Sipas vendimit të siguruar nga Report Tv pezullohet nisja dhe vijimi i të gjitha procedurave të prokurimeve të fondeve në dispozicion të ministrive dhe agjencive shtetërore.
Përjashtohen nga ky rregull kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe prokurimet për blerjet me vlerë të vogël.
Ndërsa prokurimet për nevoja urgjente do të lejohen vetëm me miratimin e Kryeministrit.
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave janë bllokuar të gjithë tenderat.
Bllokohet tenderi i ministrit teknik të PD 257 mln lekë
Pak ditë më parë Shqiptarja.com denoncoi rastin e shpalljes brenda një dite të 13 tenderave me vlerë 257 milionë lekë të reja nga ministri i Brendshëm Dritan Demiraj.
Dritan Demiraj, katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare, pra në datën 29 qershor, ka shpallur 13 tendera.
Tenderat, të gjithë të datës 29 Qershor, u shpallën kryesisht për blerje të kompjuterave, laptopëve, tableta, skanera, projektor, fotokopje, software, hard disk etj.
Pas vendimit të kryeministrit të gjithë tenderat bllokohen.
Bllokohet tenderi 1 mln Euro nga Ministria e LSI
Edhe tenderi i hapur nga drejtori i LSI-së në ministrinë e Transporteve, 1 milion euro për 185 mijë targa automjetesh ka të njëjtin fat.
Ftesa për tender u bë nga Agjencia e Prokurimit Publik në fund të Qershorit, teksa pritet që ofertat të dorëzohen deri më 27 korrik.
Por pas vendimit të Ramës tenderi për 185 mijë targa automjetesh me vlerë 1 milion euro bllokohet.
Në krye të kësaj drejtorie është Ylli Spahiu i emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe është vëllai i deputetit Përparim Spahiu i po kësaj partie.
Paradoksi/ Ministrat teknikë dhe LSI akoma në qeveri
Aktualisht kabineti qeveritar përbëhet nga 9 ministra nga Partia Socialiste, 7 nga PD dhe 4 nga LSI, pasi ministrat teknikë të PD dhe LSI ende nuk janë tërhequr nga qeveria, pavarësisht se humbën zgjedhjet.
Pavarësisht faktit se PD i humbi zgjedhjet ministrat teknikë vijuan që të shpallin tendera dhe prokurime publike miliona euro duke sjellë edhe vendimin e Ramës për bllokimin e tyre.
Ministrat teknikë të Partisë Demokratike pritet që të japin dorëheqjen në ditët në vijim, pasi po përgatisin një raport për zgjedhjet e 25 qershorit, të cilin do ia dorëzojnë OSBE.
Ndërsa Ministri i Bujqësisë nga radhët e LSI, Edmond Panariti, tha gjatë një prononcimi për Report Tv mbrëmë se ministrat e kësaj force politike nuk largohen nga detyra pas prishjes së koalicionit PS-LSI.
Sipas tij, qeverisja është përgjegjësi dhe ministrat do vijojnë punën deri në fund, ndërsa shton se fokusi i ardhësm i LSI-së në opozitë do jetë një organizim i gjerë me përfshirjen e shumë masave të shoqërisë.
Zv/ ministri i Mbrojtjes Idlir Peçi jep dorëheqjen
Një tjetër vendim i marrë nga Rama ka qenë edhe lirimi nga detyra i zv/ ministrit të Mbrojtjes Idlir Peçi.
Ministria e Mbrojtjes deklaron se lirimi nga detyra i Idlir Pecit si zevendësministër është bërë me kërkesën e tij për arsye profesionale.
"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 6 të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI: Z. Idlir Peçi, zëvendësministër i Mbrojtjes, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë" thuhet në vendim.
VENDIM PER BLLOKIMIN E TENDERAVE NE FLETOREN ZYRTARE
VENDIMI PER SHKARKIMIN E ZV/MINISTRIT PECI
dy.b/shqiptarja.com