës për të ardhmen e të gjithëve në këtë vend përmes punës përmes respektimi të ligjit dhe sigurisht edhe përmes nxitjes së investimeve vendase dhe të huaja”,-tha Ilir Meta.
 
Rama
“Takimi nuk ishte as për mbetjet, as për kanabisin, por për të diskutuar se si do të ndërtojmë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Kur ta mbarojmë diskutimin, do t'ju njoftojmë për dhimbjen tuaj".
 
Meta
“Sa i takon raportit në koalicion me partinë Socialiste ne i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë shumë luajal dhe konstruktiv kësaj marrëveshjeje, që është firmosur pikërisht në Shkodër”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com