PS nuk ‘lëshon’ Olta Xhaçkën, mandati s’dërgohet në Kushtetuese! 65 abstenim, 9 kundër, 25 pro! Opozita: Turp! Spiropali: Do i kërkoj mendim Komisionit të Venecias

PS nuk ‘lëshon’ Olta Xhaçkën, mandati s’dërgohet në Kushtetuese! 65 abstenim, 9 kundër, 25 pro! Opozita: Turp! Spiropali: Do i kërkoj mendim Komisionit të Venecias

Votimi për mandatin e Xhaçkës

TIRANË- Për herë të tretë, deputetët e PS nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të socialistes Olta Xhaçkës për verifikim. Pas një seance maratonë në Kuvend, 65 ligjvënës socialistë abstenuan, 9 votuan kundër dhe 25 deputetë të opozitës votuan pro. 

Vetë deputetja Xhaçka nuk mori pjesë në votim edhe pse ishte e pranishme në sallë. Ndërkohë, 9 deputetët që votuan kundër ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë as kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm fare në sallë.

Sapo përfundoi votimi, opozita përplasi tavolinat ndërsa e cilësoi një turp vendimin e socialistëve për të mos zbatuar urdhrin e Gjykatës Kushtetuese. Ashtu siç Report Tv e ka raportuar, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi në përfundim të seancës se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim.

Opozita: S’kemi gjykatë kushtetuese

Spiropali: Teksa Kuvendi ka zbatuar gjithë procedura parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqë ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji, nesër i drejtohem Komisionit të Venecias për mendim.

Opozita: T’iu vijë turp. Turp.

Kuvendi kërkon që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin,  për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka. Opinioni nga Komisioni i Venecias do të kërkohet për të qartësuar sjelljen me rastet që do të pasojnë, për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.

Votimi për mandatin e Olta Xhaçkës
Abstenuan
65 deputetë PS
Votuan kundër
1- Jurgis Çyrbja        (PS)
2- Bledi Çuçi,            (PS)
3- Damian Gjiknuri,   (PS)
4- Anduel Tahiraj,      (PS)
5- Paulin Stërkaj,      (PS)
6- Petro Koçi,            (PS)
7- Klodiana Spahiu,  (PS) 
8- Shkëlqim Bullari   (PS)
9- Bujar Çela            (PS)   
Votuan Pro
25 deputetë të opozitës

Dy raporte
Opozita dhe mazhoranca dolën me dy raporte të ndara. Në raportin e Partisë Demokratike Kuvendit i kërkohej të zbatonte vendimin e gjykatës kushtetuese. Ndër të tjera kryetares së Kuvendit i kërkohej të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë me detyrimin për të votuar “PRO” dhe të vendosë dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën kushtetuese pa vonesa.

Nga ana tjetër, mazhoranca në raportin e saj dukej sikur kishte bërë hapa pas nga qëndrimi i saj i prerë për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese. Në raport, PS argumentonte se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, edhe pse në raport nënvizohej se do të jenë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të cilët do të vendosin vetë me votë.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024 ku shfuqizoi vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarrjen e tyre. Por me vendimin e 10 korrikut iu bë e qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.

Çështja “Xhaçka” ka nisur që prej qershorit të vitit 2022, kur opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj me argumentin se deputetja socialiste është në konflikt interesi për shkak të titullit investitor strategjik që bashkëshorti i saj gëzon me vendim qeverie.

Votimi për mandatin e Xhaçkës
 

Dy raportet e Mazhorancës dhe Opozitës për mandatin e Xhaçkës (PDF)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:34
Çështja ‘Xhaçka’, ja pyetjet e PS për Komisionin e Venecias: A mund të detyrohen deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar?

1725300522_oltaxhacka.JPG
 

Foto: Olta Xhaçka

PS nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për herë të tretë, duke mos dërguar mandatin e Olta Xhaçkës për verifikim.  Kryetarja e Kuvendit njoftoi se do t’i drejtohet nesër (pra 13 shtator) Komisionit të Venecias për mendim. 

Po kush do të jetë objekti për të cilin do kërkojnë mendim?

Në raportin dërguar Kuvendit lidhur me mandatin e Xhaçkës, ishin dhe pyetjet që PS ka përgatitur për Komisionin e Venecias, duke kërkuar mendim në lidhje me përplasjen e kompetencave të Kuvendit dhe Kushtetueses.

Pyetjet për Komisionin e Venecias
1- Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?

2- Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit? Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?

3- Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?

4- Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç'raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë, krahasuar me kompetenën e gjykatës përkatëse?

5- Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë cështjen në gjykatën e caktuar?

Ora 00:14
Mandati i Xhaçkës, Bardhi: Keni burgosur kryetarin e opozitës me pretekstin se s’ka zbatuar një vendim të Shkallës së parë, krekoseni me shkeljen e urdhrave të Kushtetueses

Me debate u zhvillua çështja e mandatit të Xhaçkës në Kuvend, ku opozita kërkoi që të lexoheshin dy raportet e PS dhe PD. Kryetarja e Kuvendit tha se nuk ka përse të lexohen, pro të dalin direkt në votim, pasi opozita dhe mazhoranca kanë të njëjtin mendim.

Bardhi tha se nuk kanë dalë me një opinion, ndërsa foli për Sali Berishën, duke thënë se e kanë burgosur me pretekstin se nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, ndërkohë PS krekoset se nuk zbaton urdhrat e kushtetueses. 

Bardhi: Sipas rregullores, pas përfundimit të shqyrtimit nga Këshilli i Legjislacionit, ose raporti i përbashkët, ose i veçuar i mazhorancës dhe opozitës i prezantohet seancës plenare. Nuk ka ndodhur kurrë që Këshilli Legjislacionit të mos prezantojë pasi i ka paraqitur raportin kryetares së Kuvendit.  Keni burgosur kryetarin e opozitës me pretekstin se s’ka zbatuar një vendim të shkallës së parë dhe krekoseni këtu me dy raste për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dilni për zot votës tuaj në shkelmin të kushtetutës së Shqipërisë.

Spiropali: Siç e theksova raportet janë në faqe dhe janë bërë pjesë e rendit të ditës që u janë shpërndarë deputetëve. Dy raportet s’kanë mendime të ndryshme, rekomandojnë kalimin e çështjes për votim.

Bardhi: Nuk ka një rregullore para një muaj, dh enjë rregullore kur ju u bëtë kryetare. Ne ishim këtu para një muaji kur Këshilli i Legjislacionit paraqiti reportin dh erelatorët lexuan mendimin e opozitës dhe mazhorancës. E pavërtetë që ne dhe mazhoranca kemi të njëjtin mendim. KJU paraqitet raport të ndryshim nga raporti i opozitës. Raporti i opozitës të sugjeron të informosh deputetët që me vendim të Kushtetueses janë të detyruar të votojnë për dërgim në Kushtetuese.

Spiropali: Herën e kaluar ishte raporti i Këshillit të Mandateve.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    SPAK merr të pandehur Berishën për korrupsion pasiv, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Çështja ‘Xhaçka’, ja pyetjet e PS për Komisionin e Venecias: A mund të detyrohen deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar?

Çështja ‘Xhaçka’, ja pyetjet e PS për Komisionin e Venecias: A mund të detyrohen deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar?