Plot 196 furgona të rinj do t'i shtohen flotës së Policisë së Shtetit.  Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë prezantimit të këtyre mjeteve tha se tashmë Policisë së Shtetit do t'i rriten kapacitetet teknologjike.

Rama tha se nga një flotë qesharake që kishte policia e shtetit, tani do të kemi një flotë me fuqi të rem motorike.

Nga ana e tij, ministri Sandër Llesha u shpreh se tashmë flota e re e policisë do të rritë eficencën në punën e uniformave blu.

Ambasadori Soreca përsëriti edhe njëherë që BE është donatori më i rëndësishëm i Shqipërisë në këtë periudhë të vështirë.

"Ky kontribut i përbashkët financiar ku padiskutim kontributi i BE është një pjesë e konsiderueshme përveç kontributit të qeverisë. Flota motorike e policisë së shtetit ishte qesharake. Sot ne i japim punonjësve të policisë një fuqi të re motorike dhe sidomos forcave speciale. Një flotë të tërë mjetesh që do të mundësojnë kushte optimale operacioneve. Nuk mbaron këtu. Ne duam të shkojmë më tutje me rritjen e kapaciteteve teknologjike, dixhitale, me futjen e mjeteve të sofistikuara dhe me dronat e fjalës së fundit", tha Rama në fjalën e tij të shkurtër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:59
Rama i kujton Lleshajt e Sorecës: Ruani distancën!

Në kushtet e pandemisë dalja në publik duhet të jetë e kujdesshme, duke respektuar distancimin social. Gjatë prezantimit të flotës së Policisë së Shteti, duket se të pranishmit e harruan këtë fakt. Por ishte kryeministri Rama, i cili ia kujtoi ministrit Lleshaj dhe ambasadorit Soreca që të ruanin distancimin.

" Ruaj distancën, ruaj distancën…", dëgjohet të thotë kryeministri Rama.

" Po, mos të harrojmë Covidin…", iu përgjigj Lleshaj.

Ora 16:54
Flota e re e Policisë së Shtetit, Lleshaj: Rrit eficencën e policisë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se flota e re e policisë së shtetit do te rrisë eficencen e punes në polici.

"Do shpërndahen sipas një plani të përcaktuar nga drejtori i policisë. Policia kriminale, FNSH, RENEA, do të rinovojmë flotën. Kjo rrit eficencën e policisë. Meriton falënderim të madh BE dhe gjithë ata që janë angazhuar për këtë projekt", shprehet ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

Ora 16:52
Soreca: BE, donatori më i rëndësishëm i Shqipërisë

"Këto mjete do të përdoren për patrullimin, për transportin e oficerëve të policisë, për operacionet kundër drogës dhe për aktivitetet e kufirit. Në këto kohë të pandemisë në mënyrë që të behët mirë puna dhe policia të jetë efikase. Dua të falenderoj Policinë e Shtetit për përkushtimin dhe punën që kanë bërë. Gjatë këtyre momenteve të vështira, BE ka qëndruar pranë Shqipërisë. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi donatori më i rëndësishëm i Shqipërisë për nevojat që i duhen për rimëkëmbje", tha Soreca.