Rama pranoi se brenda radhëve të policisë ka individë që janë të lidhur me krimin dhe të korruptuar, por paralajmëroi se përveç Vettingut që kalojë në sitë pasuritë, në fillim të muajit nëntor në Shqipëri do të vijnë agjentët e FBI dhe cdo punonjës policie dhe drejtues do të bëjë testin e poligrafit.
“Për pak ditë vjen këtu një ndër agjentët më prestigjioz të FBI pikërisht për këtë, për të mbështetur policinë në luftën kundër krimit. Dhe nuk mbaron me kaq, mbërrin edhe një agjent tjetër me kuota besueshmërie maksimale për të mbështetur policinë nga Gjermania. Po diskutojmë me një kompani që drejtohet nga ish-agjentë të FBI, që do të vijnë këtu.
Do të flasim dhe do të shikojmë, këtu do të jemi. Do të sjellin një eksperiencë që ne nuk e kemi. Do të sjellin edhe instrumentet e tyre për Vettingun në polici. Nuk do të ketë drejtues policie që nuk do të kalojë testin e FBI, ka edhe një instrument për sinqeritetin, ju e dini, poligrafin, do të jenë këtu të gjitha” deklaroi Rama.
Gjithashtu kryeministri paralajmëroi se qeveria do të vendosë një çmim për kokën e cdo personi që ndodhet në kërkim, në mënyrë që të vendoset sa më shpejt para drejtësisë.
“Çdo drejtues dhe cdo punonjës policie që nuk është përzier me krimin të mbajë kokën lart. Luftë cdo ditë dhe cdo natë në territor për të vazhduar fazën e dytë që kemi nisur për të vazhduar kapjen dhe çuarjen deri te dera e gjykatës të atyre që janë në kërkim me cdo çmim. Do i propozoj qeverisë që të vendosë çmim për kokën e cdo të kërkuari, kush e denoncon dhe mundëson kapjen e tij do të paguhet” deklaroi ai.
Rama dhe Xhafaj në fjalën e tyre nuk e lakuan asnjëherë kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit.
Fjala e plotë e Edi Ramës
Nuk është hera e parë që unë vij këtu tek ju, kur furtuna në kazanin e politikës e të mediave ngrihet mbi kokat e punonjësve të Policisë. Shoh këtu fytyra të njohura nga takimet e mëparshme, shoh dhe fytyra të reja.Besoj që sot është dita e duhur, marrë parasysh edhe pasqyra e rezultateve të 9-mujorit, për të ngritur disa çështje në vëmendjen tuaj dhe në vëmendjen e publikut.
Jam ndjerë vërtet mirë nga rezultatet e deritanishme të kësaj periudhe të vitit, por ndjehem edhe keq kur shoh dhe kuptoj që, përtej rezultateve, kemi të bëjmë me një situatë në të cilën Policia e Shtetit së brendshmi ndeshet me shfaqje të papranueshme dhe së jashtmi ndeshet me një furi të papranueshme, një furi balte, një furi akuzash, një furi përpjekjesh të cilat synojnë, jo vetëm ato që thuhen publikisht dhe që janë politike, - këtu unë s’kam ardhur të flas për to, - por dhe demotivimin e Policisë së Shtetit.
Nuk e kemi pasur të nevojshme ta shpikim ne, e kanë shpikur të tjerët kohë përpara nesh, në vende që kanë kaluar në këto faza, të vërtetën e thjeshtë, shprehjen e thjeshtë të së vërtetës më saktë, se, politika me krimin është mbështetje për krimin.
Sot, krimi gjen mbështetje pikërisht tek politika me krimin. Nuk është një gjë e re, por është një nga ato momente kulmore të politikës me krimin dhe të shfrytëzimit të krimit për të bërë politikë, pa marrë parasysh pasojat e drejtpërdrejta që kjo politikë ka, në radhë të parë në psikologjinë e uniformave blu dhe padyshim edhe në bashkësinë e njerëzve të zakonshëm që nga Policia e Shtetit presin shërbim dhe siguri. U bënë plot 4 vjet që Policia e Shtetit është institucioni më i sulmuar në Republikën e Shqipërisë.
Thjesht për një statistikë të bazuar në fakte, i kam kërkuar përpara pak ditësh njerëzve të medias në Kryeministri të bëjnë një kërkim në të gjithë historikun e medias së lirë shqiptare, për të parë treguesit lidhur me qëndrimet politike dhe mediatike ndaj Policisë së Shtetit. Nuk jam surprizuar, as jam befasuar, por, sidoqoftë, megjithëse e kisha të qartë këtë perceptim, raporti i sulmeve politike dhe mediatike ndaj Policisë së Shtetit në këto 4 vite, krahasuar me të gjithë periudhën e mëparshme, është 10 me 1.
Çfarë ka ndodhur, në fakt, në këto 4 vite? Pse, qysh në fillim të përpjekjes për ta rimëkëmbur Policinë e Shtetit, të gjetur në rrënojat e një braktisjeje të gjithanshme, në të gjitha planet, ka nisur edhe ky sulm konstant? Nuk besoj se duhet shumë inteligjencë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Çfarë ka ndodhur?
Pse çdo ditë, rëndom, në mëngjes dhe në darkë Policia e Shtetit është vënë në një shënjestër të pandashme dhe është baltosur, akuzuar, sakatuar me fjalë pa pushim? Kanë ndodhur shumë gjëra, por po ju them një. Deri tani, pa mbaruar muaji tetor i këtij viti, Policia e Shtetit ka sekuestruar nga duart e rrjeteve kriminale 35 milion euro, të cilat, deri në fundin e vitit të shkuar ishin plot 47 milion euro, para të sekuestruara nga krimi. Ndërkohë që, në vitin 2013 nuk bëheshin as 1 milion euro.
A ka nevojë për koment? A ka nevojë për ndonjë mençuri dhe mprehtësi të veçantë për të kuptuar se në këto 4 vite Policia e Shtetit ka filluar një ndarje të qartë me shumë interesa dhe me shumë influenca që e katandisën vit pas viti në një organizatë pa asnjë siguri juridike për drejtuesit dhe punonjësit e vet, në një organizatë me një mbështetje financiare qesharake, në një organizatë pa asnjë mbështetje në burime njerëzore ripërtëritëse.
Akademia e Policisë ka vetëm 3 vjet që është hapur. Presim me padurim që në fillim të vitit të ardhshëm prurjet e para të shkolluara të vijnë dhe të bëhen pjesë e kësaj organizate. Ndërkohë që, deri në vitin 2013 prurjet në Polici vinin nga partitë. Policia, si të gjitha zyrat e tjera të shtetit, nga më të rëndomtat deri tek më të rëndësishmet, u kthe në një zyrë punësimi për analfabetë, për njerëz me 8-vjeçare, për njerëz të cilëve partitë në pushtet nuk i gjenin dot asnjë punë tjetër dhe thonin, “ma merr, ma vish polic!”
Kjo influencë dhe këto lidhje janë këputur. Jo rastësisht, - pavarësisht kësaj furie që ngrihet dhe ulet por që kurrë nuk bie dhe qetësohet, - Policia e Shtetit, nga institucioni më i pabesueshëm për qytetarët në vitin 2013, bashkë me gjykatat dhe Prokurorinë, për 2 vjet me radhë ka dalë nga anketimet e Komisionit Europian, jo të qeverisë, institucioni më i besueshëm i shqiptarëve.
Çfarë ka ndodhur? Le të çohet një drejtues Policie i këtyre 4 viteve dhe të thotë një dëshmi të vetme që nuk ka mundur dot të ndalojë një ministër, një deputet, një zyrtar të lartë, një biznesmen, apo një njeri me influencë nga ata që deri para katër vitesh pështynin në tokë pasi mbyllnin xhamin dhe iknin kur i ndalonte polici rrugor. Nuk ka!
Natyrisht, këto që po them janë aspekte padyshim të një suksesi me kosto, por të vlerësuar lart nga publiku, i cili, nuk ha as bar dhe nuk ushqehet as me çorbën e kazanit të politikës dhe të medias, që, do të thotë se, padyshim, kanë ndodhur dhe gjëra negative. Nuk diskutohet.
Le të marrim kanabisin dhe t’iu referohemi fakteve, shifrave, provave, jo propagandës, perceptimit dhe baltës. Po të hyjmë në krahasimin midis shifrave të këtyre viteve dhe shifrave deri në vitin 2013 e di përgjigjen! Ishte vetëm në Lazarat dhe u hap në të gjithë Shqipërinë. Kjo është një e vërtetë e ngritur mbi një gjysmë të vërtetë. Pra një e vërtetë publike, mbi një gjysmë të vërtetë, për arsyen e thjeshtë se vetëm në Lazarat, sipas raporteve të Policisë italiane, në vitin 2013 u kultivua një sipërfaqe prej 319 hektarësh dhe u prodhuan 900 ton kanabis.
900 ton kanabis ku shkuan? Pse nuk i pamë kurrë në televizor? Pse nuk i lexuam kurrë në gazeta? Pse nuk i dëgjuam kurrë nga goja e atyre që në atë kohë drejtonin Ministrinë e Brendshme? Sepse ato ikën që të gjitha, të patrazuara, të shoqëruara. U shitën matanë detit dhe paratë u ndanë andej dhe këtij detit, poshtë dhe lart. Atëherë, padyshim që goditja e Lazaratit ishte një goditje të cilën e morëm përsipër me një kurajo që të tjerët nuk e patën për 20 vjet, me një vullnet që të tjerët nuk e treguan për 20 vjet dhe me një vetëdije, që, për hir të të vërtetës, ishte fillimi, jo fundi i një lufte për një treg që gjendet matanë detit, jo këtu, ku, padiskutim ne kaluam një fazë tejet të vështirë. Kjo është e vërteta.
Por, thuaje sa të duash! Përsërite sa të kesh qejf! Nuk futet në kazan e vërteta e thjeshtë që, kanabisi nuk ka qenë asnjëherë vetëm në Lazarat, - kanabisi ka qënë në gjithë Shqipërinë! Sa ka qenë? Po t’i referohemi komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat, - siç e dini ju të gjithë që jeni përpara 2013-ës këtu, ishin sekrete, pra, nuk ndaheshin as me publikun, as me median, - nuk ka qenë pak. Por pyetja është, nëse 900 tonët e Lazaratit as figuruan, as u panë, as u kapën sa mund të kenë qenë tonët e tjerë që nuk figurojnë në komunikatat e Policisë së Shtetit?
Nuk po spekuloj! Nuk po them që, “shikoni se atëherë ka qenë më shumë sesa ç’ishte vjet”. S’ka qenë më shumë, jo. Ndryshimi nga atëherë në këto 4 vjet është që është bërë luftë. Është bërë një luftë ku, padyshim, janë goditur plot e plot elementë kriminalë. Mjafton t’ju them se në vitin 2015 janë arrestuar 536 persona.
E dini sa ishte numri total i të arrestuarve, me gjithë Lazaratin brenda, që 550 kishte vetëm shefa dhe politikanë, pa llogaritur punëtorët? E dini sa ka qenë numri i statistikave zyrtare në 6 vjet, deri në 2013-ën? 553. Pra, 20 më shumë se sa vetëm në 2015-ën. Nëse krahasojmë 4 vite që pararendën 4-vjeçarin, kur u hap kjo luftë, me këtë 4-vjeçar, e dini sa është diferenca e arrestimeve të elementëve të përfshirë në veprimtarinë e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike?1422 me 360. Nuk është sport. Po të ishte futboll do ishte 9 – 1. Por nuk është futboll.
Nuk është aspak për tu justifikuar, apo për të thënë, meqë gjërat s’kanë të krahasuar me më parë, atëherë janë mirë. Jo, fare! Ne nuk krahasohemi e nuk mund të krahasohemi me më parë. Më parë nuk kishte luftë. Më parë Policia ishte e dorëzuar. Më parë komisarët e Policisë vriteshin si pulat rrugëve. Është e vërtetë, apo jo? Kujtoj disa funerale, që, si kryetar i opozitës kam ardhur në atë, që, për ironi është bërë selia nga ku goditet Policia e Shtetit prej 4 vjetësh, për të nderuar komisarë të vrarë rrugëve, si pulat! Falim për vrasjet! Le t’i referohemi pasqyrës së këtij viti. Numri më i ulët në 20 vitet e fundit i vrasjeve: 41. Ndërkohë që, ka pasur vite në periudhën para këtij 4-vjeçari, që shkonin dhe 5 vrasje në javë. Ju e dini mirë!
Natyrisht, çdo vrasje është vrasje. Natyrisht, që kur bashkë me ata që thyejnë qafën duke i futur plumbin njëri-tjetrit dhe në ferr shkofshin që të gjithë, ka edhe viktima të pafajshme. Por ka një hendek mes realitetit dhe kazanit. Nuk jetojmë në 2006-ën, apo në 2012-ën, kur numri i vrasjeve ka qenë çdo vit katastrofik. Jetojmë në një kohë kur çdo gjë e vërtetë, plus, edhe qytetari dixhital dhe gjithçka, - e vërtetë, e pavërtetë, - bum, në ballë të kazanit. Sigurisht, kjo rrit perceptimin negativ.
Ndërkohë që, ne nuk jemi marrë realisht me kundërpërgjigjen mediatike. Nëse do të merreshim me kundërpërgjigjen mediatike dhe - siç kemi treguar, duke e hequr sekretin mbi komunikatat për çdo rrënjë kanabis, - të tregonim fytyrën e çdo banditi që arrestohet, të tregonim edhe me radhë të gjitha operacionet e Policisë, atëherë, natyrisht, gjërat mund të ishin ndryshe. Por nuk ka nevojë, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse njerëzit e zakonshëm të këtij vendi nuk i bën dot kush për budallenj. E kam thënë dhe më vjen gjithmonë mirë ta përsëris. Ua them edhe të huajve. E kam thënë edhe kur nuk kam qenë fare në politikë: shqiptarin më pa shkollë, nuk ka shkencëtar që e bën dot për budalla. Nuk ekziston. Për budalla, njeriun e kësaj toke nuk e bën dot njeri. Kush përpiqet t’i bëjë për budallenj ka paguar gjithmonë dhe do vazhdojë të paguajë.
Ashtu sikundër, nga ana tjetër, është një fakt tjetër. Grupet kriminale. A ka një përkufizim? Patjetër që ka! Sepse ka statistika të Policisë përpara. Ka statistika të Policisë sot për grupet kriminale të shkatërruara. Është dyfishi i grupeve kriminale të shkatërruara krahasuar me vitin 2013. Kjo nuk do të thotë që nuk ka grupe kriminale të tjera. Ka, patjetër! Kjo nuk do të thotë që nuk ka kriminelë të rrezikshëm që duhet të ishin prapa hekurave. Ka, patjetër! Por kjo do të thotë që Policia e Shtetit ka 4 vjet që është në luftë frontale në të gjitha aspektet.
Policia e Shtetit mbulon sot të gjithë territorin e vendit. Ka qenë problemi i parë që më kanë ngritur në takimin e parë informal për t’i dëgjuar drejtuesit e Policisë së Shtetit kur jam bërë Kryeministër: “Mbulojmë 55% të territorit”. Jam habitur. Pastaj, duke parë gjithë hartën e dispozitivit të organizatës, kemi parë që mbulohej 55% e territorit. “Kemi një Polici në zyrë, të mbingarkuar”. E vërtetë ishte. Zyrat mbushur me shefa, me specialistë. Në terren 55%.
Sigurisht që të gjitha këto janë njëra anë e medaljes. Ka dhe një anë tjetër medalja, të cilën, për sa na takon asnjëherë nuk kemi refuzuar ta shohim në sy. Nuk kemi refuzuar të shohim në sy faktin që në këtë luftë në mënyrë të posaçme me kanabisin kemi një situatë që kërkon një operacion të pamëshirshëm brenda radhëve të Policisë së Shtetit, sepse është e qartë që krimi ka arritur të korruptojë punonjës Policie, ka arritur të korruptojë njerëz në Polici.
Unë i përshëndes dhe i inkurajoj masat radikale! Nëse sot, Policia zbulon parcelë me kanabis në Rinas, i gjithë zinxhiri aty duhet të shkarkohet dhe të largohet nga Policia. Kjo është e qartë! Është e pamundur të justifikohet një prani e tillë në një fazë finale të një operacioni kur një muaj janë zgjatur fluturimet me financim nga Komisioni Europian, sepse partnerët ndërkombëtarë që ndjekin operacionin nuk arrinin dot të bindeshin për çrrënjosjen që i është bërë kanabisit në të gjithë territorin nga të gjitha fotografimet ajrore të pakufizuara. Ishte një teori që ndoshta duhet ta shtyjmë edhe për tetorin për të parë deri në fund se mos ndoshta është një lloj bime tjetër që vjen e historira.
Për pak ditë mbaron historia dhe do të shikojmë rezultatet. Çrrënjosje e pamendueshme që nuk erdhi nga hiçi. Erdhi nga 4 vjet luftë. Erdhi nga katër vjet eksperiencë. Lufta me krimin nuk është një veprimtari që mund ta bëjë as dikush në televizor, as unë në zyrë dhe nuk bëhet as me fjalë dhe as me dokumente qëllimmira, sepse është një ndeshje. Nuk fitohet në tavolinë, fitohet atje! Je ti, është dhe kundërshtari! Janë forcat e tua, janë dhe forcat e tij! Ka avantazh, ka dhe disavantazh! Në rastin konkret disavantazhi krijohet siç ishim mësuar ta shikonim dhe në kampionatin e futbollit, nga blerja e lojtarëve të tjetrit. Kjo është e qartë!
Plani Kombëtar ishte sintezë e një eksperience dhe qartësi për të dhënë goditjen finale. Unë nuk dua të bëj spekulime, por, a ka ndonjë njeri të arsyeshëm që nuk e mendon çfarë do të thotë goditje finale? Domethënë miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona euro. Domethënë mbyllja me forcë e një tregu shumë tërheqës. Në këtë tregun shumë tërheqës këto forcat që po lënë tregun do rrinë të shikojnë dhe do thonë, “mbaroi ndeshja, fitoi, apo humbi Skënderbeu”! Jo. Do veprojnë. Kanë format e tyre.
Një gjë është e sigurt, që sot ne jemi më të bindur se kurrë që mbi bazën e kësaj lufte, faza e dytë, - të cilën e kemi lajmëruar qysh në korrik për t’i shkuar tani pas, jo më rrënjëve, jo më parcelave, por rrjeteve të pasuruara me to dhe pasurive të tyre, - është operacionale. Do të vazhdojë! Do të vazhdojë kundër elementëve kriminalë, kundër rrjeteve kriminale! Do të vazhdojë edhe kundër elementëve të inkriminuar në Policinë e Shtetit. Nuk do shpëtojë njeri! Nuk do shpëtojë asnjë punonjës Policie që të gjithë jetën ka punuar në Polici dhe që ka pasuri të pajustifikueshme! Nuk ka si shpëton! Nuk do shpëtojë, ju siguroj!
Vetting-u në Policinë e Shtetit është për të ndarë qartë dhe prerë: “të njomët” me “të thatët”; shapin nga sheqeri; ata që i dalin përballë krimit dhe ata që i shkelin syrin pas shpinës së shokut kriminelëve. Patjetër! Më në fund, pas 2 vjetësh, apo më shumë përpjekjesh për të sjellë këtu agjentët e FBI-së dhe pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në Uashington me drejtorin e FBI-së, për pak ditë vjen këtu një ndër agjentët më prestigjiozë të FBI-së, pikërisht për këtë, për të mbështetur Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar.
Natyrisht, nuk mbaron me kaq. Mbërrin dhe një agjent tjetër me kuota besueshmërie maksimale për të mbështetur Policinë kundër krimit të organizuar nga Gjermania. Po diskutojmë me një kompani hetimesh dhe auditimesh që drejtohet nga ish-agjentë të FBI-së që do vijnë këtu. Ne këtu do jemi dhe do flasim. Do shikojmë dhe do flasim. Natyrisht që do sjellin, në radhë të parë, një eksperiencë që ne nuk e kemi. Patjetër do sjellin një fuqi motivuese që na duhet. Por do sjellin dhe instrumentet e tyre operacionalë për vetting-un në Policinë e Shtetit. Nuk do ketë drejtues policie që nuk do kalojë testin! Ju e dini çfarë do të thotë të kalosh testin e FBI-së. Ka dhe një instrument për sinqeritetin kur jep përgjigjet, ju e dini, poligrafi. Të gjitha këto do jenë këtu.
Këtu do shkojmë më tutje me një plan shumë të qartë, duke shfrytëzuar maksimalisht eksperiencën, bazën që kemi vendosur në këtë luftë dhe patjetër me padurimin që të përfshijmë edhe prurjen e parë të burimeve njerëzore të specializuara në Akademinë e re të Policisë në strukturat hetimore, në radhë të parë, por dhe në struktura të tjera, sipas specializimit të tyre. Vetëm një gjë duhet thënë, jo për të justifikuar çfarëdo qoftë, por për të vënë gishtin vërtet, deri në fund, në plagë. Policia e Shtetit në këto 4 vite ka dhënë një dëshmi shumë të qartë: Në këtë territor nuk ka, nuk ekziston një frymë e gjallë që nuk kapet. Në këtë territor nuk ekziston një bos, një kapo, apo një tërësi elementësh të rrezikshëm që nuk kapen. Në këtë territor nuk ekziston akoma një drejtësi që i lë prapa hekurave!
Po të ishte dëgjesë me publikun do t’i kërkohej çdo burri e çdo gruaje këtu, që ka eksperiencë në fushën e betejës, të dëshmonte, secili do mbante fjalim të gjatë, për sa raste Policia i ka futur nga dera e Gjykatës dhe Gjykata i ka nxjerrë nga dera tjetër, për sa raste këta “të fortët” e mëdhenj, këta bosat, këta mafiozët, këta kriminelët kanë shkuar atje me kapuç në kokë dhe kanë dalë duke iu thënë atyre që i kanë çuar atje, “tani do flasim bashkë”.
Nuk kishte gjë më të shëmtuar, nuk kishte gjë më fyese, nuk kishte gjë më degraduese, nga pikëpamja e perceptimit për Policinë e Shtetit, sesa ajo video që doli gjithandej nga Elbasani. E papranueshme! Por, nëse këtu në Shqipëri do kishte Prokurori dhe Gjykatë në lartësinë e betejës nuk do kishte ardhur dita ta shikonim atë video.
Për ta mbyllur, disa gjëra.
Së pari, çdo drejtues dhe çdo punonjës Policie që nuk është përzier me krimin të mbajë kokën lart dhe të jetë i sigurt që është i garantuar dhe i mbështetur fuqimisht dhe të vazhdojë të bëjë punën për të mbajtur lart flamurin e Policisë së Shtetit që ne kemi ngritur dhe që nuk e ul dot asnjë furtunë balte. Vetting-u nuk bëhet për ata që janë shërbëtorë të uniformës. Vetting-u bëhet për ata që e kanë përsëndyrë uniformën. Padyshim, sot jeni dëshmitarë që nuk ndodh më që, “merre njërin, hidhe andej, merre tjetrin. hidhe këtej”. I thua tjetrit, “ik, më sill tjetrin”. Jo. Secili këtu rri me meritën e vet, me karrierën e vet, me kontributin e vet.
Së dyti, luftë çdo ditë dhe çdo natë në territor për të vazhduar fazën e dytë që kemi nisur, për të vazhduar kapjen dhe çuarjen deri tek dera e Gjykatës të atyre që janë në kërkim me çdo çmim! Unë do i propozoj qeverisë që të vendosë çmim për kokën e çdo të kërkuari në Republikën e Shqipërisë. Kush e denoncon dhe mundëson duke denoncuar kapjen e tij, do paguhet, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, padiskutim, maksimumi duhet bërë dhe do të vazhdojë të bëhet në raport me qytetarët, në raport me njerëzit që tek Policia në rrugë kanë parë fytyrën e ndryshimit, kanë parë burimin e besimit dhe që kanë nevojë të vazhdojnë të besojnë duke parë edhe më mirë se ka edhe shumë më mirë, për hir të së vërtetës.
Së fundmi, kini shumë besim që, e gjithë kjo situatë baltosjeje e Policisë së Shtetit, nuk flas për asgjë tjetër jashtë saj, por e Policisë së Shtetit, ku njëherë atyre të Elbasanit iu thuhet “të inkriminuar” dhe pastaj kur lirohen nga detyra iu thuhet “të ndershëm” mund të vazhdojë, por nuk ka shans të ngjisë as në sytë, as në veshët, as në mendjen, as në zemrat e shqiptarëve që kanë sytë e tyre për të parë, që kanë veshët e tyre për të dëgjuar, që kanë mendjen e tyre për të logjikuar dhe që kanë zemrën e tyre për të ndierë se kush po lufton krimin dhe kush po bën politikë me krimin; kush do drejtësi dhe kush do teatër; kush është këtu për detyrën që ka, brenda misionit që kemi dhe kush është për të penguar ushtrimin e asaj detyre dhe për ta ndalur këtë mision. Shifrat, faktet, provat flasin të gjitha shumë qartë.
Thonë se Policia e Shtetit sot është larg që qeni ende trupa që unë jam zotuar që ditën e parë dhe që i garantoj që të gjithë që do të jetë në fund të këtij 4-vjecari, një Polici Shteti e standardeve të Bashkimit Europian në të gjitha aspektet. E kam thënë në 2013-ën: “Në 8 vjet, - është e shkruar, - do ta bëjmë një Polici që të jetë në mesataren e lartë europiane për të gjitha standardet.” Nuk jemi aty. Aty të shohim! Të mos shohim mbrapa dhe të mos shohim nëpër këmbë, ku, - e kam nga eksperienca ime se jam i gjatë, - gjithmonë do kemi probleme, jo nga të shkurtrit në trup, por nga të shkurtrit në mendjen e kokës.
Unë ju falënderoj, - jo që erdhët, se edhe të dielën ju e keni ditë pune, - por ju falënderoj për gjithçka që ju bëni, për gjithçka! Ju siguroj që sot, më shumë se 4 vjet më parë, më shumë se 1 vit më parë, më shumë se 1 javë më parë unë kam bindjen e plotë që kjo është një luftë që ia vlen për Shqipërinë! Është një luftë që ia vlen për të gjithë fëmijët e këtij vendi! Është një luftë që ia vlen për të gjithë prindërit e këtij vendi! Shqipëria nuk është atdheu i krimit! Shqipëria nuk është vendi ku ka vetëm kriminelë!
Shqipëria është vendi ku ka një popull me 1001 halle, me 1001 probleme, por ekonomia e vendit, të ardhurat në buxhetin e shtetit, bizneset dhe të gjitha me radhë nuk zhvillohen nga kriminelët, zhvillohen nga njerëzit që punojnë; zhvillohen nga ata që rrisin eksportet në bujqësi; zhvillohen nga ata që vazhdojnë punën me shumë më tepër nevoja, me shumë më tepër probleme sesa zgjidhje, por vazhdojnë; zhvillohen nga ata që vazhdojnë çojnë fëmijët në shkollë, ata që vazhdojnë të marrin kënaqësira të jashtëzakonshme nga fëmijët e tyre që dalin të shkëlqyer.
Krim! Patjetër që ne kemi një problem. Por askush nuk na jep dot leksione nga ata që deri dje e lanë krimin këmbëkryq këtu, në kat të dytë! Askush nuk na jep dot leksione nga ata që kanë zëdhënës të luftës kundër krimit ministra që merrnin në makinë kriminelët për të cilët nisej FNSH-ja për t’i kapur, e të tjera, e të tjera. Asnjë leksion! Të nxjerrim mësime nga problemet! Të rrisim sa të mundemi me të gjithë forcën e shpirtit dhe të mendjes fuqinë për të shporrur nga Policia e Shtetit çdokënd që ndyn uniformën e policisë së shtetit dhe me kurajo, vendosmëri të marrim rezultate të tjera!
Na duhen rezultate shumë më të mira se këto që kemi! Na duhet të ballafaqohemi me Policinë që duam në fund të kësaj rruge, siç thashë më parë dhe jo me Policinë që ishte! Polica që ishte vlen vetëm për të kuptuar ku jemi. Nuk vlen për të thënë, “këtu ku jemi, jemi mirë dhe s’ka problem”. Jo! Ka problem dhe për këtë jemi këtu. Prandaj ka lindur dhe Policia, sepse ka problem.
Ka gjithmonë problem tek forca që të bëjmë atë që duhet për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Nuk kemi njeri për të bindur nga ata që nuk duan të binden, por kemi qindra-mijëra e miliona njerëz që duhet t’i bindim përditë, se ne jemi në luftë dhe në luftë nga të gjitha e nga të gjithë.
Por në fund të ditës luftën do ta fitojë shteti! Luftën do ta fitojë Policia e Shtetit! Luftën do ta fitojnë gratë e burrat që dalin nga shtëpia në mëngjes, përshëndesin familjen e tyre dhe nuk shkojnë për të shitur e për të blerë, por shkojnë për tu përballur me krimin!
dy.b/shqiptarja.com