Rama: Çoroditja e rinisë vjen
vetëm nga varfëria e aspiratave

Rama: Çoroditja e rinisë vjen <br />vetëm nga varfëria e aspiratave
TIRANË – Partia Socialiste shpalosur gjerësish sot, sërish, programin e saj për fëmijët dhe familjen, në një tryezë të kryesuar nga kreu i PS-së, Edi Rama, shoqëruar nga intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë.

Kryetari i PS-së i ka mëshuar fort në fjalën e tij, rëndësisë së depolitizimit të shkollës, ku praktika e marrjes peng të trupës mësimore dhe nxënësve nga drejtori të konsiderohet si vepër penale. Ai ngriti një seri çështjes, duke filluar nga më kryesorja, ajo e fëmijëve që po rriten në një shoqëri të "çoroditur".

RAMA:  A E DINI PSE FEMIJET KANË GJITHË KËTO PROBLEME?

"Ju vërtetë mendoni që varfëria ekonomike është arsyeja pse sot Shqipëria është në këtë gjendje dhe pse fëmijët sot kanë gjithë këto probleme që ju shprehët?" - pyeti Rama. - "Sigurisht, që varfëria ekonomike është një problem shumë i madh dhe Shqipëria është një vend i varfër, është vendi më i varfër i Europës, por duke vazhduar arsyetimin, unë do ju ftoja që të parafytyronim për një moment një kullë në një fshat të Shqipërisë në veri, 100 vjet përpara. Nga pikëpamja ekonomike nuk mund të thuhet se gjendja në këtë kullë është më e mirë sesa sot.

Atëherë, pse fëmijët e asaj kulle janë më të edukuar, pse fëmijët në atë kullë dinë si të sillen me më të rriturit, dinë se çfarë do të bëjnë gjatë ditës, dinë se cilat janë vlerat dhe parimet e familjes ku ata kanë lindur dhe po rriten në fshatin e tyre, pa lidhje fare me botën.

Shqipëria më e varfër ka qenë, por Shqipëria më e çoroditur nuk ka qenë asnjëherë. Për këtë mjafton të shikojmë se me çfarë ballafaqohemi sot, në kushtet kur, normalisht, me të drejtë, do të mendonim që për shkak se ka kaq shumë instrumente në dispozicionin tonë, ballafaqimet me plagët sociale do duhej të ishin shumë më të tolerueshme.

E kundërta është e vërtetë. Shikoni arkitekturën. Shikoni si ndërtojnë sot shqiptarët dhe si ndërtonin 100 vjet më përpara. Kush ju duken më të bukura, shtëpitë e vjetra të Himarës apo shtëpitë e reja pa leje? Si ka mundësi? Shtëpitë e reja pa leje i ndërtojnë edhe njerëz që kanë parë edhe botë me sy. Shtëpitë e vjetra i kanë ndërtuar njerëz të cilët nuk e kanë parë kurrë botën përtej fshatit të tyre...e me radhë. Në të gjitha aspektet e këtij mozaiku krahasimor kohësh, ne jemi të detyruar të gjejmë se çfarë realisht sot e bën kaq të vështirë dhe kaq të komplikuar situatën sociale në Shqipëri. Është e lehtë të flasësh dhe të thuash duhen strategji, duhen buxhete.

Shqipërisë nuk i kanë munguar strategjitë. Përkundrazi! Besoj unë, në Europë, ku është vendi që burokracia ka arritur nivelet e veta më të larta, nuk ka aq strategji sa ka në Shqipëri nga pikëpamja se çfarë është e shkruar në letër. Në Shqipëri ka strategji të panumërta të shkruara në letër madje Shqipëria është i vetmi vend që unë njoh ku brenda të njëjtës forcë politike, brenda të njëjtit mandat qeverisës, dy ministra të ndryshëm në të njëjtës ministri kanë dy strategji të ndryshme zhvillimi që janë rrugë krejt të ndryshme zhvillimi të një fushe.

ÇFARË DO TË JETË SHQIPËRIA, KUR FËMIJËT RRITEN NË KËTË ÇORODI?!

Shqipëria, sot, ka përballë një të panjohur shumë të madhe. Të panjohurën se çfarë do të jetë Shqipëria kur këta fëmijë që sot rriten në këtë çorodi, do duhet të marrin në dorë jetën e tyre. Çfarë do të jetë Shqipëria në shërbimin shëndetësor kur këta studentë që marrin diplomën, sepse paguajnë dhe që nuk marrin mësim, do të jenë mjekët e Shqipërisë së nesërme. Kështu me radhë, në të gjitha aspektet për të mos shkuar pastaj aty ku është pika më e dobët, tek mësuesit.

Sot kemi në mesatare, e besoj këtu biem të gjithë dakord, nivelin më të ulët të mësuesisë qëkurse Shqipëria ka pasur mësues. Nga ana tjetër sot ne kemi një shkollë ku politika po hap një zgavër shumë të madhe. Një zgavër që po thith një gjeneratë të tërë fëmijësh dhe të rinjsh në një errësirë të frikshme. Si?! Jo thjesht me pjesën që je me parti s’je me parti, por me energjitë negative që përçon përmes politizimit të shkollës. Është e gjitha një energji negative, sepse është një politizim i dhunshëm, nuk është një ideologjizim i shkollës për një funksion sistemik. Është një politizim i dhunshëm. Është politizimi që dhunon mësuesin dhe mësuesi përballë nxënësit, përballë fëmijës, është një qenie e dhunuar që e transmeton të qenurit i dhunuar. E, që, në radhë të parë, e reflekton këtë si një personazh pa autoritet, i demotivuar.

VARFËRIA E ASPIRATAVE SJELL VARFËRINË EKONOMIKE SI FATALITET

Nga ana tjetër cilat janë alternativat?! Bingot, bastet, lotot, bixhozi në përmasa që asnjë vend europian jo e jo, por asnjë vend minimalisht demokratik në botë nuk i ka. Këto janë përmasa të paimagjinueshme që fëmijë të mitur dynden nëpër bingo, që fëmijë nën moshën 16 vjeç dynden nëpër loto, luajnë bixhoz me makina, hidh qindarka. Nuk është varfëria, është një varfëri tjetër, është varfëria e aspiratave për të ndërtuar një bashkëjetesë të denjë.

Kjo varfëri aspiratash sjell varfërinë ekonomike si fatalitet, jo varfërinë ekonomike si një gjendje e pranuar për shkak të kushteve dhe të kufijve, por si një fatalitet të imponuar. Gjë e që e bën prindin t’i dorëzohet këtij fataliteti dhe nga ky moment të justifikojë shkeljen e të gjitha normave dhe të gjitha vlerave në emër të mbijetesës. Po a nuk është ky një reflektim i drejtpërdrejtë i shembujve që njerëzit marrin nga politika, sepse këtu ne jetojmë në një shoqëri ku heronjtë janë politikanët, nuk janë as shkencëtarët, nuk janë as sportistët që marrin medalje ari nëpër olimpiada apo nëpër kampionate, nuk janë as këngëtarët që tundin botën.

Këtu heronjtë janë politikanët dhe shembulli përçohet nëpërmjet tyre. Kur ky shembull është i pranishëm në formën e dhunës verbale, në formën e një justifikimi të çdo mjeti për të realizuar qëllimin përmes abuzimit me detyrën, përmes shpërdorimit të funksionit, përmes shkatërrimit të marrëdhënieve të komunikimit, atëherë kjo e gjitha reflekton poshtë.

"DO TË FILLOJMË NDRYSHIMIN NGA DEPOLITIZIMI I SHKOLLAVE"

Është shumë e rëndë dhe shumë serioze kjo temë për të qenë një moment dhe për të thënë, ne, Partia Socialiste do bëjmë këtë e do bëjmë atë, sepse do të ishte abuzim. Por, ajo që sigurisht ne do bëjmë dhe që pa asnjë dyshim unë besoj se do të fillojë të çlirojë një energji pozitive është në radhë të parë lufta me varfërinë e aspiratave. Lufta me varfërinë e aspiratave e materializuar në çdo hap kundër cinizmit të pushtetit, kur ne të jemi në qeveri. Duke filluar nga depolitizimi i menjëhershëm i shkollës, nga vendosja e qartë e kufirit mes politikës, pushtetit dhe shkollës.
 
Për këtë arsye duhet që të nxisim komunitetin e prindërve, po them të shkollës “11 janari” që prindërit në komunitetin e prindërve që kanë fëmijë në atë shkollë të angazhohen në një asamble, në një përfaqësi, e cila të zgjedh përfaqësuesit e vet sipas programit që ne do të ndërtojmë për të qenë prezentë bashkë me ekspertët e caktuar në rekrutimin e mësuesve. Çdo mësues duhet të jetë përballë këtij komisioni të përbërë nga përfaqësues të qeverisë kombëtare, përfaqësues të qeverisë vendore, përfaqësues të komunitetit të prindërve dhe duhet të përgjigjet jo vetëm për çfarë di, por dhe si di të sillet, si di të komunikojë dhe sa prind është në mënyrën sesi komunikon, në mënyrë që të marrë aprovimin e gjithë kësaj përfaqësie për të qenë kujdestar i fëmijëve. E para.

E dyta, shkolla duhet të informojë me shkrim në mënyrë të rregullt çdo prind, çdo familje për fëmijën, për ecurinë në mësime, për ecurinë në procesin e edukimit, për vijën e sjelljes. Çdo fëmijë duhet të ketë historikun e tij të shkruar të arkivuar në shkollë dhe nga çdo klasë hap pas hapi ky historik të kalojë nga një mësues tek një tjetër, nga një grup mësuesish tek grupi tjetër i mësuesve, që t’i trajtojnë fëmijët si subjekte individuale.

MËSUESIT DUHET TË KALOJNË TESTIN PROFESIONAL DHE ATË TE PRINDËRVE

Mësuesi pas çdo vitit duhet të kalojë testin. Ka qenë i suksesshëm apo i pasuksesshëm, e ka përmbushur apo jo misionin e tij dhe e a e meriton apo jo rikonfirmimin nga kjo trupë. Kjo trupë duhet të garantojë që pushteti për arsye politike të mos futet dot në oborrin e shkollës. Një drejtor shkolle, i cili merr me zor trupën mësimore, merr me zor fëmijët e shkollës dhe i çon në miting duhet të shkojë në burg për një krim.

SHKOLLA DO TË SHNDRROHET NË QËNDËR KOMUNITARE

Qendër komunitare do të thotë që shkolla duhet të krijojë kushte edhe për jetë komunitare përmes sportit, përmes artit, përmes aktiviteteve sociale, përmes shërbimit në komunitet. Kur do t’ua mësojmë ne të rinjve shqiptarë vullnetarizmin? Kur? Pasi të kenë kaluar specializimet nëpër bingo dhe nëpër loto, do t’u themi ne vullnetarizohuni për të ndihmuar të moshuarit? Vullnetarizimi është një kulturë, që duhet mbjellë tek më të vegjlit, ashtu sikundër qarkullimi është një kulturë që duhet të mbjellim tek më të vegjlit. Se nuk ja mëson dot rregullat e qarkullimit një njeriu që i duket vetja hero kur i shkel ato, por fillon nga më të vegjlit. Kjo është historia e të gjithë vendeve që e kanë zhvilluar vullnetarizmin në funksion të respektit ndaj ligjit, jo si frikë, por si vetëdije. Shqipëria është e mbytur nga plehrat. Bëni sa të doni propagandë. Nuk funksionon. “Punoni me fëmijët që të mos i lënë prindërit të hedhin plehra në tokë”. Këtë nuk e them unë, por kjo është përmbajtja e një fushate që ka mbetur në histori në Kanada, 40 vjet përpara, kur qeveria bëri aleancë me fëmijët për t’i dhënë fund shpërdorimit të mjedisit dhe pas 10 vjetësh ndryshoi faqen e vendit.

FËMIJËT E BRAKTISUR...TË GJITHË JEMI TË BRAKTISUR

Tani të vijmë te fëmijët e braktisur. Këtu të braktisur janë të gjithë. Këtu nuk është problemi që janë mirë të tjerët, që ka një gjendje normale për të tjerët dhe mbetën romët. Këtu trajtohen me të njëjtën barbari si fëmija i Mentorit, si fëmija i braktisur dhe për ç’arsye? Se ai shkon në shkollë dhe i thonë ‘sot do shkojmë se vjen xhaxhi Saliu edhe do na tregojë se si opozita po na bllokon qumështin për ju’. Ndërsa ai fëmija rom nuk shkon në shkollë fare dhe në një kuptim është më i lirë se nuk e marrin dot në miting me zor. Duhet ndërtuar një politikë, e cila të jetë funksionale, jo strategji dhe buxhete që ikin.

Duhet të garantohet çdo njeri, që jo kur jep mësim, jo në oborrin e shkollës, por në kohën e lirë të shkojë të takohet me opozitën dhe të bëjë çfarë të dojë. Është liria e tij. Të mos ndëshkohet pse u takua me opozitën.

Shkon kryeministri në një universitet, lë universiteti mësimin dhe dalin e duartrokasin kryeministrin ndërkohë që kryetari i opozitës nuk i afrohet dot universitetit.

Çfarë është kjo?! Kujt i shërben kjo?! Me kë komunikojnë mësuesit, me kë komunikojnë pedagogët e universitetit, kujt i flasin? Për çfarë për të duartrokitur kryeministrin. Kjo duhet të ndryshojë!

Si do të rregullojmë ne gjendjen e fëmijëve kur kemi gjendjen e prindërve kaq të rëndë demokratikisht dhe psikologjikisht. Pa çliruar prindërit, do shpëtojmë fëmijët ne? Po si ndodh kjo?! Si mund të ndodhë kur fëmija i vogël dëgjon në shtëpi babain që i thotë nënës, kujdes se mos thua ndonjë fjalë se me rrogën tënde po jetojmë. Çfarë mund të mendojë fëmija, njeri i lirë mund të dalë ai?!

E fundit që doja të nënvizoja është. Kemi bërë një takim me persona me aftësi të kufizuara. Unë nuk besoj që ka grup interesi apo grup shoqëror që të jetë në gjendje më të keqe, përveç atyre jetimëve 50 vjeç. Që dhe ata janë prapë dëshmitarë të një varfërie të madhe aspiratash të vetë politikës dhe të qeverisë. Se të shkojë njeriu 50 vjeç dhe të thotë ‘pse nuk më mbani se unë jam jetim kjo nuk shkon, por ama nuk është faji i tij’. Është gjithë skema e falimentuar e lëmoshës. Jetimët po, kanë një lëmoshë që pastaj kur buxheti është i shtrënguar s’ua japin fare. Personat me aftësi të kufizuar kanë një lëmoshë që quhet ndihma ekonomike.

Megjithëse janë grupi më i diskriminuar, e dini cila ishte gjëja kryesore që ata kërkonin nga ne. Ishte që ne t’ju kthejmë të drejtën e dëgjimit. Që do të thotë një ligj i cili përcaktonte detyrimin e qeverisë që në çdo vendimmarrje që lidhet me ta t’i dëgjonte dhe që u anulua nga këta se këta s’kanë nge më as të bëjnë sikur dëgjojnë jo më të zgjidhin ndonjë problem, të rikthehet.

Format e vrasjeve të grave në dy vitet e fundit janë të padëgjuara në gojëdhënat e këtij vendi, janë shprehje të një shpartallimi social dhe psikologjik, që ne duhet ta përballim. Duke kuptuar që të gjithë përfundimisht që përpara se të jesh votues je prind përpara se të jesh votues je njeri që ke disa kërkesa që nuk lidhen më ty personalisht, por lidhen me kushtet që t’i duhet të kesh për t’i plotësuar ato kërkesa.

Përpara sesa të jesh votues je burrë ose grua, je i moshuar ose i ri, je pjesë e një grupi apo e një grupi tjetër interesi dhe janë këto që e përcaktojnë votën tënde. Dhe kur ti këto i harron dhe thua unë do t’i rri besnik partisë time edhe sikur partia ime të na çojë në esfel atëherë t’i meriton esfel-in.

Njerëz që thonë që ne nuk i dorëzohemi ‘komunistëve’ sot në shekullin e 21 dhe jetojnë në mizabirilitet social, jetojnë të tradhtuar nga mëngjesi deri në darkë në ato kërkesa minimale që kanë, jetojnë në një shtëpi që kanë 20 vjet dhe nuk e gëzojnë dot se kanë ankthin do na e prishin s’do na e prishin dhe prapë votojnë po aty, atëherë meritojnë këtë stres dhe këtë ankth, por ç’është më e keqja harrojnë se janë prindër dhe se fëmijëve të tyre po u lënë pas mallkimin e të qenit tifozë të një partie në pushtet që i sheh jo si njerëz, por i sheh si zgjedhës.

Ky është ndryshimi themelor mes meje dhe Saliut, mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike që për mua njerëzit janë njerëz dhe nuk janë zgjedhës, për Saliun njerëzit janë zgjedhës nuk janë njerëz. Kush pranon statusin e zgjedhësit në dëm të statusit të njeriut le të votojë Saliun. Kush do statusin e njeriut le ta përdorë statusin e zgjedhësit për të larguar Saliun dhe për të votuar Partinë Socialiste", - përfundoi Rama.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës