Rama fiton referendumin
95% e socialistëve votë "Po"

Rama fiton referendumin<br />95% e socialistëve votë
Numërimi i votave për referendumin e PS po shkon drejt fundit. Teksa në qarqet kryesore, përjashto Tiranën ka përfunduar procesi i numërimit, ajo që bie në sy është mbështetja për mandatin e kryetarit të PS, Edi Rama.

Sipas rezultateve paraprake, Edi Rama kryeson me gati 95%, ndërsa kundërshtarët janë vetëm 5%.  
 
Pjesëmarrja më e madhe e votuesve anëtarë të PS ka qenë në Malësinë e Madhe, me 94.8 për qind.

Pikërisht në Malësinë e Madhe, Rama ka shënuar edhe fitoren më të thellë të referendumit, duke kapur gati një vlerë absolute, me 99% "Po".

Sipas burimeve pranë PS, në Vaun e Dejës pjesëmarrja ishte 93.6%, në Pukë 86.3%, në Has 87.9% dhe në Tropojë 83.8%.
 
Ndërsa në Lezhë pjesëmarrja ka qenë 76.7 për qind e anëtarësisë socialiste. Nga 1.906 anëtarë votuan 1.525, nga të cilët vota të vlefshme dolën 1 511. Sipas të dhënave, 1.468 anëtarë votuan pro, ndërsa 43 kundër. E përkthyer në përqindje, "Po" Edi Ramës kanë votuar 97.15% dhe “Jo” vetëm 2.85%.

Pjesëmarrje e lartë e anëtarësisë socialiste ka qenë edhe ajo në Qarkun e Tiranës me mbi 70% të anëtarëve të cilët u janë drejtuar kutive të votimit.

Gjithsesi, fitoren më të thellë, Edi Rama e ka shënuar në Malësinë e Madhe. Nga 1300 anëtarë socialistë të cilët kanë marrë pjesë në votim, vetëm 8 prej tyre kanë votuar kundër.

1 292 vota kanë qenë "Po" Edi Ramës kryetar të PS, duke u përkthyer në përqindje, 99% të anëtarësisë ka votuar "pro" kryetarit të PS.

Vetë kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama e ka cilësuar si një provë kuptimplotë angazhimi demokratik referendumin e kësaj të shtune në të cilën socialistët vendosën “PO” rikonfirmimit të mandatit të Ramës si kryetar i PS.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Rama ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në procesin e votimit në të gjithë Shqipërinë, duke shtuar se të gjithë e kanë mirëkuptuar mosmbajtjen e zgjedhjeve pas zgjedhjes së tij si kryeministër i vendit në qershor 2013-ës.

“As unë e as shumica dërrmuese e shokëve e shoqeve të trupës drejtuese të PS, nuk kemi dyshuar asnjë çast se anëtarët e familjes sonë politike që, bashkë me qindramijëra qytetarë të tjerë, na dhanë besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm, për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, e kanë mirëkuptuar e mbështetur plotësisht mosmbajtjen e zgjedhjeve për kryetar partie pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga ana ime. Por referendumi i sotëm, e konfirmoi katërcipërisht bindjen tonë, ashtu sikundër mbështeti me një "PO" shumë të fuqishme, vendimin e kongresit të ri për ndryshimin përkatës në statutin e Partisë Socialiste, lidhur me mandatin e kryetarit kur ky i fundit ka edhe detyrën e kryeministrit”- shkruan Rama

Krenar për PS, e mbyll falenderimin e tij në Facebook, kryeministri Rama

"Kjo ditë na dha të gjithëve një arsye më shumë për të qenë krenarë për Partinë Socialiste, ndërsa mua vetë edhe një arsye më shumë për t'i shërbyer me mish e me shpirt familjes sonë të madhe politike, në radhë të parë duke e bërë me ndershmëri, përkushtim e dinjitet, detyrën e lartë të Kryeministrit të Shqipërisë. FALEMINDERIT TË GJITHËVE"- shkruan Rama

Votimi për referendumin për mandatin e kryetarit të PS nisi në të gjithë vendin orën 08:00 të mëngjesit. 

Mes shumë polemikash dhe akuzash, 81 572 anëtarë të Partisë Socialiste u thërritën të shprehnin me votë konfirmimin ose jo të mandatit të Ramës. 

Pjesëmarrja e lartë në votime u duk që në orët e para të paradites, kur anëtarët socialistë iu drejtuan masivisht qendrave të votimit. 

Referendumi kaloi edhe kufirin e ligjshmërisë së tij prej 50%, pasi pjesëmarrja e anëtarësisë, sipas shifrave paraprake është mbi 80%. 

Pyetja që iu përgjigjen me mbi 90% "Po" anwtarwt socialistw ishte: "Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër. A konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i Kryetarit?”

Procesi votimit eci normalisht dhe i qetë, ndërsa nuk u rregjistrua asnjë incident që mund të cenonte procesin e votimit në këtë referendum partiak.

Ndërkohë edhe pse ishte një mundësi për të testuar secila palë mbështetjen, referendumi u kontestua fort nga deputeti kritik Ben Blushi, i cili ka shprehur ambicien për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, si dhe deputetja Mimoza Hafizi e cila ka ngritur shqetësimin se edhe sot gjatë votimit se janë ndryshuar papritur anëtarët e Komisionit të Votimit apo dhe se nuk i ishin vënë në dispozicion listat e anëtarësisë së thërritur në votim. 
 
Në një letër drejtuar Komisionit Zgjedhor të Partisë Bashkia Shkodër, Hafizi kërkoi t'i jepej informcion lidhur me listat e anëtarëve që merrnin pjesë në qytetin që ajo kishte në monitorim, ndërkohë që e cilësoi mungesë transparence faktin që ajo nuk mori asnjë përgjigjje nga strukturat përkatëse.
 
Votimi i sotëm, në letër i ka dhënë fund duelit mes kryeministrit dhe sfidantit të tij, për postin e kryetarit të PS dhe kryeministrit.

Sipas të gjitha gjasave, apo edhe asaj që ka paralajmëruar, deputetit Blushi do të shkojë drejt një partie të re, e cila mund të zyrtarizohet në muajit në vijim.

Nga ana tjetër, Edi Rama pritet të fokusohet tek sfida e zgjedhjeve të 2017, për të siguruar një mandat të dytë qeverisës. 

Dhe fitorja e referendumit partiak mbi 90%, i jep një garanci shtesë Edi Ramës se anëtarësia socialiste është e unifikuar një vit përpara zgjedhjeve parlamentare.

votimi kutite ps
(Fleta e votimit per Referendumin)

Zhvillimet minutë pas minute nga Referendumi i PS

21:00 Klosi: Referendumi i suksesshëm, PS gati për zgjedhjet parlamentare
Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi, u shpreh nga Berati se referendumi i sotëm i PS ia arriti qëllimit.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, i deleguari në rajonin Fier/Berat, u shpreh se pas këtij ushtrimi demokratik, strukturat e PS janë të kolauduara dhe të gatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

"Ka përfunduar tashmë numërimi në Fier dhe Berat. Nuk priteshin çudira dhe e vërteta doli ashtu siç pritej. Kishte shumë rëndësi realizimi i referendumit si ushtrim i parë në vazhdën e disa ushtrimeve të tjera demokratike për vendimmarrjen në PS. Në qarkun e Beratit, pjesëmarrja rreth 90%. Në qytetin e Beratit pati një pjesëmarrje prej 84%, sikurse edhe në Fier është rreth 85%. Ky referendum ishte edhe një ushtrim organizativ i PS. Pati një përgjigje spektakolare nga PS ndaj kësaj thirrje për të marrë pjesë në këtë ushtrim demokratik. Strukturat tona tashmë janë tërësisht të kolauduara. Jemi të gatshëm për të filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme", u shpreh Klosi.
 
Për ministrin e Mirëqenies Sociale, edhe në Tiranë përqindja e pjesëmarrjes ka qenë shumë e lartë. "Mendoj se shumë shpejt do të kemi rezultate edhe aty për pjesëmarrjen në votime dhe rezultatin e votimit", tha ai. 

20:30 Përfundon numërimi në Malësinë e Madhe, 99% "Po"
Ka përfunduar numërimi i votave të referendumit për kryetarin e Partisë Socialiste edhe në Malësinë e Madhe.

Votat e anëtarëve të PS në këtë rreth kanë prodhuar rezultatin më bindës "Po" për Edi Ramën. Kësisoj, nga 1300 anëtarë socialistë të cilët kanë marrë pjesë në votim, vetëm 8 prej tyre kanë votuar kundër.

1292 vota kanë qenë "Po" Edi Ramës kryetar të PS. E thënë me përqindje, Malësia e Madhe ka votuar "pro" kryetarit të PS në masën 99%.

Edhe pjesëmarrja në votim ka qenë ndër më të lartat në të gjithë vendin, duke shkuar deri në 94%. 

19:55- Përfundon numërimi në Korçë,  92.4% "Po"
Sapo ka përfunduar numërimi i votave të referendumit të PS në Bashkinë e Korçës.

Rezultati i votimit është 92.4% "Po" dhe 6.9% "Jo", mandatit të Ramës si kryetar i PS. 0.7% e votave kanë qenë të pavlefshme.  

19: 40 - Ja pjesëmarrja në referendum për disa qytete

Elbasan 86.3%
 
Librazhd 81.3 %
 
Prrenjas 86.9 %
 
Peqin 93.4 %
 
Belsh 87.9
 
Cerrik 85.5
 
Korça 88.1
 
Kolonja 82
 
Maliq 85.2
 
Pustec 64.2
 
Pogradec 87.1
 
Lezhë 76.7%
 
Rrogozhinë 83%
 
Mallakastër 86.3%
 
Krujë      83%
 
Maliq      85.2%

19:30 - Përfundon numërimi në Berat, 77% "Po"
Ka përfunduar numërimi i votave të referendumit të PS, në Bashkinë e Beratit. 857 vota janë "Po" dhe 47 kundër. "Po" mandatit të Edi Ramës si kryetar i PS kanë votuar 77% e anëtarësisë së PS. Në votim kanë marrë pjesë 85% e anëtarëve socialistë.
 
Ndërkohë në Kuçovë kanë votuar 540 "Po" dhe 48 "Jo". 

18:40 - Përfundon numërimi i votave në Krujë, 97% "Po"
Ka përfunduar procesi i numërimit të votave të referendumit të PS në Krujë. Në këtë njësi administrative, kanë votuar 1051 anëtarë të PS, ose rreth 83% e tyre.

Gjatë numërimit të votave, 1018 anëtarë të PS kanë votuar "pro", ndërsa vetëm 33 kanë qenë kundër.

E thënë në përqindje, "Po" Edi Ramës kryetar të PS, kanë votuar 97% e votuesve.   
 
18:30 - Përfundon numërimi në Bashkinë Mallakastër, 95.8% "Po"
 Në Bashkinë Mallakastër të Qarkut të Fierit, ka përfunduar numërimi i votave të referendumit të PS. 95.8% e anëtarësisë ka votuar "Po", ndërsa 4.2% kanë votuar "Jo".
 
Pjesëmarrja e anëtarësisë së PS në Mallakastër, ka qenë 86.3%. 

18:20 Përfundon numërimi në Përmet dhe Këlcyrë, 100% "Po" Ramës
Procesi i votimit ende s'ka përfunduar në disa qendra të qarkut të Gjirokastrës. Raportohet se në qendrat e votimit ka ende radhë të anëtarëve të PS për të votuar.

Pritet që votimi në këtë qark të shtyhet edhe për një orë tjetër. Në votime kanë marrë pjesë gati 70% e anëtarësisë së PS me të drejtë vote në Qarkun e Gjirokastrës.  

Në Tepelenë, Lunxhëri dhe Lazarat ka përfunduar edhe procesi i numërimit, ku ka dominuar "Po"-ja në favor të kreut të PS, Edi Rama.

Ndërsa në Përmet dhe Këlcyrë, gjithashtu ka përfunduar votimi, por edhe numërimi. Në këto dy qytete, rezultatet janë 100% në favor të "Po"-së të Edi Ramës. 

17:40 Përfundon numërimi i votave në Roskovec
Përfundon procesi i votimit të referendumit për degën e PS-së në Bashkinë Roskovec, si dhe njësitë administrative Strum, Kurjan dhe Kuman, ka përfunduar rreth orës 17:30. Nga 869 anëtarë të PS, në votim kanë marrë pjesë 728 anëtarë, nga të cilët 696 kanë votuar "Po" dhe 32 "Jo". E thënë në përqindje, "Po" Edi Ramës janë shprehur 86% e votuesve. 
Në Roskovec morën pjesë 83% e anëtarësisë, nga 248 anëtarë votuan 205, prej të cilëve 183 PO, 20 JO dhe 2 të pavlefshme.
Në Strum morën pjesë 85% e anëtarësisë, nga 288 anëtarë votuan 246, prej të cilëve 220 PO, 4 JO, 2 fletë të dëmtuara dhe 5 të pavlefshme.
Në Kurjan morën pjesë 93.7% e anëtarësisë, nga 128 anëtarë votuan 120, prej të cilëve 116 PO, 3 JO dhe 1 e pavlefshme.
Në Kuman kanë marrë pjesë 76% e anëtarësisë, nga 205 anëtarë votuan 157, prej të cilëve 145 PO, 5 JO dhe 7 të pavlefshme.

Ora 17.15 Përfundon numërimi i votave në Lezhë
Socialistët e qytetit të Lezhës, votuan sot për referendumin e PS, mbi rikonfirmimin e kreut të saj. Nga 1906 anëtarë të regjistruar kanë votuar 1555 anëtarë të PS.
Nga 1511 vota të vlefshme, 1468 anëtarë kanë votuar pro dhe 43 kundra.
 
Ora 16.45 Hafizi: U ndryshuan 3 anëtarët e komisionit zgjedhor
 Deputetja e Partisë Socialiste Mimoza Hafizi është shprehur pas votimit në Shkodër në referendumin për rikonfirmimin e mandatit të kreut të PS Edi Rama, se janë ndryshuar 3 nga 5 anëtarët e komisionit zgjedhor.
 
“Duhet të njoftohesha si deputete për ndryshimin në komision. Ka pasur manipulime në votim, procesi nisi i parregullt,” ka thënë Hafizi, duke shtuar se procesi u organizua dhe u monitorua dhe po pritet të jepen konkluzionet nga një pale.

16:00 Mbyllet votimi në Lezhë, nis numërimi
Në Lezhë është mbyllur procesi i votimit për referendumin, ndërsa mësohet se ka nisur edhe numërimi i votave.
 
Votimi nisi në orën 08:00 dhe u mbyll përpara orarit zyrtar 16:00. Pjesëmarrja e anëtarësisë në referendum për Lezhën, ka qenë në masën 94%.
 
Për qytetin e Lezhës kanë votuar 571 anëtarë të Partisë Socialiste nga 607 që ishin regjistruar gjithsej. 

Ora 14:55 Votimi per Tiranën shtyhet deri ne orën 18:00
Procesi i votimit per qytetin e Tiranes eshte shtyre deri ne oren 18:00

Ora 12:55 Çuçi: Votojne mbi 50% e anëtarëve socialist në kryeqytet
Mbi 50% e anetareve socialiste kane marre pjese ne votimin per referendumin deri ne mesdite, nje shifer qe e konfirmon edhe ministri i çeshtjeve vendore Blendi Çuçi ne nje dalje per mediat

"S'ka dyshim shikoni sa njerëz ka që presin të votojnë dhe është kthyer në njëlloj feste e antëratësisë.S'besoj se është e nevojshme të diskutojme nëse është apo jo e domosdoshme të bëjmë referendum"-tha ai

Çuçi tha se dy deputetët kundër Referendumit po kundërshtojnë rregullin brenda partisë pasi sipas tij ajo është e vendosur nga kongresi

"Qëndrimi i dy deputetëve i padrejtë kundërshtojnë vendimet e kongresit, sjellja më e drejtë është respektimi i statutit"-tha Çuçi

Ora 12:50 Tahiri: Referendumi, shembull për demokracine ne PS, partia përballe ne bunkerin e nje individi  
Ministri i Brendshëm ka ndjekur nga afër procesin e votimit të socialistëve në Tiranë për referendumin, duke u shprehur se pjesëmarrja është e lartë. Tahiri tha se ky proces tregon për demokracinë brenda partisë, ndërsa tha se PD “është një parti në bunkerin e një individi”.

“Jemi afër 50 % por ka ende kohë. Është një shembull i mirë sesi funksionon demokracia brenda partisë për t’i marrë vendimet bashkë. Këtu vendosin anëtarët e partisë, ndërsa tek ata që kemi përballë vendos vetëm njëri. Ata përballë flasin vetëm me dhunë dhe me bllokim. Sot socialistët shprehin me votë mendimin e tyre. Ky është një shembull për demokracinë. Përballë kemi një parti që është në bunkerin e një individi”, tha ministri Tahiri.



 Ora: 12:00 Peleshi nga Korça: Pjesëmarrja 30-40%, PSe hapur, pyet dhe anëtarin më të thjeshtë për vendimarrje
Nga qyteti i Korçës zv/kryeminsitri Niko Peleshi tha se konsolidimi i normave demokratike brenda PS-së është akoma më i rëndësishëm sot që PS është në qeverisje. 

"Një parti ku pyetet dhe anëtari më i thejshtë për vendimarrje është një garanci më shum për qeverisje. Pjesmarrja deri më tani në qytetin e Korcës tha Pelshi është 30-40% dhe po monitorohet nga media.



Ora 11.45 Veliaj: Fitorja e Ramës përkthehet në më shumë reforma
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi ka hedhur votën e tij në referendumin për rikonfirmimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, u shpreh për gazetarët se  kryeministri Rama ka korrur dy fitore të njëpasnjëshme të cilat përkthehen në reforma. Kryebashkiaku Veliaj ka vleresuar procesin e referendumit duke u shprehur se është një formë e demokracisë së brendshme në PS.
 
“Me Edi Ramën do kemi një fitore tjetër që do të përkthehet me më shumë reforma. E vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur kritikave është puna. Me punën që është bërë në PS kemi dhënë një përgjigjje të mirë kritikave. Një parti demokratike brenda vetes është demokratike edhe në qeverisje. U bëj thirrje anëtarëve që të vijnë të shprehin vullnetin e tyre,” tha Veliaj.

Sa i përket transparencës së procesit të votimit, Veliaj u shpreh se ata që kanë vërejtje do të lodhen shumë që të gjejnë diçka që nuk qëndron.



Ora 11:00 Nikolla nga Lezha: Procesi vijon pa probleme, pjesëmarrja e kënaqshme
Ministrja e Arsimit zonja Lindita Nikolla po ndjek procesin e votimit të referendumit nga qyteti i Lezhës.Në një prononcim për mediat tha se Procesi vijon pa probleme dhe se pjesmarrja është e kënaqëshme.Nikolla foli dhe për transparencënë votim duke ftuar të gjithë anëtarët e PS të shprehin vullnetin e tyre të lirë

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim