Të mbërritura në Shqipëri prej muajit dhjetor, sistemi i mbrojtjes raketore “Javelin” iu dorëzua zyrtarisht Komandës Tokësore të Forcave të Armatosura. Ministri i Mbrojtjes në largim, Pirro Vëngu, krah të dërguarës me punë të SHBA-së, Nancy VanHorn thotë se ky sistem është mesazh për marrëdhëniet strategjike mes 2 vendve

“Sot dorëzojmë në Forcën Tokësore sistemin Javelin, në tërësinë e këtij komponenti të porositur prej vitesh dhe pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë me SHBA. Ky sistem nuk është thjesht një simbol force dhe kapaciteti do të thoja unë. Është edhe një mesazh qartësie strategjike”, Pirro Vengu.

Muajt e fundit, Serbia zyrtare ka shtuar tonet e ashpra kundër bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë-Kroaci në fushën e ushtrisë. Vëngu, edhe këtu paraqiti synimin e Shqipërisë për mbrojtje dhe jo për agresion.

“Shqipëria nuk armatoset dhe nuk forcon kapacitetet e saj për të sulmuar askënd, por armatoset në mënyre që askush të mos e vërë në provë, sigurisht brenda suazës”, tha Pirro Vengu.

Shqipëri do të dërgojë trupat e saj në Gaza në kuadër të Bordit të Paqes. E dërguara e SHBA-së, VanHorn kërkoi shtimin e kontributit të vendit tonë me trupa ushtarake në misionet e NATO-s.

“Rritja juaj për sigurinë është një kapar për të ardhmen, një pagesë paraprake për paqen përmes NATO-s. Mjedisi i sigurisë me të cilin përballemi të gjithë, është që kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Në emër të Shteteve të Bashkuara dua gjithashtu të kërkoj kontributin tuaj me trupa dhe pajisje ushtarake për NATO-n dhe misionet ndërkombëtare në mbarë botën”, tha Nancy VanHorn.

“Javelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar nga SHBA. Sistemi është shumë efektiv kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret gjerësisht nga ushtritë e NATO-s, si dhe në operacione reale luftarake. Konsiderohet element kyç për mbrojtjen tokësore, duke rritur ndjeshëm aftësinë për të përballuar kërcënime të avancuara. Vendi ynë e ka porositur sistemin që në maj të vitit 2022.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:22
Dorëzimi i sistemit raketor ‘Javelin’ në Zall Herr, Van Horn: Tregues i angazhimit në rajon dhe forcën e NATO-s

 

Në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr u dorëzuan sot sistemet raketore Javelin, si pjesë e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Nancy Van Horn, vlerësoi këtë moment si tregues të angazhimit për sigurinë rajonale dhe forcën e NATO-s.

“Kjo ceremoni shënjon një hap shumë të rëndësishëm në partneritetin tonë që vijon. Shtetet e Bashkuara është tregues i përkushtimit tonë për sigurinë në rajonale dhe forcën e Aleancës së NATO-s.

Kjo marrëdhënie kërkon jo vetëm rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes por një fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë luftarake dhe modernizimin ushtarak. Mjedisi i sigurisë me të cilin përballemi të gjithë, është që kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Në emër të Shteteve të Bashkuara dua gjithashtu të kërkoj kontributin tuaj me trupa dhe pajisje ushtarake për NATO-n dhe misionet ndërkombëtare në mbarë botën”, tha Van Horn gjatë fjalës së saj.