Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta prezantuan sot kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Vlorës, mjekun Dritan Leli.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama theksoi se me investimet që qeveria po bën në qytetin bregdetar po i jep një mesazh të mirë mbeturinave të fashizmit dhe se koalicioni i majtë mbetet i vendosur për të ecur në drejtimin duhur.
"Është dita që këtu në Vlorë ti japim një mesazh të qartë mbeturinave të fashizmit që vazhdon të mbetet një kërcënim për qytetërimin tonë, se ne jemi të vendosur të ecim në drejtimin duhur dhe ata t'ia lemë histories", tha Rama.
Sot, vijoi Kryeministri, "pamë kantierin për "By Pass-in" e Vlorës. Pas kaq shumë vitesh ky kantier është i hapur, 400 vende të reja pune janë krijuar dhe perspektiva është që në vijim të kemi 650 vende pune".
"Nga ana tjetër kemi kantierin e Trans-Ballkaniken që më në fund do bëhet realitet dhe do lidhë Vlorën me autostradën, se deri dje ishte katandisur si xhep fals, për të na kujtuar se kush e qeverisi këtë vend për 8 vite të shkuara duke i lënë rrugët rrugëve. Projekti i By Passit u pa nga fillimi sepse nuk përmbushte asnjë standard dhe sillte një dëm të konsiderueshëm mjedisor", u shpreh Rama.
Kryeministri bëri me dije se do të fillojë projekti për lumin e Vlorës. "Do të fillojmë projektin për lumin e Vlorës, për të cilin kemi marrë financimin nga fondi kuvajtian për zhvillim. Është një volum investimesh që shkon përtej 100 milionë euro nëse i marrim sëbashku. Edhe unë kam një pjesë të gjakut tim nga kjo zonë dhe e di se vlonjatët janë njerëz që nuk durojnë një minutë dhe jo vite", tha Rama, duke shtuar se "Projekti i "Lungo Mares" është në drejtimin e duhur".
vijon
/atsh/