Rama: Heqim fashën 300 kWh
nuk preken shtresat në nevojë

Rama: Heqim fashën 300 kWh<br />nuk preken shtresat në nevojë
TIRANE- Heqja e fashës 300 kWh nuk do të prekë ekonominë e pensionistëve kryefamiljarë, personave me aftësi të kufizuar apo atyre që marrin ndihmë ekonomike. Kryeministri Rama është shprehur se për këto kategori do të ketë rritje të masës së pensionit apo të ndihmës ekonomike në mënyrë që t’u kompensohet pagesa e energjisë pas heqjes së fashës. Këtë e ka shprehur kryeministri Rama gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë e përfaqësues të PAK, që po mbahet në “Sallën e Hartave” në kryeministri

Teksa njoftoi më herët këtë takim në faqen e tij në rrjetin social "Facebook", Rama shkruante se “nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë dhe nuk do të lejohet që nga heqja e fashës abuzive 300 kWh të preken të varfrit”. 

Ndërsa e ka cilësuar fashën e 300 kWh si një farsë e cila mbronte abuzuesit, Rama u shpreh se qeveria ndodhej përpara dy alternativave heqjen e kësaj farse, apo rritjen e çmimit, ndërkohë theksoi se  ka një spekullim me çmimin e energjisë.

Më tej Kryeministri Rama duke folur për aksionin e ndërmarrë nga OSHEE në bashkëpunim me policinë për arrestimin e personave të cilët vjedhin energjinë apo debitorëve, theksoi se operacioni është përqëndruar te biznesmenët.

Për kryeministrin, qeveria nuk do të kthehet pas nga rruga e nisur, pasi siç thekson ai kjo shumicë është votuar për të ndërtuar një shtet. Ndërsa thekson se po bëhen gjerat e duhura, ai shton se kjo është themel për shtëpinë tonë.

Duke bërë të ditur se në vend mungojnë 150.000 sahatë dhe pasi paralajmëroi heqjen e faturave afrofe, Rama shton se të hënën do të firmoset marrëveshja për 150 milionë dollarë nga Banka Botërore që do të kalojnë në formën e investimeve për sistemin e energjisë.Gjithashtu ai ka cilësuar si një lajm të mirë raportin më të fundit të BB, "Doing Bussines". Sipas tij ky raport krijon kushtet për më tepër punësim.

Rama: Do rrisim pensionin për pensionistët kryefamiljarë dhe ndihmën ekonomike
Heqja e fashës 300 kWh nuk do të prekë ekonominë e pensionistëve kryefamiljarë, personat me aftësi të kufizuar apo ata që marrin ndihmë ekonomike. Kryeministri Rama është shprehur se për këto kategori do të ketë rritje të masës së pensionit apo të ndihmës ekonomike në mënyrë që t’u kompensohet pagesa e energjisë pas heqjes së fashës. Masat e ndërmarra sipas kreut të qeverisë, nuk janë në kurriz të më të dobëtëve, apo atyre që e paguajnë energjinë, por veprojnë ndaj atyre që e vjedhin atë.
 
“Këto masa nuk janë në kurriz të fukarenjve, nuk janë në kurriz në më të dobëtëve. Ka një spekulim mbi këtë që kemi nisur, shumë njerëz kërkojnë të justifikojnë vjedhjen me varfërinë. Askush nuk shkon në dyqan të marr bukën e të iki pa paguar, e të thotë skam me se të paguaj. Asnjë pensionit nuk manipulon sahatin apo të bëjë lidhje të jashtëligjshme. Pensionistët janë pagatorët më të rregullt. Na vijnë nga bizneset dhe shumë të kamur që fshihen pas fashës mbrojtëse. Përgjigja është e qartë dhe shumë shpejt do të jetë fakt konkret në xhepat tuaj. Pensioni i çdo pensionisti kryefamiljar, dhe pagesa për ata ata që marrin ndihmë ekomomike dhe personat me aftësi të kufizuar do të rritet. Asnjëri nuk do të kursejë për të paguar energjinë elektrike. Kjo reformë nuk prek mbijetesën. Dhe do të garantojmë që ky vend të lajë njollën e madhe të turpit që jeton duke vjedhur energjinë elektrike e duke i hapur vetes gropën”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se vite me radhë kjo situatë është lënë kështu pa marrë masa, ndërsa thotë se “Politikanët për vite të tëra kanë preferuar ta mbajnë popullin në gjumë. Na duhen tre vjet për t’u marrë me këtë periudhë për t’ia dalë e për të mos ia lënë të tjerëve në dorë”.

rama

Rama:Çmimi i energjisë, zgjodhëm të heqim farsën e 300 kilovatëve 
Kryeministri Rama ka sqaruar se vendi ka qenë para dy alternativave rritjes së çmimit dhe heqjes së fashës prej 300 kilovatësh. Sipas Ramës, kjo fashë ka qenë një farsë e vendosur me idenë që pas meje të bëhet ç’të dojë.
 
“Ne kemi një problem të trashëguar që lidhet me ju, njerëzit në nevojë, që është fasha e 300 kilovatëve. Por kjo është kthyer në mburojë për ata që vjedhin energjinë. Ne do të heqim fashën. Kemi qenë para dy alternativave, të heqim fashën ose të rrisim çmimin. Rritja e çmimit ishte shumë e dhimbshme. Heqja e fashës i jep fund një farse, që është luajtur me idenë që pas meje të bëhet ç’të dojë. 300 kliovatëshi u vu si pjesë e kësaj farse. Ne jemi të detyruar të përballemi me problemin. Dhe të mos përsërisim fajin ndaj jush, duke iu thënë shiko ne do ju mbrojmë e duke iu lënë në rrugë. Po të shikosh edhe shpenzimet e buxheteve këto para nuk janë shpenzuar. Ne po përgatitemi të rrisim pensionet e gjithë pensionisteve që janë kryefamiljarë dhe të rrisim pagën e gjithë personave që jetojnë me ndihmë ekonomike si dhe pagën e personave me aftësi të kufizuar.”-tha Rama.

rama

Rama: Aksioni jo në dyert e paraplegjikëve apo konsumatorëve, por të biznesmenëve 
Kryeministri Rama ndërsa i është përgjigjur pyetjes së një personi me aftësi të kufizuar se nëse do të arrestohen debitorët e kësaj kategorie ka theksuar se nuk është vajtur në dyert e pensionistëve, paraplegjikëve apo konsumatorëve, por në derën e bizneseve.  Ai shtoi se  Nuk janë arrestuar fukarenj, por janë arrestuar njerëz që kanë njësi tregtare. Janë arrestuar punonjës të kompanisë, pasi kanë përgjegjësinë më të madhe.
 
"Besoj e keni vënë re në këto dy ditë që nuk kanë vajtur në derën e pensionistëve, paraplegjikëve apo konsumatorëve, por në derën e bizneseve. Nuk janë arrestuar fukarenj, por janë arrestuar njerëz që kanë njësi tregtare. Janë arrestuar punonjës të kompanisë, pasi kanë përgjegjësinë më të madhe. Në vend të garantojnë që kompania të marrë atë që duhet bëjnë lidhje të tjera manipulojnë sahatet në këmbim të lekëve. Pjesën më të madhe të gjëmës e bëjnë atë që kanë jo atë që s’kanë. Nuk jemi në këtë kolaps se një familje e varfër ndez llambën. Ne nuk mund të amnistojmë energjinë elektrike. Askush nuk mund ta përfytyrojë të vjedhë energjinë elektrike. Jemi vendi që e vjedhim dhe nuk e kursejmë. Jemi vendi që shumë kush që nuk paguan, ndriçon gjithë oborrin e ndërmarrjes ditë natë. Në vendin më të pasur të Europës, në Gjermani nuk e përfytyrojë të ikin e të lënë dritën ndezur. Nuk do përdorim atë skemë subvencionimi, por do të rrisim pensionet, ndihmat ekonomike dhe pagat për PAK që askush mos ketë problem të paguajë energjinë"- tha Rama.
 
Ne nuk mund të bëjmë gabimet e të shkuarës, mund të bëjmë gabime por gabime të reja. Projekt-buxheti do të shkojë në afatin e duhur. Do bëjmë një diskutim të thellë për gjithë zgjedhjet që kemi bërë , e do e keni të përcaktuar në buxhet këtë rritje, masën që heqja e fashës të mos ketë asnjë efekt. Janë rreth 200 mijë familje në total.

rama me pensionistet
(Në foto: Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit me pensionistët)

Rama: Po spekulohet me çmimin e energjisë
Kryeministri Edi Rama tha se po spekulohet me çmimin e energjisë, ndërsa theksoi se qeveria do të mbrojë shtresat në nevojë. I pyetur edhe nga pensionistet lidhur me aksionin e ndërmarrë nga OSHEE dhe Policia e Shtetit kundër vjedhjes së energjisë, kryeministri Rama tha se operacioni është përqendruar tek ato biznese që nuk e paguajnë energjisë që konsumojnë.
 
“Ka një spekulim shumë të madh lidhur me çmimin e energjisë, me këtë politikë që po ndjekim për shtresat në nevojë. E bëjmë këtë bashkëbisedim për të çelur e folur me fakte. Të gjithë së bashku duhet të kuptomë se në çfarë situate jemi, dhe si do dalim. Këtu kam ftuar edhe disa nga ministrat që janë pjesë e skuadrës dhe pjesë e kësaj reforme; si dhe drejtuesin e kompanisë së shpërndarjes. Dua të adresoj një volum ankesash dhe kritikash, që në përgjithësi vijnë nga një kulturë e papranueshme për një vend europian. Për një vend ku asnjë lloj vjedhje nuk mund të justifikohet. Dhe ana tjetër dizinformacioni që po bëhet. Arsyeja pse Shqipëria është sot në këto kushte nuk janë as pensionistët e as PAK. Nuk janë këta hajdutët, që kanë sjellë deri këtu këtë situatë. Duke përfituar nga verbëria e politikanëve. Ne nuk mund ta lejojmë që sëmundja që është një sëmundje e trashëguar të na kërcënuar, është thënë se shtresat në nevojë janë të mbrojtura, por vetëm në letër sepse kanë dështuar”, tha Rama.

rama


Rama: Shkeljet jo nga pensionistët apo PAK, por nga të fortët e lagjeve të fukarenjve 
Kryeministri Rama ka theksuar se nuk parë asnjë pensionit apo nga PAK që të zërë oborrin e lagjeve, por se një gjë e tillë ka ndodhur nga ata që i thonë vetes ne jemi të fortët e lagjes e atyre që janë fukarenj.

“Nuk parë asnjë pensionit apo nga PAK që të zërë oborrin e lagjeve. Ajo që po ndodh në radhë të parë është për të vendosur barazinë mes atyre që janë mësuar t’i thonë vetes ne jemi të fortët e lagjes e atyre që janë fukarenj. Ne nuk mund ta imagjinojmë që të rrethohemi nga gjithfarë llojëshëmtish, që janë ngritur mbi kurrizin e atyre që respektojë ligjin. Do t’i bëjmë të gjitha paralelisht. Unë i kisha të gjitha flokët në dispozicion kur thamë se duam Shqipërisë si gjithë Evropa. Tani i numëroj e Shqipëria është akoma larg Evropës.”
 
Rama: Nuk kemi kthim prapa, jemi votuar për të ndërtuar një shtet 
Për kryeministri Rama, qeveria nuk do të kthehet pas nga rruga e nisur, pasi siç thekson ai kjo shumicë është votuar për të ndërtuar një shtet. Ndërsa thekson se po bëhen gjerat e duhura, Rama shton se kjo është themel për shtëpinë tonë.
 
“Ne nuk kemi kthim mbrapa. Jemi votuar për të ndërtuar një shtet i cili është shtet. Sigurisht që disa nuk mund ta kenë ditur kështu. Unë nuk jam bërë kryeministër për të qëndruar kot. As kam pasur qejf bixhozin e as kam qenë komunist. Duhet një nga këto të dyja t’i mashtrosh njerëzit. Duhet të jetë antikominist komunist që të thuash kjo është parajsa. Ne po bëjmë gjerat e duhura, në një vend që është mësuar me rrumpallë. Nuk është një dhimbje që të shtrin në krevat, por të ngre nga krevati. Koha do të tregojë këtë që po bëjmë. Kjo është themel për shtëpinë tonë, jo ta bëjmë shtëpinë pa themel e ta lëmë pa themel e t’iu zërë brenda.”- tha Rama.
 
Duke iu rikthyer energjisë elektrike Kryeministri Rama vlerëson se pavarësisht se jemi vendi i dytë në botë për burime ujore, pas Norvegjisë, vendi asnjëherë nuk është udhëhequr në rrugën e drejtë. Duke u gjendur kështu në një situatë që na bën të humbasim çdo vit milionë euro investime.
 
“Jemi vendi i dytë në botë për burime ujore, pas Norvegjisë. Për fat të keq nuk kemi udhëhequr asnjëherë në rrugën e drejtë. Jemi udhëhequr mbrapsht. Sot kemi trashëguar një situatë që është agoni e plotë e që na bën të humbasim çdo vit 150 shkolla të reja. Humbasim aq sa paguajmë çdo vit për të gjithë ndihmën sociale. Humbasim çdo vit 100 km rrugë, jo si rrugët pa rrugë që s’dimë nga t’i kapim.”- u shpreh Rama.

Rama: Mungojnë 150 mijë sahate, heqim faturat afrofe 
Kryeministri Rama gjatë takimit me personat në nevojë ka bërë të ditur se në Shqipëri sot mungojnë rreth 150 mijë, dhe se në sistemin e shpërndarjes nuk është investuar, por ky ngërç do të kalohet sipas Ramës pasi ditën e hënë do të firmoset me BB një marrëveshje prej 150 milionë dollarë.
 
“Sot në Shqipëri mungojnë rreth 150 mijë sahate. Një pjesë tjetër që janë të dëmtuar e të manipuluar. Kemi një sistem shpërndarje që nuk është investuar. Ka njerëz që s’kanë durim, nuk kanë faj. Por kjo nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Falë faktit që ne kemi vendosur t’i biem drejt, e t’i zgjojmë nga gjumi në ditën e hënë do të firmosin të marrim 150 milionë dollarë për këtë gjë. Nuk i jepnin më përpara institucionet ndërkombëtare këto lekë. Ne jemi duke filluar të kalojmë nga ky sistem i matjes dhe leximit në një sistem të avancuar teknologjik.”-tha Rama.
 
Rama gjithashtu ka premtuar heqjen e faturave afrofe, ndërsa ka akuzuar qeverinë e kaluar se tashmë bën të paditurën.
 
“Fatura afrofe është një nga gjërat më të shëmtuara dhe të padrejta që mund të ketë. Pa ka sot një mundësi tjetër? Ata që e lanë faturën afrofe të bëhej sistem e që u fshehën për të mos bërë reforma e tani flasin ç’është kjo faturë. Ne duam këtë faturë ta zhdukim një orë e më parë. Duhet të investojmë po me se, shteti nuk është një babagjysh qe e ka thesin plotë. Pikërisht se na duhen këto investime duhet që këto para t’i nxjerrim nga gropa. Lexoj komente nga emigrantë që mundohen të justifikojnë vjedhjen. Gjithë ata që janë në emigracion nuk kanë vajtur tek dera e ministrit e t’i thonë duam të jemi drejtor. Shkojnë tek privati e punësohen aty.  Ne hasim të reja e të rinj që hasim: pse punë është fasoni? Ose të tjerë që duan punë në shtet. Apo arsyetimi tjetër hapni vende punë e pastaj zbatojmë ligjet.”- tha Rama.
 
Raporti i BB, Rama: Lajm i mirë, na krijon kushtet për më tepër punësim 
Raportin e Bankës Botërore “Doing Business”, Rama e ka ricilësuar si një lajm fantastik 
“Sot kemi marrë një lajm fantastik nga BB. Është një lajm i mirë që na krijon kushte të kemi më shumë punësim. Gjithë ata njerëz të punësuar, që rezultojnë në librat e shtetit si taksapagues janë 32.600. Kjo reformë na sjell të ardhmen tonë pas 4-5 vjetësh. Unë e di shumë mirë çdo të thotë të paguash energjinë, kam një nënë që është pensioniste.Është personi që më mban të informuar, nuk është nga Gjirokastra. Nuk ka një rrugë tjetër, rruga e të bërit sikur është mbyll në 23 qershor. Rruga e vënies në gjumë e popullit se lala Gjoni nuk i lë të paguash energjinë, kjo ka mbaruar. ”- u shpreh Rama.

Rama: Ja pse nisi tani ky operacion
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar gjithashtu se pse nisi tani operacioni. Sipas tij tani ka përfunduar privatizimi i plotë i Kompanisë së Shpërndarjes.  Ai madje tha se kodi penal ndaj është ndryshuar që të mos shpëtoj asnjë vjedhës i energjisë, apo më keq akoma ndihmësit e tyre. Gjithashtu shefi i qeverisë paralajmëroi dhe gjyqtarët e që kanë liruar vjedhësit e energjisë.

“Do t’iu them se përse ky operacion nisi tani e jo 6 muaj më parë.  Së pari kompania u privatizua me korrupsion, e kemi thënë që kur ishim në opozitë. Kemi thënë gjitha arsyet pse privatizimi ishte i dështuar.  Dhe ja ku erdhëm, kompania u privatizua për të ulur humbjet tekike dhe për të hequr vjedhjet. Nga 34 % nga vjedhjet, këta privatët në bashkëpunim me ata që e lanë qeverinë e çuan në 45%.  E 45% kaloi 50% kur i përzuri dhe ata, e mbeti kompania jetim. Mbeti jetim po të zotin ligjor e kishin ata. Ne i larguam pa i futur shqiptarët në një borxh tjetër.  Ata që ikën për të gjitha ato që kanë bërë vet na akuzojnë ne. Zgjidhja e konfliktit me CEZ, nuk ishte nje proces që është bërë nga familja ime, as nga miqtë serb të familjes sime, as nga barku i ngushtë i familjes.  Por në bashkëpunim me FMN  dhe BB. E bëmë për të shpëtuar Shqipëriinë nga grushti i fundit drejt humnerës.  Si ka mundësi që BB e FMN nuk na kritikoi për këtë zgjidhje konflikti?  Pa zgjidhje të këtij konflikti nuk do na jepnin 150 milion që do firmosim ditën e hënë. Operacioni nis se konflikti ligjor ka përfunduar, sot kompania është përgjegjësia jonë. Operacioni nuk është vetëm për të ndeshkuar me burg ata që vjedhin energjinë.  Dhe kodi penal nuk është bërë kot, deri më dje gjyqtarët ishin si lypsat, e me pak lekë linin të lirë gjithë vjedhësit.  Ndaj sot e përcakton shumë mirë 3 vjet burg për ata që vjedhin energjinë, edhe më shumë për ata që bashkëpunojnë, faturistat, që janë nëna e kësaj të keqeje”, deklaroi Rama.

Rama: Qeveria vidhte bashke me CEZ
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar edhe marrëveshjen me CEZ. Sipas tij problemi i vjedhjeve  nuk ishte vetëm CEZ, por edhe qeveria e kaluar që bëhej palë me ta.   
“Nuk është CEZ problemi kryesor. Vjedhja e energjisë nuk ka filluar me CEZ, por gjatë kësaj kohe është rritur. Qeveria mbyllte sytë kur CEZ vidhte e CEZ nuk thoshte asgjë  kur qeveria merrte atë që donte. Është e pavërtetë ajo që thuhet. Çdo reformë bëhet që të paguajmë sot një kosto të vogël e nesër një fitim më të madh.  Kjo reformë e ka dhe rrezikun që rritet pakënaqësia. Unë them që zgjidhja e konfliktit me CEZ ishte gjëja më e mirë, e do dalim në ujera tërësisht të mira.  Duhet të mjellin që të korrim. Duhet të shkullim fera, duhet të mbjellim, ta bëjmë gjithë procesin e farës e pastaj të korrim. Kjo vjen për energjinë, për arsimin, për të gjitha. Kush kërkon që ne sot të themi ja ku është fruti që jemi zotuar duhet të më tregojë ku është fusha për të mbjellë. Dhe unë ju themi se ku kemi mbjellë, sepse jemi akoma duke shkulur ferra e duke hequr plera. Sheteti ka filluar të funksionojë, të bëjë detyrën”, deklaroi Rama.  
 
Rama: Aksion ndaj bizneseve që vjedhin energjinë
Duke u ndalur tek aksioni i OSHEE dhe Policisë së Shtetit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, kryeministri Rama thotë se nga rezultatet e deritanishme të operacionit duket qartë se shënjestra kryesore janë ato biznese që nuk e paguajnë energjinë që konsumojnë.
 
“Rezultatet e operacionit të saponisur kundër vjedhjes së energjisë, flasin qartë së shënjestra kryesore janë njësite e biznesit që paguajnë sa një familje dhe po ashtu, bashkëpunëtorët e tyre brenda kompanisë së shpërndarjes! Çdo punonjës i OSSHE që ka vënë dorë në sahatin e elektrikut apo në linjat e furnizimit për të manipuluar konsumin në favor të klientit që vjedh energjinë, do të kallëzohet për bashkëpunim në vjedhjen e energjisë - sipas Kodit Penal ndëshkohet me 5 vjet heqje lirie! Sigurisht që operacioni do të shtrihet më tutje edhe tek konsumatoret familjare pasi askujt nuk mund t'i lejohet vjedhja e energjisë, por një gjë duhet të jetë shumë e qartë: kush hyn në shtresat në nevojë do të marrë para shtesë në pension apo në pagën e ndihmës ekonomike ose të aftësisë së kufizuar për të mos u prekur nga heqja e fashës "mbrojtëse". E cila është kthyer në mburojë e hajdutërisë jo e varfërisë!”, shkruan kryeministri Rama.

edi rama fb

Redaksia Online
(a.h/e.s/g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin e stadiumit 'Camp Nou'

Përleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin e stadiumit 'Camp Nou'