"Do ta shkulim kulturën e reprecionit nga të gjitha bizneset dhe do t’a rikonceptojmë sistemin e gjobave mbi kulturën e respektimit të ligjit. Ndërkohë që vetë FMN-ja nënvizon se Qeveria i shmangur përgjegjësisë për kontrollet dhe gjobat e shpeshta, që kanë vetëm një arsye, keqqeverisjen, 4 876 subjekte janë gjobitur me gjoba marramendëse, që përbëjnë 350% të të ardhurave të biznesve.
280 milionë dollarë është gjoba, që i rëndon biznesve. Përtej gjobës, si fakt financiar, qëndron e gjithë barra e presionit psikologjik mbi bizneset. Vazhdon presioni, pa asnjë ndryshim pas ankesave të hapura publike të biznesit dhe mosreagimi i qeverisë është absolutisht i qëllimshëm në këndvështrimin tonë," - tha Rama.
"Jo më pak se 150 milionë euro është shuma e mbledhur për shkak të vonesave në rembursimin e tvsh-së, bizneseve. Ky është një shqetësim që shkon në rritje për perspektivën e sipërmarrjes, për çdo biznes që nuk është i lidhur me "oborrin e qeverisë".
Çfarë kemi parashikuar ne? Ne kemi bërë të qartë senuk e pranojnë sistemin aktual të taksimit. Për ne, taksa e sheshtë kështu siç është konvertuar përbën një parimësi që nuk përputhet me vizionin dhe vlerat tonë, ndërkohë që progresiviteti përbën një vlerë të pazëvendësueshme.
Ne do ta ndryshojmë sistemin e taksimit duke e hequr barrën e taksës së sheshtë nga të ardhurat personale. Kush fiton më pak do paguajë më pak, kush fiton më shumë, do fitojë më shumë. Gjëja e parë në krye të punëve ku ne besojmë se do jemi pas 23 qershorit do të jetë çlirimi i biznesit nga gjithë këto zinxhirë, hallka, mekanzma mbytës që e kanë sjellë ekonominë shqiptare në këtë derexhe. Do të mbështesim sektorët prodhues, që nxisin punësimin, sektorët e eksplorimit të naftës, të bujqësisë etj. Pra që nxisin ciklet e plota të prodhimit.
RAMA: I NJOHIM KOMPANITË E KRYEMINISTRIT, QË JANË TË PËRJASHTUARA NGA DETYRIMET
Gjatë bashkëbisedimit me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Rama tha "Nuk kemi arritur ende në atë fazë të demokracisë që ju ta thoni në TV, por që e dëgjojmë çdo ditë, për ato kompani klienteliste të Kryeministrit që nuk paguajnë asgjë. Për shembull, dje, me bordin e fasonëve, dëgjuam për një kompani të vetme që është e përjashtuar nga të gjitha detyrimet që të tjerët duhet të paguajnë një për një. Ne nuk duam të ndërrojmë disa të preferuar me disa të preferuar të tjerë, ndaj thashë se deri në fund të vitit ne do të qëndrojmë në këtë nivel taksimi për ndërmarrjet, sepse na duhen tre muaj të paktën të bëjmë ndryshimet strukturore e t’ju japim provat se do keni një qeveri që do t’ju shërbejë, dhe jo t’ju rrëmbejë".
HEQJA E TVSH PËR MAKINERI E PAJISJE
“Ne e propozuam rreth 1 vit më përpara edhe në bazë të bisedave që bëmë bashkarisht, u refuzua, u tha që kjo TVSH nuk mund të hiqet, pastaj së fundmi u tha që do bëhet, por mbi 500 mijë dollarë me një listë të përcaktuar që do të marrësh makineri pa TVSH shko merr nga kjo listë. Sipas të gjitha të dhënave lista është klienteliste, për të nxjerrë përfitime nga marrëdhënie me kompanitë që kanë futur në listë emrat e makinerive dhe praktikisht, sot e gjithë ditën kjo është e pazbatuar”.
SISTEMI TATIMOR
“Ngaqë nuk paguajnë të gjitha, ju nuk paguani vetëm taksa, paguani dhe gjoba. Nga gjobat, shto dhe të tjerat që ju s’i thoni, por që ju i paguani dhe ato, ai tatimi shkon 20, e 30, e 40, e deri 300%. Ne kemi takuar kompani që ju shkon 300%. Ne do të vendosim rregulla loje të vlefshme dhe të barabarta për të gjithë, të vendosim një sistem ku ta mbështesim rritjen e prodhimit”.
RRITJA E PUNËSIMIT
“Në raport me biznesin tuaj me sektorin tuaj do të bëjmë një marrëveshje. Shteti ka nevojë të rrisë punësimin. Ne kemi një program për të rritur punësimin në mënyrë të konsiderueshme. Ju keni interes të zhvilloni sektorin, duke hyrë në një fazë të re të ciklit të mbyllur këtu. Për këtë ju duhet mbështetje financiare dhe kjo mbështetje financiare duhet të jetë e kombinuar midis interesit tonë për të rritur punësimin dhe interesit tuaj për të pasur mbështetje financiare”.
NDIHMA EKONOMIKE
“Ideja jonë është që të kalojmë nga ndihma ekonomike pasive, që është një lëmoshë dhe që është e abuzuar egërsisht politikisht për arsye elektorale, tek mbështetja ekonomike aktive nëpërmjet punës. Në qoftë se je i papunë, apo e papunë, ne nuk kemi pse të të mbajmë peng me një lëmoshë, por ne të japim mundësinë të punosh, duke marrë më shumë se sa ç’merr me ndihmën e ekonomike, por duke dhënë edhe një kontribut për ekonominë dhe për shoqërinë”.
MEDIAT KËRKOJNË PERJASHTIMIN NGA PAGESA E TVSH
Përfaqësues të medias kanë ngritur problemin e tvsh-së së lartë që duhet të paguajnë, në një kohë kur ligji thuhet se I përjashton. Mirëpo nuk ëhstë ky realiteti. Njeri prej përfaqësuesve tha se “TV që drejtoj unë, prej 6 muajsh ka bërë një investim 2 milionë eurosh, kemi blerë pajisje nga jashtë. Por, për to kërkohen 400 mijë euro tvsh. Ku është përjashtimi për ne?! Nga ana tjetër, mediat e shkruara e blejnë letrën nga jashtë dhe paguajnë tvsh? Pra, mediat thuhet se janë të përjashtuara, por realisht paguajnë tvsh”.
“Këtu u fol për të gjitha llojet e biznesve”, - tha ky përfaqësues, -“ por gjykoj se mediat duhet të kenë lehtësira në krahasim me bizneset e tjera. Do kërkoja që në programin tuaj të shihet trajtimi i tvsh-së për mediat. Nga ana tjetër, lemi problem të drejtat e autorit. Ato janë kthyer në makth. Radiot janë drejt zhdukjes në rast se do vazhdojë ky presion mbi të drejtat e autorit. Në filmat e vjetër, që transmetohen, kërkohet e drejta e autorit nga të gjithë, edhe nga interpretuesit. Pra, duhet të ketë një rregull në gjithë këtë.
Gjithashtu, edhe kushtet për reklamat duhet të ndryshojnë. Thuajse të gjitha mediat janë kombëtare dhe ndërkombëtare, por është turp që një gazetë me 200 Kopje të shpëndajë 2-3 kopje në rrethe, të quhet kombëtare e të marrë gjithë reklamat”.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)