SUKTH- Kryeministri Edi Rama dhe ministri i shtetit Arben Ahmetaj kanë inspektuar ditën e sotme punimet në një prej kantiereve të ndërtimit e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtin "Njazi Mastori", i cila u dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se të gjitha shkollat që morën dëme dhe janë të financuara nga buxheti i shtetit kanë nisur punimet, janë kantier ndërtimi dhe do të çelin dyert më 26 nëntor.

“Tanimë shkollat e reja të financuara nga buxheti i shtetit janë në kantier dhe kudo ku tërmeti i 26 nëntorit goditi arsimin, duke shkatërruar shkollat e vjetra, po ngremë një infrastrukturë moderne, me standardet më të larta të sigurisë e me kushte optimale për nxënësit e mësuesit. Një pjesë e konsiderueshme e shkollave të reja do të hapin dyert në 26 nëntor dhe në përfundim të kësaj Rilindjeje shembullore nga gërmadhat e 26 nëntorit tragjik të vitit të shkuar, do të kemi 140 shkolla e kopshte të reja, më të forta, më të mira, e natyrisht më të bukura se ato që humbëm në fatkeqësinë e vitit të shkuar”, pohoi ai.

Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj bëri me dije se brenda kësaj jave hapet faza e dytë për tenderimin e njësive individuale. “65 mln euro po shkojnë për shkolla. Dy lajme të mira, edhe Fondi Shqiptar i zhvillimit dhe bashkia e Tiranës, hapin fazën e dytë të tenderimit të njësive individuale. Pra nëse shkon mirë, për 7-8 ditë do të jetë gati kontrata individuale”, tha ai. Megjithatë, Ahhmetaj nuk është ndalur vetëm me inspektime. Për disa minuta, ai është shndërruar në punëtor i këtij kantieri, ka marrë në dorë lopatën e ka mbushur me llaç e më pas e ka hedhur në karrocën e punëtorit dhe ka ngulur disa gozhda.

Ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj merr lopatën e sqeparin