TIRANE- Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “DEBAT +” të gazetarit Eduard Zaloshnja, ka shpjeguar gjendjen në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë dhe ndërhyrjet që do të bëjë qeveria për reformimin e tij. Duke shpjeguar frymën e re të marrëdhënieve me opozitën, kryeministri ka kërkuar edhe një herë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e saj, në realizimin e reformave që janë nisur dhe duhet të përfundojnë.

Akuzat për FA
Lidhur me akuzat e ngritura nga opozita për përfshirjen e Forcave të Armatosura në transportin dhe trafikun e lëndëve narkotike, kryeministri Rama ka mbajtur të njëjtin qëndrim se nuk bëhet fjalë për asnjë akuzë por gjithçka është ngritur mbi bazën e ndryshimeve. Sipas Ramës, Shërbimi Informativ Shtetëror detyrën e tij parësore e ka të dyshoj, por dyshimet jo gjithmonë vërtetohen me fakte. “Nuk ka asnjë provë dhe asnjë të dhënë që të vërtetojë se mjetet e ushtrisë janë përdorur për transportin e drogës. SHISH është një institucion i ngritur mbi dyshime. Por ju siguroj se nuk ka asnjë të dhënë të besueshme që të vërtetojë diçka të tillë”, deklaroi kryeministri.   

Reformat e Qeverisë
Duke ju referuar deklaratave të bëra në televizionin “A1 Report” të ambasadorit hollandez në lidhje me reformën që duhet të kryhet në drejtësi, kryeministri nuk ka nguruar ta quajë sistemin e drejtësisë si të kalbur. “Drejtësia është organizata fitimprurëse më e madhe në vend, ndaj edhe reformimi i saj është një domosdoshmëri për vendin”, deklaroi Rama. Sipas kreut të qeverisë, vendi nuk mund të pretendojë për përfshirjen në Bashkimin Europian nëse nuk ka një angazhim tërësor për realizimin e kësaj reforme kaq të rëndësishme dhe jetike. Duke ju referuar mungesës së konsensusit dhe refuzimit të bashkëpunimit për bërjen e reformave nga opozita, kryeministri ka theksuar: “Konsensus 100 % nuk mund të ketë por ne kemi ftuar edhe vazhdojmë të ftojmë opozitën për të marrë pjesë në reforma që i shërbejnë më së shumti vendit dhe qytetarëve”, tha kryeministri.

Sektorët kryesorë
Kryeministri Rama, ka vlerësuar punën e bërë nga të gjithë ministrat në këto muaj të parë qeverisës, duke kujtuar se koha reale në të cilën qeveria do të përballet me zgjedhësit do të jetë fundi i mandatit. Lidhur me akuzat e opozitës për sms-në, e nisur nga ministri Tahiri drejt vartësve të tij për çështjen e sigurisë, Rama është shprehur se vlerësimi i tij është maksimal për ministrin e Brendshëm dhe i ka quajtur si “përralla me mbret”, teoritë se sms ishte nisur prej tij në drejtim të ministrit.

Opozita dhe PS
“E vetmja mënyrë që opozita të ulet në dialog me ne, është që ne t’i rikthejmë karriket që të qeverisin. Por kjo gjë nuk mund të ndodh kurrsesi”, -ka deklaruar kryeministri. Rama u shpreh se megjithë kthesën e madhe që qeveria e drejtuar prej tij i ka bërë marrëdhënieve me opozitën, situata vazhdon të mbetet e njëjta si më pare, ku përballen gjithmonë me vendosjen e kushteve.  Bashkëpunimin me opozitën Rama e quajti shumë të rëndësishëm sidomos në çështjet që lidhen me integrimin e vendit në BE. Kryeministri ka komentuar edhe pozicionin e tij si kryetar i Partisë Socialiste. “Partitë që zgjedhin kryetarin me votimin 1 anëtarë 1 votë dhe lideri është kryeministër  nuk e ka të nevojshme të zhvillojë zgjedhje të brendshme”, -deklaroi Rama, duke qartësuar edhe akuzat e bëra nga deputeti Blushi.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)