Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se shuma e vënën në dispozicion për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve është 18 milionë dollarë, duke nënvizuar se kjo është shuma më e madhe e caktuar ndonjëherë nga shteti shqiptar për këtë shtresë.
Sipas tij kjo punë ka nisur ku vetëm në 300 ditë rreth 1200 ish-të përndjekur kanë marrë këstin e parë pas 24 vitesh, ndërsa shtoi se kjo do të bëhet për t’i dhënë fund kësaj historie që sipas tij shkel identitetin e shoqërisë sonë.
“Si mund ne të mos jemi krenarë që 1200 ish-të përndjekur morën këstin e parë pas 24 vitesh. Nuk do të ketë asnjë ish-të përndjekur të gjallë që ka vuajtur vetë dënimin, që nuk do të marrë të gjithë shumën që i takon, dhe kjo do të ndodhë brenda mandatit të parë. ne në vitin e parë, ku trashëguam 720 milionë dollarë borxh të fshehura për arsye nga më skandalozet, përsëri kemi dedikuar për të burgosurit e Enver Hoxhës shumën më të madhe, 18 milionë dollarë. Këtë nuk do ta bëjmë për vota, por për ne ky është momenti i mbylljes së një historie të shoqërisë sonë që nuk mundet më të jetë shkleje e identitetit tonë.” theksoi kryeministri Edi Rama
"Në 300 ditë, janë shkurtuar 20 mijë abuzime me vlerë 100 milionë dollarë"
Duke vijuar më tej kryeministri i Shqipërisë, teksa vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Mirëqënies Sociale, tha se në 300 ditët e para janë hequr nga lista e pagesave të personave në nevojë 20 mijë raste abuzimesh që siç theksoi kryeministri ndodheshin aty për shkak të klientelizmave.
Rama tha se dëmi i shkaktuar nga këto abuzime kap vlerën 100 milionë dollarë, që do të thotë sipas tij pagesë për dy vitet e ardhshme për personat e duhur.
“Në këtë vend është ngrënë shumë në kurriz të tjerëve. Në këtë vend janë paguar si ish-të përndjekur persona që nuk kanë bërë asnjë ditë burg. Janë paguar të verbër me sy në ballë. Dhe në 300 ditë dolën jashtë skemës së pagesave 20 mijë njerëz që ishin paguar me klientelizëm, në vlerën 100 milionë dollarë, aq sa duhej për të paguar 2 vjet rresht njerëzit e duhur. Dhe këtu jemi në kushtet ku shohim qartësisht se mund të bëhet më shumë se kaq, ku njerëzit e duhur të marrin atë që u takon.“ tha Rama
"Kush kërkon punë gjen, sot 44 mijë persona më shumë në punë"
Rama u ndal edhe tek punësimet e bëra gjatë qeverisë së drejtuar prej tij në këto 300 ditët e para, ku theksoi se 43 879 njerëz janë punësuar, duke shtuar se kushdo që kërkon punë duhet ta kërkojë atë dhe jo të presë.
Sipas Ramës sot Shqipëria është në një gjendje që mund të ofrojë një vend punë për këdo që do të punojë, dhe sipas tij këtë tendencë e kanë emigrantët e rikthyer në Shqipëri më shumë se sa të rinjtë shqiptarë që jetojnë këtu.
“Sot kemi 43 879 më shumë njerëz në punë dhe kjo është shenjë për ata që presin një punë nga qielli që është e mundur të gjendet një punë por duhet kërkuar. Tek e mbramja sot është koha që Shqipëria një punë është e gatshme t’i japë punë kujtdo që do të punojë. Flas këtu për pensionistët 25 vjeçarë ku njerëz që kërkojnë punë sapo i krijohet mundësia rrudhin buzët dhe nuk pranojnë. Puna nuk do vijë si plaku i Vitit të ri, punën duhet ta gjesh përmes zyrave të punës. Në pjesën më të madhe janë punësuar persona të kthyer nga emigracioni se nuk kanë paragjykime dhe trokasin në zyrat e punës. Unë takoj zonja 60 vjeç që kërkojnë punë për djemtë e tyre 40 vjeç që luajnë lojra fati dhe presin që të humbasë Gjermania.” u shpreh Rama
Sipas Ramës, meritë dhe mundësi për punësim kanë edhe Zyrat e Punës të hapura në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ai tha se deri dje këto zyra ishin pjesa më e paaftë e qeverisë, ndërsa sot kjo gjë ka ndryshuar duke shtuar se vetëm nga fondi i punësimit janë 3000 persona më shumë në punë.
“Zyrat e punës deri dje ishin pjesa më e paaftë e partisë. Ata në zyrat e punës rrinin me muhabet me njëri tjetrin dhe linin pa punë të gjithë të tjerët. Vjet punësoheshin 200 persona, dhe po ato persona punësoheshin ccdo vit, ndërsa këtë vit përmes fondit të punësimit janë punësuar 3000 persona.” tha Kryeministri
"Në 300 ditë zgjidhëm problemin e toponimeve, qeveritë e tjera asnjë përpjekje në 24 vjet"
Kryeministri Rama foli edhe për problemin e toponimeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi duke nënvizuar se në 300 ditë ky problem u zgjidh ndërsa siç theksoi ai asnjë nga qeveritë paraardhëse nuk bënte përpjekje për këtë çështje.
“Çështja e emigrantëve të Greqisë për toponimet dhe ajo e pensioneve dhe nuk ka pasur asnjë përpjekje e qeverive paraardhëse për këto probleme. Ne e zgjidhëm problemin e toponimeve brenda 300 ditëve të para, problem ky që qeveria shqiptare duhet të merrte pjesën e vetë të përgjegjësisë. Dhe sot nuk ka asnjë pengesë për këdo në kufi që të mund të vijë në Shqipëri.” tha Rama
"Problemi i pensionit të emigrantëve drejt zgjidhjes"
Ndërsa sa i përket pensioneve të emigrantëve, Rama u shpreh se ka nisur puna për këtë problem dhe shumë shpejt do të zgjidhet. Ai u bëri thirrje emigrantëve se tashmë ata nuk duhet të ndihen vetëm pasi qeveria ka menduar edhe për ta.
“Sa i përket pensioneve kemi filluar bisedimet me të gjitha vendet. Ministri mbylli marrëveshjen e parë atë me Belgjikë. Gjithashtu jemi në rrugë të mbarë edhe me Austrinë për t’ju thënë se këtu nuk është vetëm familja juaj këtu por ka edhe një qeveri që është pjesë e juaja.” tha Kryeministri
Konferenca e sotme u mbajt për të bërë një paraqitje të punës së Ministrisë së Mirëqënies Sociale gjatë këtyre 300 ditëve të para të koalicionit qeverisë PS-LSI, ku i pranishëm ishte edhe ministri Erion Veliaj.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)