Akuzave të deputetit Dule se po shkelet konventa e të drejtave të minoriteteve, kryeministri Rama iu përgjigj duke u shprehur se një çështje e tillë në Himarë nuk ka, ndërsa i kërkoi kreut të PBDNJ të mos krijojë çështje që nuk ekzistojnë.
Rama nënvizoi në fjalën e tij se koha kur Shqipëria hezitonte të mërrte vendime ka marrë fund, ndërsa shtoi se ndihet krenar që është shqiptar dhe se nuk ndjen asnjë inferioritet karshi Greqisë.
Sa i përket të drejtave të minoriteteve, Rama tha se tashmë Shqipëria ka më shumë forcë për të kërkuar për shqiptarët jashtë kufijve ato të drejta që vetë po respekton dhe që voton seancën e sotme.
“E kam çmuar inteligjencën tënde por nuk pranoj të fyesh timen dhe aq më tepër duke më cituar çka nuk thashë. Himara është si gjithë bashkitë e reja dhe nuk ka përpjekje për të kufizuar të drejtat e minoritetit të cilin nuk i njohim sot, por i kemi respektuar dhe do ta respektojmë gjithmonë. Tema është e ndjeshme sepse e kanë bërë të ndjeshme përpjekjet e vazhdueshme ndër vite të atyre që duan ta shohin Himarën ashtu siç nuk është. Dhe meqë jemi tek origjina ime, e kam një prejardhje të largët nga Himara, dhe ndihem krenar që jam shqiptar dhe nuk ndiej asnjë inferioritet nga Greqia. Koha kur Shqipëria hezitonte ka marrë fund, dhe jep një provë se jo nuk shkel konventat por përkundrazi konfirmon se i respektojmë. Ne me këtë reformë kemi forcë shumë më tepër për të kërkuar të drejtat për shqiptarët jashtë kufijve, dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa vlerat që i respektojmë vetë.” theksoi kryeministri Rama, ndërsa duke iu drejtuar Dules kjo reformë i jep mundësinë Himarës dhe të gjithë banorëve më tepër mundësi për zhvillim ekonomik.
“Ne duhet të shikojmë mirëqënien e njerëzve dhe në emër të kësaj, kjo reformë shkon tërësisht në vendin e duhur. E njëjta gjë vlen edhe për Himarën për tu dhënë mundësi të gjithë banorëve të kësaj krahine që të jetojnë më mirë dhe të kenë shumë më tepër mundësi për të zhvilluar mundësinë e tyre. Në këtë debat është e qartë se në cilin anë është folklori dhe politika për njerëzit pa dallim, është shqiptar ose jo. Kështu që të lutem mos krijo çështje që nuk ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë.” përfundoi Rama
Dule: Nga vetë goja e kryeministrit po shkelet konventa e të drejta të minoritarëve
Nga ana e tij Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule vijoi sërish akuzat se me reformën territoriale po shkelet konventa e të drejtave të minoriteteve duke shtuar sipas tij se ishte vetë kryeministri Rama që e konfirmoi këtë me gojën e tij gjatë fjalës në foltoren e Parlamentit.
“Këtu jemi për politikë dhe kur flasim për politikë sundon ligji dhe të drejtat e njeriut dhe për mua edhe e drejta e minoriteteve. Dua ta theksoj se po në Himarë ekzistojnë, minoritarë grekë. Duket qartë ajo që theksova, tendencioziteti, dhe është neni 4 i konventës, dhe nga vetë goja e kryeministrit po shkelet.” tha në fjalën e tij Dule
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)