Rama: Ftoj të gjithë qytetarët
edhe të PD-së, që të rilindim

Rama: Ftoj të gjithë qytetarët<br /> edhe të PD-së, që të rilindim
TIRANE- Partia Socialiste ka prezantuar sot kandidatët për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit për Qarkun e Tiranës. Qindra simpatizantë mbushën Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", ndërkohë që qindra të tjerë ndiqnin aktivitetin elektroral të PS-së nga jashtë ambienteve të stadiumit. Duke iu drejtuar elektoratit të Tiranës, të pranishëm në këtë aktivitet, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka quajtur këtë takim “më entuziastin në Tiranë që nga viti 2000”.

“Ju sot e keni bërë Pallatin e Sportit, zemrën e Partisë Socialiste. Ju po shpërndani në të gjithë vendin energjinë pozitive të rilindjes shqiptare.
Ne jemi këtu nga të katër anët e Tiranës, jemi zemra e Shqipërisë”, tha Rama.

Nga Pallati i Sportit "Asllan Rusi", kryesocialisti ftoi të gjithë qytetarët të votojnë për rilindjen më 23 qershor, “edhe ata të PD-së, pasi duhet të votojnë Aleancën për Shqipërinë Europiane, që të rilindë edhe Partia Demokratike”.

RAMA: DO HEQIM TAKSAT PER BIZNESIN E VOGEL

Kreu i PS-së iu drejtua qytetarëve të Tiranës të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, duket përmendur përpjekjet e tyre për t’iu përshtatur jetës së kryeqytetit. Rama tha se me punën e tyre e kanë kthyer vendin në një “Amerikë të vogël”.

Këto familje, kanë ngritur sipas mundësive sipërmarrje të ndryshme, por sistemi i taksimit në vend po i rrënon. Rama tha se “taksa progresive po i merr frymën biznesit, duke bërë që çdo orë në Shqipëri të mbyllet një biznes”.

Rama tha se “do heqim taksën e biznesit të vogël, për t’i dhënë frymëmarrje sipërmarrjes, dhe duke mos iu trembur më frikës së falimentimit".

Duke u ndalur tek fushatat e kaluara zgjedhore Rama tha se "në 2009 na i vodhën zgjedhjet, por në 23 qershor Tirana me një votë më masive se asnjëherë tjetër, do të votojë ndëshkimin dhe rilindjen".

Ndërkaq, kreu i PS-së tha se programi i kësaj force politike parashikon mbështetje më të madhe për fermerin dhe rilindje të fshatit.

Me tej, ai tha se zotohet se pas 23 qershorit, nuk do të ketë asnjë rrogëtar të këtij shteti që do t'i nënshtrohet tekave të cilitdo pushteti. Rama tha se PS ka një projekt edhe për infrastrukturën.  Fjala e plotë e Kryetarit të PS-së, Edi Rama

Një tjetër pikë në të cilën u ndal kreu socialist, ku premtoi ndëshkim maksimal ishte dhe kriminaliteti.

“Janë 4-fishuar vrasjet dhe plagosjet. Ne zotohemi se për 300 ditë do t'ju kthejmë shqiptarëve një polici shteti në krye të detyrës. Nga Tirana e në të gjithë Shqipërinë do ta bëjmë rendin dhe sigurinë një shembull për të cilin çdo shqiptar do të ndihet i qetë dhe i sigurtë për veten, familjen dhe pronën. Kush do të guxojë të prekë vajzën, djalin, babain, nënën, pjesëtarë të një familje të zakonshme, ka prekur shtetin dhe do të përballet me policinë e shtetit. Ashtu sikundër, kush do të guxojë të prekë pronën e një familje shqiptare ka prekur të gjithë shtetin, dhe do të përballet me forcën e ligjit që ne do të rivendosim”, tha Rama.

Në mbyllje Edi Rama ka ftuar të këndohet një këngë për Tironën dhe për Tiranën me vargjet “O Tironë, o Tironë, ti për ne je kampion! Je zemra jonë!”.

NE PALLATIN E SPORTIT PARODIZOHET PER RRUGET E DEMTUARA TE TIRANES

Duke marrë si motiv këngën tiranase “Ra Faja prej fikut”, nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi” është bërë humor, duke parodizuar rrugët e dëmtuara të Tiranës, investimet e munguara, gjë që sipas këngës së ndryshuar do të “çojnë në rrëzimin e Saliut prej fikut”.

Aktiviteti elektoral i Partisë Socialiste ka nisur me një koncert festiv, duke vijuar më pas me prezantimin e kandidatëve për Qarkun e Tiranës.

ORA 19:18 PANDELI MAJKO: DO NXJERRIM VENDIN NGA STANJACIONI

Sot Tirana pret ndryshimin. Kundërshtarët tanë kanë përballë fituesin me numrin historik 29. Ne marrim përsipër të përfaqësojmë në Kuvendin e Shqipërisë kryeqendrën e vendit, për të nxjerrë ekonominë nga stanjacioni. Tirana është kryeqyteti i studentëve, i lirisë dhe i shpresës më shumë. Votat e Tiranës në 23 qershor do të mbrohen nga ligji, por edhe vullneti i të gjithëve ne. Mbrojtja e votës, është mbrojtja e lirisë. Shqipëria nuk është një popull i varur nga qeveritarët, fati i Shqipërisë vendoset vetëm nga vota sovrane e popullit shqiptar. Mbrojtja e votës i bën zgjedhjet e 23 qershorit një betejë historike.

ORA 19:15 SAJMIR TAHIRI: NE JEMI SKUADRA E FITORES

Jemi shumë brenda kësaj salle, po edhe më shumë jashtë saj. Në 23 qershor ne nuk shkojmë vetëm për të mundur Sali Berishën, por për të përmbysur këtë pushtet. Ne do të fitojmë në 23 qershor. Në këto 8 vjet kemi parë sesi ekonomia është rrënuar, sesi është rritur papunësia, sesi është rritur pasiguria. Kemi besim se në 23 qershor do të fitojmë me në krye Edi Ramën.

ORA 19:09 DITMIR BUSHATI: FTOJ SKEPTIKET TE VOTOJNE PS

Kërkojmë votën e lirë, dhe ne nuk do të merremi me Sali Berishën që është e shkuara, por kemi përgjegjësinë ta çojmë përpara Shqipërinë. Sot PS është në një situatë shumë më të mirë se 4 vjet më parë. Kemi mësuar nga gabimet tona, nga eksperienca e secilit, sot kemi një grup më të mirë, një skuadër me të mirë, një koalicion më të mirë. Kemi një garanci, që është Edi Rama, fuqia e ndryshimit të Tiranës.
Të gjithë skeptikët që pyesin se çfarë do të bëjë PS, unë ju them se garancia është PS, që në 97 e nxori vendin nga mjerimi. Sot iu them skeptikëve se kush është i pakënaqur nga siguria aktuale, nga sistemi i taksimit, nga sistemin shëndetësor, nga papunësia, nga problemet me papunësinë; dhe me problemet e tjera; unë i ftoj të votojnë 29-ën, të votojnë PS.

ORA 18:55 SPARTAK BRAHO: 23 QERSHORI DO JETE FITORJA JONE ELEKTORALE

Vagoni i aleancës së Shqipërisë Europiane nuk është një, as 40, por është unik. Nuk është me dy shina. Do të jetë vetëm me një shinë. Dhe këtij treni modern të së majtës shqiptare i urojmë fitore. 23 qershori do të jetë revolucioni i fitores sonë elektorale.


ORA 18:54 ARTAN GACI: DO PERFUnDOJME PROCESIN E LEGALIZIMIT

Brenda mandatit të parë do të përfundojmë procesin e legalizimit të banesave. Në Prezë sot ne na u bë kërcënim, por ne nuk dorëzohemi.

ORA 18:48 DASHAMIR PEZA: FSHATI, PRIORITET I PS

Ne me programin e PS-së do ta ndryshojmë jetën e fshatit. Në katër vitet e ardhshme do të investohen shuma të mëdha për bujqësinë dhe do të 5-fishojmë investimet. Do të ulet çmimi i naftës në mënyrë të konsiderueshme për fermerët.

ORA 18:46 SHKRELI: DO KETE RILINDJE PER ARSIMIN

Ne jemi force e majtë dhe si të tillë do të jemi miq me komunitetin. Nuk ka më kurse me para xhepi nga prindërit. Do t'i hapim dyert e klasave për çdo kurs, përsëritje apo sport. Kryeministër, dy fjalë i kam për ty. Unë jam gocë tirane, dhe ne duhet t’i japim këtij vendi një leksion shumë të madh demokracie, se Kavaja e ka bërë dy vjet para nesh. Alternativa është vetëm një. O tani, o tani.

ORA 18.44 ERVIN BUSHATI: TE PERMIRESOJME EKONOMINE

Ekonomia është fokusi i realitetit tonë, pasi është problemi në familjet tona. Problemi i vjetër i shfrytëzimit të pasurive në interes vetëm të disa njerëzve, ka bërë që ne të kemi probleme familjare. Në 23 qershor ju do votoni t’i jepni fund këtij modeli të vjetër. Me Edi Ramën do kemi një model që funksionon për ju, me shërbime, me fshat të begatë, me turizëm të zhvilluar.

18.42 ALFRED DALIPI: JAM KETU PER RILINDJEN E SHQIPERISE

Deputeti Alfred Dalipi tha: "Pas 8 vitesh deputet i Korçës jam këtu të ndaj me ju sfidën e rilindjes. Në 2005-n u bëra pjesë e sfidës së Edi Ramës për të udhëhequr PS drejt fitores. Sot jam këtu për sfidën e Edi Ramës, për sfidën e socialistëve, për sfidën e të gjithëve. Jam këtu për Rilindjen e shqiptarëve."

ORA 18:40 BLERINA GJYLAMETI: GRATE E TIRANES VULOSIN FITOREN E 23 QERSHORIT

Kandidatja Gjylameti tha: "Përshëndetje Tirana!Tirana e di sot më shumë se kurrë se gratë dhe vajzat e Tiranës do të vulosin fitoren e 23 qershorit. Më 23 qershor të gjitha gratë dhe vajzat e Tiranës do të votojnë Rilindjen, programin e Rilindjes Edi Ramën kryeministër. Fitore!"

PS, SOT SKUADRA E TIRANES, RAMA: BERISHA MBUSH SHESHIN ME ROBER

Partia Socialiste do të prezantojë sot pasdite kandidatët për deputetë për kryeqytetin. Kryesocialisti Rama në një koment në rrjetin social Facebook ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në takimin e orës 18.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

“Kjo fushatë për ne s’është vetëm betejë po edhe festë. Eshtë një festë që na mbledh së bashku si lumenj njerëzorë në hapësirat publike, për të afirmuar fuqinë e ëndrrave dhe shpresave tona. Për të bashkuar zërat tanë në korin e madh të shumicës që kudo nëpër Shqipëri, kërkon rilindje pas vitesh të tëra rrënim. Për të bërë që era e ndryshimit të fryjë përditë e më fort në të katër anët e vendit dhe të nxjerrë nga çdo shtëpi shqiptare votën për Rilindjen. Edhe këtu ndryshimi mes nesh e atyre është i madh: Ata i pushtojnë sheshet me trupat e robërve të pushtetit në administratë. Ne i mbushim hapësirat publike me energjinë e jashtëzakonshme të popullit opozitar. Që në 23 qershor të marrë fund edhe robërimi politik i shërbëtorëve të shtetit shqiptar”, ka komentuar kryesocialisti Rama.

META: BRAHO NA PERFAQESON DENJESISHT
I pyetur sot paradite në selinë e LSI-së ëse do të jetë i pranishëm në çeljen e fushatës së PS në Tiranë, duke pasur parasysh se është dhe Spartak Braho në listën e PS-së për Qarkun e Tiranës Meta u përgjigj: “Z. Braho na përfaqëson gjithmonë në mënyrën më të denjë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për një kohë të gjatë.”

I pyetur nëse në fushatë Meta do të jetë bashkë me Ramën u përgjigj:
“Jemi 37 parti në koalicion dhe ju kuptoni se në rast se do të dalim të 37-a së bashku nuk është një mënyrë shumë efikase për realizimin e fushatës elektorale dhe maksimizimin e gjithë objektivave të opozitës. Kështu që do të na shikoni sipas rastit, por gjithmonë në çdo rast, të gjithë në funksion të një objektivi të përbashkët, të arritjes së një fitoreje plebishitare. Dhe kur flas për rëndësinë e arritjes së 80 mandateve këtu nuk kam parasysh thjesht një fitore të thellë, por krijimin e një mazhorance solide për të nesërmen pas zgjedhjeve, e cila të ketë të gjitha mundësitë të realizojë ato reforma që kërkon gjallërimi i situatës ekonomike në vend dhe njëkohësisht hapja vendeve të reja të punës, që është kërkesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, që është pritshmëria ma e madhe e tyre dhe që është angazhimi ynë më i rëndësishëm. “

Redaksia online
(e.s/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI