Rama e nis fjalën në Kuvend me tërmetin: Thumana e nesërme nuk do të ngjajë në asgjë me Thumanën para 26 nëntorit (VIDEO)

Fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama e nisi me një falenderim për kabinetin e tij qeveritar për mënyrën se si kanë përballuar deri më tani situatën e vështirë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit që la pas 51 viktima dhe qindra të plagosur. 

Rama:Kërkoj ndjesë paraprakisht për bashkimin e dy temave në një fjalë sepse nuk mundet të shmang prioritetin e prioriteteve që është adresimi i pasojave të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit dhe i nevojës për rindërtimin, ndërkohë që patjetër më duhet të them dhe unë dy fjalë lidhur me ligjin kundër shpifjes. Së pari, dëshiroj të shpreh dhe një herë ndjenjën e krenarisë sime për qeverinë që unë drejtoj dhe për shumicën tonë qeverisëse, për të gjithë ministrat dhe deputetët dhe kryetarët e bashkive, të angazhuar në vijën e parë, që në orën e parë, në përballimin e pasojave tragjike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Unë nuk e di, nëse dikush e kishte imagjinuar se qeveria e Shqipërisë, shteti shqiptar do të arrinte të bënte atë që bëri, në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme, ku mijëra e mijëra njerëz u gjendën në rrugë, pa strehë. Në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore shumë më të lehta dhe njerëzit janë kalbur rrugëve nëpër çadra, janë harruar dhe faktikisht u është dashur një kohë e tej gjatë për të rimarrë veten. Në më pak se 10 ditë, mbi 13 mijë persona janë akomoduar në kushte që kurrë më parë nuk i ka pasur një banor i Republikës së Shqipërisë, pas një fatkeqësie natyrore.

4132 persona, njerëz të kategorive të ndryshme sociale, janë akomoduar në hotele që për standardet e Shqipërisë, janë hotele luksi, me të gjitha shërbimet si të ishin turistët gjermanë apo norvegjezë, të ardhur në Shqipëri dhe plus me të gjithë përkujdesjen shëndetësore dhe përkujdesjen për vijimin normal të jetës së tyre, duke filluar nga vijimi normal i shkollës për fëmijët. 3452 familje dhe 202 studentë kanë marrë qeranë për t’u akomoduar në kushte shtëpie, sipas zgjedhjes së tyre e për të vazhduar jetën normale. Për 6178 persona në fshat, që me të drejtë e kanë të vështirë ose të pamundur të lëvizin, nga trualli i shtëpisë së rrënuar apo të pabanueshme, është garantuar përkujdesja e vazhdon procesi i plotësimit të nevojave për çadrat dimërore.

Vlerësimi i dëmeve vijon intensivisht e në total janë inspektuar 19776 objekte. Ky është numri i objekteve të inspektuara deri dje. Deri më sot janë shembur 56 objekte, prej të cilave 49 në Durrës, 4 në Tiranë, 3 në Lezhë. Në proces prishjeje është gjithë kompleksi i ish konvikteve të universitetit bujqësor. Mjafton të shihet tabela e përkujdesjes specifike shëndetësore për të gjithë këta njerëz, për të kuptuar se çfarë kapërcimi epokal është bërë në adresimin nga ana e shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga një fatkeqësi natyrore. Janë plot 257 punonjës social e psikologë, të angazhuar në një rrjet të tërë, që koordinohet nga ministrja e shëndetësisë që gjej rastin dhe një herë ta falënderoj me shumë respekt për punën e saj të palodhur dhe që sigurojnë sëbashku me 340 mjekë dhe infermierë të dedikuar, një shërbim 24 orë nga afër, të të gjithë njerëzve të regjistruar si të goditur nga kjo fatkeqësi. Janë akomoduar në shtëpi të reja, siç e kishim marrë angazhimin brenda datës 15 dhjetor, të gjitha familjet e viktimave për të cilat është akorduar nga qeveria dhe një paketë trajtimi special financiar e jo vetëm financiar.

Unë besoj se shumë shpejt do të fillojnë të shihen filizat e parë të këtij procesi rindërtimi, shumë shpejt do të fillojë të shihet dallimi i madh mes të djeshmes përpara 26 nëntorit e të ardhmes për të gjitha këto familje. Shumë shpejt do të shihet transformimi tërësor urban dhe social që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë, deri tek shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e  gjendjes së jashtëzakonshme. Me një grup arkitektësh të huaj, të mirënjohur ndërkombëtarisht e me shumë arkitektë shqiptarë e me shumë ekspertë shqiptarë, do të vijojë puna intensivisht për të garantuar që zonat e reja ku do të ndërtohet, të jenë shembuj transformues, jo thjeshtë për familjet që do të përfitojnë, por dhe për drejtimin e mëtejshëm të transformimit tërësor në funksion të një rilindjeje urbane që do të transformojë nga pikëpamja sociale jetën e shumë komuniteteve e të shumë familjeve.

Thumana e nesërme nuk do të ngjajë në asgjë me Thumanën e para 26 nëntorit dhe banorët e Thumanës, nga banorë të një zonë që gjithsesi ishte një zonë nga pikëpamja urbane e degraduar, do të jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do të jetë një shembull e jo thjeshtë dhe vetëm këtu, por një shembull që do të rrezatojë fuqinë e vizionit dhe të vullnetit tonë përtej kufijve të Shqipërisë. Mbajini mend këto fjalë e do të jemi këtu, jo në vitin 2030, por në vitin 2020 kur do t’i shihni të verifikuara.


Lajmi kryesor:

Portalet 'shpëtohen' nga mbyllja, por u rritet gjoba (dhe nuk pezullohet pa folur gjykata)! Parlamenti voton ligjin anti-shpifje /VIDEO- Ndryshimet e fundit


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë