Në nisje të episodit të radhës të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama përmblodhi zhvillimet kryesore të javës që lamë pas, me fokus tek ecuria pozitive e ekonomisë dhe perspektiva e rritjes në vitet e ardhshme, masat për përmirësimin e trajtimit financiar të forcave të armatosura, si dhe vlerësimet ndërkombëtare për vendin, përfshirë raportin e Freedom House dhe renditjen në fushën e sigurisë kibernetike.

Për rritjen e çmimit të naftës, Rama solli në vëmendje që është "ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg". Ai tha se "nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep".

Kreu i qeverisë përsëriti se është marrë "një vendim tjetër për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %", si dhe që ajo "na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët".

Rama u shpreh se "Shqipëria vazhdon me një ritëm të qëndrueshëm rritje ekonomike, duke u pozicionuar ndër vendet me performancën më të lartë për vitet në vijim, sipas parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare". Ai shtoi se "në Shqipërinë 2030 pritet një rritje prej rreth 32%  e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar".

Numri një i ekzekutivit foli edhe për rritjen e kompensimeve për ushtarakët.

"Kur miratuam buxhetin e vitit 2026, vendosëm t'i japim mbrojtjes afro 12% më shumë fonde sesa viti i mëparshëm, gjë që ishte natyrisht edhe rezultati i angazhimit tonë për t'i qëndruar skedulës së rritjes së financimeve të vendeve të NATO-s, por edhe për t'i qëndruar zotimit për një trajtim gjithnjë e më dinjitoz të forcave tona të armatosura. Në fund të shkurtit, vendosëm dhe rritjen e pagave për ushtarakët, me një efekt të drejtpërdrejtë nga janari dhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, kemi miratuar dhe mbulimin e kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv. Ky është një hap i shumëpritur dhe i mirëpritur nga të gjithë ata, që nën uniformën e Forcave tona të Armatosura i shërbejnë vendit në çdo front dhe synimi ynë mbetet një pagë konkurruese dhe një trajtim financiar, që deri në fund të këtij mandati do të jetë në mesataren e vendeve të NATO-s. E thënë ndryshe deri në fund të këtij mandati, objektivi i  parashikuar dhe në ndërkohë i përkthyer në një plan rritje të pagës, është që paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet me deri në 70 %",- tha Rama.

Shqipëria mori një vlerësim pozitiv nga raporti i Freedom House, i cili është një raport ndërkombëtar për lirinë në botë. Sipas këtij raporti, vendi ynë ka shënuar, jo vetëm një përmirësim në raport me më parë, por është renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë.

"Ndërkohë që, edhe në aspektin e të drejtave politike dhe funksionimit të institucioneve, progresi është i dukshëm, ashtu siç vlerësohen edhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe në transformimin e sistemit të drejtësisë. Por, ajo që e bën këtë rezultat më domethënës është fakti se kjo vjen në një kohë kur në nivel global liria dhe demokracia janë nën presion dhe në rënie në shumë vende të botës",- tha Rama.