VIDEO/ Rama çel ekspozitën me krijimet e tij artistike në Greqi: Mirënjohës për këtë pritje të mahnitshme

Kryeministri Edi Rama ka çelur në Athinë ekspozitën me krijimet e tij artistike. Punimet e kryeministrit u ekspozuan në Zapion Megaron të Greqisë. Në fjalën e tij, ndërsa falënderoi bashkëpunëtorët për realizimin e kësaj ekspozite, Rama ftoi të pranishmit të shohin punimet e tij, ndërsa tha se arti nuk ka nevojë për përkthim.

Kryeministri u shpreh se arti i tij abstrakt, me disa kujtime aty-këtu dhe është mjaft demokratik, në kuptimin që i lejon gjithsecilit të mendojë e të shohë gjith’ çfarë dëshiron.

‘Meqë ra fjala, unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë.’- u shpreh ndër të tjera Rama

Fjala e plotë

Do të doja të flisja disa fjalë greqisht dhe do të më pëlqente shumë t’i drejtohesha këtij auditori përmes kësaj gjuhe kaq të bukur e të lashtë, një gjuhë që është folur nga njerëz, të cilët i sollën kaq shumë mrekulli kësaj bote dhe që folën aq bukur për artin dhe të bukurën. Po, për fat të keq, nuk e flas, kështu që po ju drejtohem në anglisht, sepse e di që edhe shqipja juaj nuk është fort e mirë.

Dua të them, para së gjithash, se jam shumë mirënjohës për këtë pritje të mahnitshme dhe për këtë ngjarje kaq të veçantë. Nuk është ekspozita ime e parë artistike, por është e para herë që vizitoj një vend si Kryeministër dhe në çantë nuk mbaj vetëm shënimet, por edhe artin tim. I jam thellësisht mirënjohës edhe Nikos, i cili pati rol kyç për ta bërë të mundur realizimin e gjithë kësaj, pasi vizitoi zyrën time dhe i lindi dëshira ta sillte këtu. Kështu, Niko më solli edhe mua bashkë me zyrën, sepse ajo që do të shihni sot është një variacion i asaj çfarë e përbën zyrën time: vizatimet mbi tryezë, skulpturat e mia, disa prej të cilave varen në zyrë dhe letra e murit që është kompozuar me vizatimet e mia.

Dua po ashtu të falënderoj Katerinën, e cila është treguar shumë e duruar, sepse është një kuratore tejet profesioniste dhe nuk ka punuar kurrë më parë me një Kryeministër. Meqë ra fjala, unë jam artisti më i mirë ndër kryeministra dhe padyshim kryeministri më i mirë ndër artistë. Katerina është mësuar të jetë ajo kryeministre sa herë merret me subjektet e saj, kështu që kjo ishte një përvojë ndryshe, sepse i duhej koha ime, unë kohë nuk kisha; i duhej vëmendja ime, po mendjen e kisha tjetërkund, pikërisht siç ndodh kur vizatoj, sepse kur vizatoj në zyrën time, vëmendja nuk është tek ajo çfarë bëj me duar, por i lë sytë të lëvizin bashkë me duart, ndërsa mendja është plotësisht e përqendruar te çështja që diskutohet me bashkëpunëtorët e mi ose te bashkëbisedimet telefonike ose teksa peshoj vendimet që duhen marrë kur jam vetëm.

E përjetoj vërtet me shumë përulësi që pritem në këtë pallat të mrekullueshëm që ka një histori të jashtëzakonshme dhe më lini të ndaj me ju diçka shumë personale. Dje, kur isha në makinë duke shkuar drejt Vuliamenit, m’u kujtua një taksi që kisha marrë një vajtje-ardhje për në Vuliameni dhe më pas në Sandro të Athinës, ato ditë të hershme të lirisë sonë, kur vendi i parë që vizitova si njeri i lirë, jo si sportist që përfaqësonte një vend që nuk ishte i lirë, por një vend si njeri i lirë, ishte Greqia dhe Korfuzi. Nga Korfuzi, ku më pritën disa kushërinj të nënës sime, fluturova për në Athinë, ku më pritën disa kushërinj të tim ati. Jeta është e pabesueshme. Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të pritesha në këtë pallat, se do të vija me një makinë me autokolonë dhe se mikpritësi do të ishte një ministër i Jashtëm. Ç’të them?! Jam vërtet falënderues dhe mirënjohës.

Ajo çfarë do të shihni sonte, shpresoj të flasë vetë. Nuk dua të flas shumë për të. Nuk mendoj se arti ka nevojë për artistin ta përkthejë. Arti fletë vetë. Siç ka thënë edhe Edgar Degas, arti nuk është t’u tregosh njerëzve atë që sheh, por është t’u tregosh atë që nuk shohin, kështu që, çdokush është i lirë të shohë çfarëdo që dëshiron. Arti im është abstrakt, me disa kujtime aty-këtu dhe është mjaft demokratik, në kuptimin që i lejon gjithsecilit të mendojë e të shohë gjith’ çfarë dëshiron.

Me këtë rast, dua edhe t’ju them se kjo ekspozitë dhe shumë nga ajo çfarë bëj nuk do të kishte qenë e mundur pa një mik shumë të dashur e të ngushtë timin, i cili është këtu. Quhet Adi Dule. Është edhe ai vetë një artist. Ka një studio qeramike dhe është ai që vendos temperaturën e furrës, është ai që përgatit baltën e duhur për mua dhe materialet e përshtatshme për porcelanin; është ai që merret me shndërrimin e formave të mia në bronz dhe ai që, në fund, sigurohet që ajo që shihni të varet si duhet, në të kundërt do të ishte thyer.

Dua të falënderoj edhe një mike tjetër të shtrenjtë e të afërt, Albën, e cila është këtu gjithashtu. Ajo është bashkëshoqëruesja ime në transformimin e vizatimeve në letër muri, në kravata, në shalle dhe jam i sigurt që e ardhmja do ta sjellë të bëjmë edhe më shumë gjëra në këtë drejtim, sepse shpresoj se ka jetë edhe përtej politikës.

Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, dua të falënderoj gjithsecilin prej jush që ndodhet këtu për praninë tuaj dhe uroj shumë që të mos pendoheni që keni ardhur e do të kaloni disa momente me ne dhe kur them “ne” ka shumë rëndësi. E dini, modestia nuk është pika ime më e fortë, por më duhet ta pranoj publikisht se nuk do të isha ky që jam pa dikë që kujdeset për mua, që më duron, që më ndihmon me durim të bëhem një njeri më i mirë. Ajo është Linda, gruaja ime, e cila e ka fituar deri më tani garën midis të dyve si artistë, sepse ka krijuar Zahon, që është një kryevepër, për të cilën jam i sigurt që edhe Fidia do të ishte xheloz për Lindën e jo më unë.

Faleminderit. Më duhet të rrëfej, përpara se të mbyll fjalën, se me kaq shumë fjalime sa kam mbajtur, në kaq shumë raste, kurrë, thuajse kurrë nuk jam ndjerë i emocionuar kaq thellë, por sonte jam thellësisht i emocionuar dhe kjo nuk është një fjalë prej politikani, por një rrëfim prej artisti.

Ju faleminderit.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • olta: 22/03/2023 00:46

    SI NUK KE TURP O RAMA QE I NXJERR MICOTAQISIT,,,ZHGARRAVINAT E TUA......LE NAM,,,POR NA FELLIQ DHE NE SI SHQIPTARE.....,MOS E BEJ ME KETE GAFE....BEJ ME MIRE ATO QYPAT,,,ATY JE ME MIRE SE ME KETO ZHGARRAVINA....

    Përgjigju
  • Kasem: 21/03/2023 14:47

    Jemi mesuar me sistemin partiak te diktatures, ku fliste njeri dhe te tjeret degjonin duke duartrokitur, tani kohet kan ndryshuar duartrokasim ne komente.

    Përgjigju
  • ilir: 21/03/2023 12:42

    Pritja qe ju be Rames eshte mese e merituar sepse e ka treguar veten e vet ne syte e te gjitheve

    Përgjigju
  • Alba: 21/03/2023 12:09

    Vertet arti flet vete ska nevoje per fjale ,mire e ka then kryeminister Edi

    Përgjigju
  • Alesia: 21/03/2023 12:00

    jeni nje artist i vertet z.rama.krenohemi me ju

    Përgjigju
  • Kindergarten: 21/03/2023 11:55

    O.M.G La nam.

    Përgjigju
  • titi: 21/03/2023 11:49

    uime per kete super event dhe prezantim te punes tuaj te persosur

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 21/03/2023 11:27

    Me siguri ka pare dokumentarin mbi viziten e babait te tij shpirteror Enverit ne vitin 1978 kur vizitoi krahinen e Dropullit qe tha Une Enveri nuk di greqisht me vjen shume keq qe nuk e mesova gjuhen e bukur greke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri