Kryeministri Edi Rama është shprehur se buxheti i Mbrojtjes i Shqipërisë e ka kaluar objektivin bazë të shpenzimeve për Mbrojtjen të përcaktuar nga NATO për vendet anëtare të aleancës.

Komentet Rama i bëri gjatë fjalës në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se shpenzimet për mbrojtjen në Shqipëri kanë kaluar mbi 2% të prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shefi i Ekzekutivit shtoi gjithashtu buxheti i vitit 2026 është buxheti më serioz në Mbrojtje për Shqipërinë.

“Ministri i Mbrojtjes bëri me dije në një konferencë gjatë kësaj jave shumë detaje lidhur me buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026, i cili e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të prodhimit të brendshëm bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s, që është edhe pragu standard për të gjitha vendet anëtare. Ky nivel shpenzimesh tregon, jo thjesht një shifër që është më e lartë se sa pragu, as një angazhim thjeshtë për të shpenzuar, por tregon edhe një qasje proaktive ndaj detyrimeve tona, jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe për të zhvilluar një industri të re të mbrojtjes.

Është buxheti me investimin më serioz në mbrojtje historikisht dhe këto përmasa financimi, struktura e financimit, flasin për fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që nuk kufizohet më në blerje pajisjesh apo thjesht në modernizim përmes blerjeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale këtu në vend dhe kjo qasje lidhet me një bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, lidhet me investime në prodhim, jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport, lidhet transferim teknologjie dhe mirëmbajtje dhe lidhet në instancë të fundit me atë domosdoshmëri të prekshme, që tanimë mund ta adresojmë, sepse i kemi krijuar mundësitë. Është një Shqipëri tjetër me fuqi të tjera për të bërë të mundur që në sektorin e mbrojtjes shteti, jo thjesht të shpenzojë, pra, jo vetëm të shpenzojë, por edhe të fitojë dhe duke fituar të riinvestojë. Dhe duke investuar dhe riinvestuar, të rrisë edhe mundësitë për punësim cilësor të mirëpaguar”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

Shkrirja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, Rama: Të tjera drejtori do të zhvendosen! Janë shpallur të gjitha dëmshpërblimet për të dëmtuarit nga zjarret e verës 2025