Ndërkaq, shefi i qeverisë, në një njoftim për shtyp në faqen e kryeministrisë tha se gjatë takimit me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton e siguroi kryediplomaten se zgjedhjet e vitit 2013 do të plotësojnë standardet për të qenë demokratike, duke i drejtuar njëkohësisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës ftesën për të dërguar një numër sa më të madh vëzhguesish.
RAMA: CLINTON E THA QARTE "ZGJEDHJE TE LIRA", TE MPOSHTIM TE KALUAREN
Në një deklaratë për shtyp pas takimit që kryesocialisti zhvilloi sot në “Hotel Sheraton” me Hillary Clinton, theksoi se ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet Parlamentare të qershorit 2013 është jetike.
“Cënimi i besimit tek zgjedhjet nuk duhet të kthehet në humbje të besimit të popullit shqiptar te zgjedhjet. Ndihma e Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim është jetike. Ja pse e nënvizoi qarte në parlament por edhe në takimin me mua, që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme. Kjo është për mua një burim i madh besimi se Shqipëria do ja dalë të dalë nga e kaluara problematike e Zgjedhjeve”, - tha kryesocialisti.
Për Edi Ramën takimi i kryediplomates amerikane me të, ishte një element mjaft i rëndësishëm, pasi siç theksoi ai në falënderimet e tij ndaj Clinton, u dëgjua zëri i opozitës.
“E falënderoj Hillary Clinton për kohën që gjeti për të dëgjuar drejtpërdrejtë zërin e opozitës. Kurrë nuk do të shterojë burimi i mirënjohjes së shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nuk reshtën së mbështeturi Shqipërinë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht Clinton. Mbështetja e palëkundur e shqiptarëve për çdo mision ushtarak apo paqeruajtës në betejën natyrale të tyre për një botë të lirë ”, u shpreh Edi Rama.
Rama u shpreh se gjatë takimit me kryediplomaten i premtoi asaj se Partia Socialiste në qeveri do të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se është domosdoshmëri që Shqipëria të ngrihet në lartësinë e këtij partneriteti me vlerat e SHBA si zgjedhje të lira, institucione të pavarura dhe ekonomi të bazuar në lirinë e konkurrencës.
BERISHA: ZGJEDHJET DO JENE TE LIRA, SHBA TE DERGOJE SA ME SHUME VEZHGUES
“Kryeministri u shpreh se problemet politike tashmë janë tejkaluar dhe se rekomandimet e Komisionit Europian janë përmbushur në masën më të madhe dhe duke shprehur angazhimin e plotë të qeverisë për të miratuar tre ligjet e kërkuara nga BE, shprehu besimin se interesi kombëtar do të mbizotërojë dhe opozita do t’i votojë këto ligje. Kryeministri siguroi Sekretaren Clinton për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare që zgjedhjet e vitit 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike. Ai shprehu besimin se reforma konsensuale zgjedhore dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve do të sigurojnë që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Në këtë kuadër, ai ftoi Sekretaren Clinton që SHBA të dërgojnë një numër sa më të madh vëzhguesish.”, lexohet në njoftimin për shtyp në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Nga ana e saj, kryediplomatja Clinton theksoi se kjo vizitë ishte realizimi i dëshirës për të vizituar Shqipërinë si Sekretare Shteti e SHBA në një moment kaq të rëndësishëm, siç është 100 vjetori i pavarësisë.
Ajo theksoi se SHBA do vazhdojë ta mbështesin Shqipërinë në përparimin e demokracisë, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, zhvillimin ekonomik dhe në përpjekjet e përbashkëta për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit.
“Kryeministri e falenderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen e jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë nga SHBA si partneri dhe aleati më i madh i kombit tonë dhe e siguroi se Shqipëria do të mbetet një aleat besnik i Shteteve të Bashkuara, i gatshëm të qëndrojë në krah të tyre në çdo sfidë dhe kudo në botë. Kryeministri e njohu shkurtimisht Sekretaren Clinton me përpjekjet dhe reformat e qeverisë shqiptare për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin dhe përparimin ekonomik, social, shëndetësor etj. dhe vlerësoi lart ndihmën e SHBA në këtë drejtim.”, vijon më tej njoftimi.
(Gre.M/Shqiptarja.com)