Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar Greqinë një “partner strategjik” dhe që mund të luajë rolin e katalizatorit në "udhëtimin- perspektivën e Shqipërisë drejt BE".
Në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve AMNA, kryeministri Rama thekson se shqiptarët janë një popull proevropian, me destinacion të fundit, Bashkimin Evropian. Se sa shpejt do ta kemi shansin të jemi pjesëtarë të familjes europiane, kjo gjë varet prej nesh. Për këtë arsye prioritet për ne ngelet fitimi i statusit të vendit kandidat në dhjetor dhe çelja e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur", shprehet Rama.
Rama deklaroi se në dhjetor të këtij viti Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe më pas do të vazhdojë të hedhë hapat për anëtarësimin e plotë. “Në këtë kontekst, një partner strategjik dhe një vend fqinj si Greqia, e cila do të marrë presidencën e radhës së BE në janar 2014, mund të luajë një rol kyç në përshpejtimin e "udhëtimit" të Shqipërisë për në destinacionin përfundimtar, në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Rama nënvizoi bindjen e tij se marrëdhëniet mes dy vendeve do të shënojnë një bashkëpunim të ngushtë në interes të secilit prej tyre. “Qeveria jonë e konsideron Greqinë një vend mik, ku punojnë një numër i madh shqiptarësh që nga viti ’90”, tha kryeministri shqiptar duke ripërsëritur se politika e jashtme e qeverisë së tij mbështetet në parimin “zero probleme me fqinjët ". Për qeverinë shqiptare, Greqia konsiderohet si një vend mik dhe një partner strategjik, ku jeton e punon një numër i madh shqiptarësh, të cilët u larguan në vitet ’90. Për mua personalisht, shprehet Rama, i rëndësishëm është fakti që si përfaqësuesit e politikës dhe qeverisë shqiptare, ashtu edhe përfaqësuesit e qeverisë greke, kanë shprehur dëshirën e mirë dhe gatishmërinë që të kapërcejnë çfarëdo problemi të çastit.
"Përsëris, me bindje të plotë, se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të karakterizohen nga bashkëpunimi i ngushtë në interes të secilit prej nesh", deklaron kryeministri shqiptar. "Mendoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët janë shumë të mira dhe jam i bindur se, brenda muajve të ardhshëm do të kemi një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë politikë të shteteve fqinje, të cilat nga ana e tyre do t’i forcojnë edhe më shumë këto marrëdhënie".
Zoti Rama duket i vendosur gjithashtu të lërë pas retorikën nacionaliste të atyre partive, që sipas tij, kërkonin ta përdornin dhe të përfitonin nga problemet e përditshme të shqiptarëve. “Aleanca Evropiane për Shqipërinë ka një program politik proevropian dhe jo nacionalist. Shqiptarët më 23 qershor votuan kundër retorikave nacionaliste. Ne duam të shohim përpara dhe ta lëvizim gjeneratën e ardhshme drejt BE”, ka siguruar kreu i qeverisë shqiptare.
I pyetur për marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit, Rama është shprehur se ajo ka hapur një epokë të re për rajonin tonë. Ai ka dhënë sigurinë se Shqipëria do të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit dhe Evropës Lindore.
Lidhur me prioritetet e politikës së brendshme, Rama tha se ato lidhen "vizionin e integrimit evropian”. “Në axhendën tonë ambicioze për të nxitur ekonominë produktive dhe për sigurimin e 300 000 vendeve të reja të punës, një prioritet i rëndësishëm është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të rivendosim sigurinë për çdo familje shqiptare dhe do të ofrojmë një sistem universal të kujdesit shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët, qofshin të punësuar apo jo. Qeveria jonë do të shpëtojë fshatin nga kolapsi, do të sigurojë një sistem arsimor cilësor dhe në bashkëpunim me Kosovën, do të ofrojmë një paketë të plotë pushimesh në të katër stinët”.
Rama në intervistë e karakterizon gazsjellësin TAP, si një "mundësi të mirë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet fqinje”. Sa i përket faktit se për herë të parë që prej rënies së komunizmit në Shqipëri, minoriteti grek nuk është i përfaqësuar në qeveri, kryeministri i Shqipërisë siguron se partia BPDNJ mbetet një prej partnerëve strategjikë të PS dhe shpreh besimin se “kreu i saj Vangjel Dule me pjekurinë dhe përvojën e tij do të kontribuojë në menaxhimin e punës së Parlamentit, në postin e zëvendëskryetarit të tij”.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)