Rama: Kuvendi të vlerësojë nëse instituti i studimeve të krimeve të komunizmit ka shkelur ligjin (VIDEO)

Gjatë fjalës së tij, gjatë takimit me shoqatat e veteranëve ndër të tjera kreu i qeverisë u ndal edhe tek kthimi i eshtarve të Mid'hat Frashëri pak  muaj më parë në Shqipëri, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me rolin e tij gjatë luftës anti fashtiste.

Rama u shpreh se do e bënte sërish një gjë të tillë, pasi sipas tij duhet të ndahet historia e vërtetë dhe ajo e shkruar nga 'fitimtarët' e komunizimit. 

Kryeministri kërkoi nga Kuvendi të vlerësojë nëse Agron Tufa dhe instituti i studimeve të krimeve të komunizmit kanë shkelur ligjin me botimet  e tyre ku akuzon figura të luftës çlirimtare. Rama tha se PS nuk ngatërron gjakun e luftëtarëve, me gjakderdhjen e diktaturës.

"Edhe diçka për një merak që u tha edhe këtu. Unë do ta bëja prapë, edhe një herë, njësoj, ceremoninë për Mit’had Frashërin, që të jemi të qartë. Jo sepse unë kam ndonjë dilemë. Nuk kam dilemë lidhur me kufirin që ndan qartësisht patriotët nga bashkëpunëtorët e nazizmit, por sepse unë nuk i besoj historisë së shkruar nga fitimtarët. Unë i besoj domosdoshmërisë që ne ta kapërcejmë atë histori, duke mos rënë kurrë në grackën e asnjë rehabilitimi të bashkëpunëtorëve të fashizmit e të nazizmit, si dhe duke mos lejuar atë që me të drejtë u tha këtu, që në emër të studimeve të krimeve të komunizmit të cenohet një fije floku cilitdo që mori armën për të luftuar nazistët dhe fashistët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Në këtë aspekt, qëndrimi im është shumë i qartë e i palëkundur. Çfarë ndodhi e si ndodhi në pikëpamje të luftës për çlirim deri në 29 nëntor të vitit 1944 nuk mund të jetë kurrë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas, ka qenë objekt i punës së atij instituti e i takon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë të gjitha vlerësimet e nevojshme, në raport me ligjin, apo me shkeljen e ligjit, në raport me dobinë, apo me dëmin e shkaktuar nga një i tillë institut.

Besoj që nuk ka nevojë të zgjatem në “pse”-në e të gjitha arsyeve që i kam dhënë shumë sinqerisht dhe shumë drejtpërdrejtë, lidhur me atë ceremoni, por më lejoni t’ju them vetëm një gjë, nuk e vlerësojmë si duhet luftën antifashiste, nuk e vlerësojmë si duhet gjakun e dëshmorëve, nëse i hyjmë në hak kujtdo që ka qenë në një pozicion të ndryshëm dhe ka synuar të njëjtën gjë, çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj. Pastaj vija është e qartë, nuk ka asnjë ekuivok. Ne kurrë nuk kemi qenë, kurrë nuk jemi e kurrë nuk do të jemi si socialistë, të gatshëm të mbyllim sytë përpara asnjë vepre kolaboracionizmi dhe para asnjë kolaboracionisti që e ka kërkuar rrugën qorre dhe pikërisht sepse ka hyrë në rrugën qorre, nuk ka vend në nderimet tona. Por të vërtetat janë pak më komplekse, kur vjen puna në figura të caktuara e për çështje të caktuara dhe është mirë që sot ne t’i ndajmë ato me sa mundemi, që të mos ua trashëgojmë brezave të tjerë, asgjë nga e keqja që regjimi komunist futi në historinë e shkruar nga fitimtaret" u shpreh kryeministri.  


Lajmi kryesor:

Rama: Nuk mund të ngatërrohet lufta Anti-Fashiste me gjakun e pafajshëm të derdhur nga regjimi


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë