Analiza e qeverisjes-Rama hedh piketat për 300-ditëshin e dytë dhe vendoret 2019

Analiza e qeverisjes-Rama hedh piketat për 300-ditëshin e dytë dhe vendoret 2019

Rama mbledh qeverinë

Rama analizë për 300-ditëshin e parë të mandatit të dytë të qeverisë, përcaktohen objektivat për 300-ditëshin e dytë

Pushimet për qeverinë kanë mbaruar. Që prej së hënës ministrat dhe stafet e tyre janë kthyer në punë, ndërsa dje i pari i qeverisë Edi Rama i ka mbledhur në një takim informal pune. Siç mëson Shqiptarja.com dhe Report Tv takimi u mbajt në vilën qeveritare në Vlorë dhe nisi rreth orës 10:00. Takimi u fokusua tek analiza e 300-ditëshit të parë të mandatit të dytë të qeverisë Rama, ndërsa për të mbyllur bilancin e tyre dhe për të përcaktuar objektivat e 300-ditëshit të dytë, Rama do të ketë asistencën e kompanisë së ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Ndonëse vëmendja e mediave është fokusuar tek ndryshimet në qeveri, Report Tv mëson se gjatë mbledhjes së djeshme Rama është fokusuar në këtë drejtim. Kryeministri pritet të marrë vendime në javët e para të shtatorit. Me shumë gjasa ndryshimet ai do t’i shpallë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, për të cilën nuk ka ende një datë. Ministrat do të raportojnë mbi programin që kanë zbatuar pas marrjes së detyrës si dhe projektet që nuk kanë mundur të realizojnë. Raporti do të jetë skaner i plotë i punës dhe një pikë e fortë për të vendosur nëse do të qëndrojnë në detyrë apo do të largohen në vjeshtë. Bëhet me dije gjithashtu se instrumenti matës i punës së çdo ministri, përveç realizimit të objektivave të programit të 300 ditëve të para, do të jetë edhe platforma e bashkëqeverisjes “shqipëriaqëduam.al”, në të cilën qytetarët shprehin ankesat dhe problematikat që ndeshin në zyrat e administratës. Sipas raportit të publikuar nga vetë Kryeministri Rama, në 10 muaj të funksionimit të platformës, janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve, që deri dje mbeteshin sirtarëve të zyrave të shtetit. “Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam”, u shpreh Kryeministri Rama pak ditë më parë. Përveç ministrave në mbledhje do të jetë edhe Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

Zgjedhjet lokale   

Përpos analizës së 300 ditëve të para të qeverisjes dhe përcaktimit të objektivave për 300 ditët e dyta, në fikus të mbledhjes së kryeministrit Rama me ministrat dhe përfaqësuesit më të lartë të Partisë Socialiste janë edhe zgjedhjet lokale. Partia Socialiste ka nisur që prej një viti përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke përcaktuar realizimin e 9 objektivave. Edhe zgjedhjet lokale janë të lidhura ngushtë me platformën e bashkëqeverisjes. Gjithashtu, në vijim, do të vlerësohet edhe performanca e kryetarëve të bashkive, përfaqësues të Partisë Socialiste. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS, të gjithë kryebashkiakët janë paralajmëruar se janë në provë nëse do të konfirmohen apo jo për një mandat të dytë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Strategjia kundër korrupsionit 2024-2030, Pirdeni takim me Dhomat e Bizneseve dhe të Tregtisë: Aleancë me biznesin për promovimin e integritetit

Strategjia kundër korrupsionit 2024-2030, Pirdeni takim me Dhomat e Bizneseve dhe të Tregtisë: Aleancë me biznesin për promovimin e integritetit