Rama ka theksuar se "ditën e diel me numrin e bekuar 29 ne do t’i çlirojmë gjithë robërit e katragjyshit", se "Berisha nuk i nxjerr dot duart, se ato duar nuk kanë asgjë tjetër përveçse rrugët e rrënimit në vend të vijave; rrënimin e demokracisë, ekonomisë, ëndrrës europiane të shqiptarëve; janë të zhytura në zullum dhe mëkat 8 vjet me radhë".
MIRËMBRËMA ALI DEMI, VARRI I BAMIT, LAPRAKA, KOMBINATI...
E ka nisur mitingun me vargjet që të kujtojnë këngën "Tirona", të cilën e ka kënduar vetë Edi Rama me grupin "Westside Family"" Mirëmbrëma Ali Demi, Lapraka, Varri i Bamit, Kombinati, Selita, Bregu i Lumit, Kamza, Paskuqani, Bathorja, Fusha e Aviacionit, Kodra e Priftit!..". Pastaj: "Mirëmbrëma gocat dhe çunat e Bllokut", ka nisur përshëndetjet e tij ish-kryebashkiaku i Tiranës, kreu i PS, Edi Rama.
MIRËMBRËMA TË ARDHUR NGA MIRËDITA, KUKËSI, DIBRA,LIBRAZHDI...
"Mirëmbrëma kryeqytetas të ardhur nga Mirëdita, Kukësi, Dibra, Pogradeci, Librazhdi, Skrapari... Të ardhur nga gjithë Shqipëria jo me autobusa. Ne një autobus kemi, autobusin mavi. Po gjithë autobusët e tjerë i ka mbushur katragjyshi me anti-plumb", tha Rama.
DO ÇLIROJMË GJITHË ROBËRIT E KATRAGJYSHIT
"Marrin rrogë nga taksat e mbledhura nga të gjithë ne, që një katragjysh, i marrë fund, i mban peng lidhur me bukën e gojës. Ditën e diel me numrin e bekuar 29 ne do t’i çlirojmë gjithë robërit e katragjyshit. Me numrin 29 do çlirojmë mësuesit, policët, infermierët, nënat dhe baballarët që ushqejnë familjet e tyre duke i shërbyer shtetit, e sot janë lidhur pas autobusave të pushtetit", premtoi Rama.
SALIU I RRASKAPITUR, PSE NUK I DHA LEGALIZIMET PËR 20 VJET
"Sot paradite katragjyshi më çoi dhe mua një mesazh. Ju ftoj të votoni 44, thoshte. Dmth herën e parë mora 4, herën e dytë po 4, po herën e tretë nuk mund të marrëdot më 444", i është kundërpërgjigjur Rama. Ai ka shtuar se "Saliu u ka shqiptarëve 211 mijë vende pune borxh nga premtimi që u bëri në 2005-n dhe kjo sipas statistikave zyrtare”, theksoi Rama.
Rama iu drejtua banorëve të Saukut, Kamzës, Paskuqanit, duke lexuar vazhdimin e mesazhit të Berishës në celular , ku premton “se do legalizojë për 6 muaj ndërtimet pa leje”. “Pse nuk i dhe legalizimet për 20 e kusur vite?!”, pyeti Rama. Duke shtuar se "ai i lodhur, i rraskapitur, i dërrmuar do të na i bëka për 6 muaj. Kush i ha këto?!”
NE LEGALIZIMET JO PËR 6 MUAJ, POR BRENDA MANDATIT TË PARË
"Jo 6 muaj, asnjë vit, por brenda mandatit të parë legalizim për të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, duke ardhur nga Veriu dhe Jugu nga fshatra e qytete të varfra në kërkim të një Amerike të vogël dhe sot akoma nuk i kanë dokumentat, që vërtetojnë se këto janë pasuritë e tyre, do kenë titullin e pasurisë së patundshme falas", përsëriti premtimin Edi Rama. Duke shtuar edhe premtimin tjetër për "certifikatën mbi tokën brenda mandatit të parë të Rilindjes shqiptare".
DUART E BERISHËS ME VIJAT E RRËNIMIT, ZULLUMIT, MËKATIT
"Europa ia ka hequr vizën Saliut. A ju kujtohet 4 vite më parë vinte thoshte: Nuk i bëmë gjërat këto 4 vjet, por bota na beson, na besoni dhe ju. Ku e ka botën tani?", ka pyetur Rama duke iu referuar Berishës.
Ai ka shtuar se "Berisha nuk i nxjerr dot duart, se ato duar nuk kanë asgjë tjetër përveçse rrugët e rrënimit në vend të vijave; rrënimin e demokracisë, ekonomisë, ëndrrës europiane të shqiptarëve; janë të zhytura në zullum dhe mëkat 8 vjet me radhe. Ndaj bota nuk e do më, se bota ku duam të integrohemi nuk mund t’i shtrëngojë më ato duar".
TIRONA E TË GJITHËVE, KUNDËR NDASIVE DHE PËRÇARJEVE
"Kjo është Tirona jonë dhe në 23 qershor do jetë kryeqyteti i Rilindjes. Tirana do udhëheqë fitoren e madhe jo të dikujt kundër dikujt, jo të disave kundër disave, por të Rilindjes kundër ndasisë dhe përçarjes, por që do të munden nga bashkimi dhe solidariteti", u shpreh Rama.
"Zotohem se me votën tuaj për Rilindjen ju kryeqytetasit pavarësisht prejardhjeve krahinore, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht përkatësive fetare, pavarësisht moshës dhe gjinisë do keni në krah një qeveri që hallet tuaja do t’i bëjë të vetat, problemet tuaja do t’i ketë të vetat dhe do jem pranë jush në çdo përpjekje për t’i zgjidhur hallet dhe problemet".
RROFTË TIRONA, AMERIKA JONË E VOGËL
"Rilindja nuk po vjen vetëm. Po e sillni ju një popull i tërë në kërkim të së ardhmes. Dallimi ynë është shumë i qartë. Pas katragjyshit nuk ka asgjë, pas meje është skuadra e Rilindjes; Pandeli Majko, Saimir Tahiri, Lindita Nikolla, Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Milena Harito dhe kapiteni i madh i Kombëtares, Bled Nallbani i Tironës. Ky demokrat, unë socialist, të dy nga Tirona, të dy për Rilindjen, të dy për PS. Rroftë Amerika e vogël, Tirona jonë, Tirana e të gjithëve, Tirana e shqiptarëve nga Veriu në Jug! Rroftë Shqipëria, Rroftë Partia Socialiste", përmbylli fjalën e tij, Eddi Rama.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)