Në një takim të gjerë në Tiranë me krerët e bashkive dhe deputetët socialistë të zonave bregdetare, Rama tha: “Kërkova që të takohemi dhe me praninë e mediave për të folur për një problematikë shumë të nxehtë dhe shumë serioze për qytetarët në këtë fazë vere, por edhe ndryshimi të qeverive, në territoret e plazheve. Dëshirova që të jemi këtu bashkërisht me drejtuesit vendorë të Partisë Socialiste që drejtojnë bashki dhe komunat në vijën bregdetare, edhe me deputetë që kanë përgjegjësi që lidhen me qytetarët që banojnë në këto zona, por dhe me qytetarët që vijnë në këto zona, për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjence për disa çështje, të cilat kanë ndjeshmëri të lartë publike dhe pengojnë seriozisht zhvillimin normal qoftë të pushimeve, por edhe të vendit përmes zhvillimit të vijës bregdetare.
Po e nis nga e para për të kërkuar edhe opinionet tuaja dhe për të gjetur një dakordësi të menjëhershme lidhur me çështjen e administrimit të territorit të plazhit. Ka shumë ankesa, në këndvështrimin tim të drejta, të qytetarëve për uzurpime dhe privatizime de fakto të këtyre territoreve. Ka praktika normale të pushtetit vendor për të dhënë hapësirë për shfrytëzim duke vendosur në dispozicion të pushuesve një infrastrukturë të caktuar me pagesë, por kjo nuk nënkuptim pushtimin dhe mbylljen e atij territori për gjithë të tjerët. Ashtu sikurse ka plot raste që njerëzit ankohen për gardhe dhe mure që bllokojnë territoret e plazheve.
E dyta, sigurisht jo më e parëndësishme, por që lidhet sa me këto dy muaj aq edhe me katër vite, është gjendja skandaloze, alarmante, katastrofike e ndërtimeve pa leje në gjithë vijën bregdetare nga veriu në jug. Ndërtime pa leje që në këtë periudhë kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm për pasojë të këtij vakumi, po themi, në periudhën e ndërrimit të qeverisë. Ndërtime pa leje që kanë pësuar zhvillime të mëdha edhe për shkak të moskoordinimit mes pushtetit vendor me autoritetet qendrore, por në kushtet në të cilat flasim nuk kemi asnjë justifikim për të bërë sehir. Duhet të veprojmë me shpejtësi dhe me forcë për t’i hedhur përtokë të gjitha ndërtimet që janë në zhvillim e sipër dhe për të ndalur një orë e më parë këtë dallgë të madhe ilegaliteti, që dëmton prona private dhe prona publike.
Këto të dyja janë çështjet për t’u diskutuar dhe këto të dyja janë pikat më të nxehta. Mund të ketë edhe të tjera, që mund të dalin në diskutim, kështu që jeni të lirë të merrni fjalën për të çuar përpara një bashkëbisedim të hapur në mënyrë që qytetarët të dëgjojnë çfarë shqetësimesh dhe pengesash ka pasur dhe në mënyrë që të marrim të gjitha masat që ai aksion, i cili sapo ka filluar në Vlorë, të shtrihet në gjithë vijën bregdetare të vendit,"- ftoi Rama, duke ia lënë fjalën deputetëve të këtyre zonave dhe pushtetarëve lokalë.
KONKLUZIONET: DO TE HIDHET NE TOKE ÇDO KARABINA E NDERTUAR PA LEJE NE BREG APO MBI DET
E pasi dëgjoi problemet dhe propozimet e të mbledhurve në takim, Rama tha fjalën e fundit: "Çdo karabina e ndërtuar deri tani duhet shembur. Ata që kanë cenuar detin, duhet t'i çohen prokurorisë. Ç'do gjë e ndërtuar pa leje që cenon perspektivën e zonës bregdetare, duhet rrafshuar. Në aspektin afatgjatë, duhet një ndërhyrje në ligj qoftë në mënyrën si do menaxhohen hapësirat publike, qoftë si do garantohet që cikli i ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur.
Nëse cikli nuk mbyllet nga ndëshkimi i godinës tek ndëshkimi i autorit të veprës pa leje, ato do t’i kemi përditë në zhvillim. Nëse cikli nuk mbyllet nga lajmërimi deri tek ndëshkimi, ato do vazhdojnë "të mbijnë" në tërë territorin.
Ne s’do kemi më Polici Ndërtimore, por Polici Shteti që do marrë përsipër mbrojtjen e territorit në çdo metër katror të Shqipërisë. Çdo njeri që cenon territorin duke vjedhur lumin, prerë pyllin, hedhur beton, do të ndëshkohet. Përgjegjësia do jetë e qartë: “Kush bën.... çfarë...”
Gjëja që unë do kërkoj është që ky grup përfaqësuesit të PS-së në qeverisjen vendore dhe të zgjedhurish në zonat e kujdestarisë që lidhet me bregdetin të ndërtojë një projekt propozimesh që lidhen me mbrojtjen e vijës bregdetare dhe ndëshkimet për këtë vijë.
Në programin tonë ne kemi synim ngritjen e një Agjensie të Zhvillimit së Bregdetit që do të synojë ngritjen e masave për mbrojtjen e saj dhe ne si deputetë duhet të jemi këto dy muaj në krye të kësaj përgjegjësie që nuk është partiake, por detyrim ligjor, që nuk është zbatuar gjithmonë për shkak të mosmbështetjes së Policisë së Shtetit," - përfundoi ai. Ndërhyrja e dytë e Ramës për vijën bregdetare
RAMA PERJASHTON NGA PRISHJA E NDERTIMEVE PA LEJE NE BREGDET, SHTEPITE E BANIMIT
Kryesocialisti ka bërë dallim në fjalën e tij se prishja e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare nga veriu në jug nuk përfshin shtëpitë e ndërtuar me djersë, shtëpitë e palegalizuara të banimit, duke rikujtuar premtimet e fushatës se do të çohet deri në fund procesi i legalizimit, siç u premtua.
LESKAJ: MASA PER SIGURINE E PUSHUESVE, POLICIA "FLE GJUME"
Deputetja e Vlorës, Valentina Leskaj propozoi në takim që veç shërbimeve që duhen përmirësuar apo ndarjes së plazheve publike, "të merren masa dhe për sigurinë e jetës së pushuesve, sepse ka ndodhur që është përdhunuar deri edhe një e moshuar. Përveç sigurisë, ka zona turistike si psh Zvërneci, ku uji vjen vetëm për 20 minuta i përzier me ndryshk e baltë. Me ato kompetenca që ligji i jep pushtetit vendor, do bërë presion mbi institucionet e tjera që nuk veprojnë, si psh.policinë, e cila fle gjumë, por edhe shoqërinë civile, për sensibilizimin e shoqërisë në shërbimet. Ligji ka hapësira dhe ne mund të ngremë edhe padi ndaj atyre institucione që nuk veprojnë për shkeljen e ligjit,”- tha ajo.
GJIKA: UNIFIKIMI DHE KOORDINIMI I INSTITUCIONEVE - KUSHTI PER TE FRENUAR NDERTIMET PA LEJE
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, tha se “është abuzuar me hapësirat e plazheve dhe duhet punuar për infrastrukura e shërbime më të mira. Ndërtimet e paligjshme gjithashtu janë një fenonem shqiptar, por ky fenonem mund të mbyllet në qelizë. Jo më larg se sot, në një koordinim me strukturat e policisë, ne filluam një aksion mbi 130 objekte të paligjshme në bregdet që do të mbyllë atë ide të mbrapshtë që ato nuk duhet të ndodhin.
Po ashtu, mua më ka ndodhur që inspektori i policisë së ndërtimit është goditur në detyrën e tij dhe në vend të kishte mbështetjen e policisë, është thirrur një javë rreshtnga prokuroria. Unifikimi i sistemit policor mbetet parësor,”- tha Gjika, - “duhet unifikim dhe koordinim më të gjitha hallkat e shtetit për të ndalur ndërtimet në territor dhe rehabilitimin e vijës bregdetare. Problem janë edhe diskot në zonën turistike, janë objekt shqetësues e madje alarmues për pushuesit. Mbi ato ne nuk kemi pushtet. Pra, duhen rregulla të reja ashtu siç duhet që ligji i ri i urbanistikës të rishikohet dhe në të duhet demotivuar patjetër ndërtimi i tij. Së fundi, të kemi edhe një regjistër të unifikuar kombëtar, standart."
KOKËDHIMA: TË DENONCOHEN ME EMRA, GJYKATËSIT QË I MBROJNË NDËRTUESIT E PALIGJSHËM
Deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima, tha se në “këtë situatë nuk duhet toleruar asnjë ndërtim pa leje dhe të thuhet qartë me emër, të denoncohen ata gjykatës apo prokurorë që i mbrojnë ata ndërtues. Ne i kemi kushtet që tani të mbajmë këtë përgjegjësi, sepse policia po bëhet bashkëpunuese.”
DAKO: PO LUAJME SI "MACJA ME MIUN" NE PLAZHET PRIVATE
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako tha se kërkesat për plazhe private janë shumë të mëdha pavarësisht tarifave të larta që janë vënë. Ndarja e plazheve publike dhe private është një problem shumë i madh, po luhet me to si "macja me miun". Gjithashtu, edhe ndërtimet pa leje, që nuk mund të parandalohen pa një bashkëpunim. Sapo i çojmë një letër ndërtuesve, ata vijnë me letra të tjera shfrytëzimi,"- tha ai.
STËRKAJ: TË MOS U BËJMË ANTIREKLAME, PLAZHEVE TONA
Deputeti i Shodrës, Paulin Stërkaj tha se “unë jam konsultuar edhe me kryetarin e komunës së Velipojës për këto probleme dhe mendoj se nuk duhet t’u bëjmë antireklamë në këtë moment, plazheve tona pasi ne s’kemi fuqi të frenojmë ndërtimet pa leje, s’e kemi atë mundësi, por të paku të merremi me çështje më të thjeshta, si me pastrimin e tyre e t’u krijojmë kushtet pushuesve të kalojnë verën.”
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)