Rama: Hipotekë edhe shtëpive në
tokat e shtetit me pagesë të ulët

Rama: Hipotekë edhe shtëpive në<br />tokat e shtetit me pagesë të ulët
TIRANE- Kryeministri Edi Rama dhe ekipi i tij i ALUIZ-it kryesuar nga Artan Lame kanë ndarë sot në qytetin e Korçës, dhjetra çertifikata pronësie për banesa të sapolegalizuara. I shoqëruar edhe nga Zv.Kryeministri Niko Peleshi, ish-Kryebashkiak i Korçës, Rama ka sqaruar me një gjuhë të thjeshtë, larg termave financiarë apo juridikë, sesi po bëhet legalizimi i banesave dhe po u jepet pronësia në hipotekë nga kjo Qeveri, qytetarëve në gjithë vendin.

Kryeministri sqaroi dy momentet bazë: Kur shtëpia është ndërtuar në tokën e familjes, pronësia jepet automatikisht dhe pas asnjë pagesë ndërsa në rastin kur ajo është ngritur në tokë të shtetit, dokumenti i pronësisë po ashtu do të jepet menjëherë por kundrejt një shume simbolike, larg vlerës së vërtetë të tokës së zënë. Ai tha:

"Unë dua t’ju them me shumë pak fjalë se çfarë nënkupton ky proces dhe sesi ne po bëjmë realitet zotimin tonë për t’i bërë legalizimet falas.

Së pari, ne do t’i japim titujt e pronësisë për të gjithë, pa asnjë dallim dhe pa asnjë vonesë, përveç kohës që duhet për plotësimin e dokumentacionit.

 Së dyti, plotësimin e dokumentacionit ne do ta bëjmë si asistencë të familjeve që duan të legalizojnë shtëpitë. Nuk do të jetë më familja që shkon te ALUIZNI, por do të jetë ALUIZNI që shkon shtëpi më shtëpi dhe do të jenë punonjësit e ALUIZN-i që do të ndihmojë drejtpërdrejtë në plotësimin e gjithë dokumentacionit.   

Së treti, i gjithë dokumentacioni që deri dje kushtonte “një djall e gjysmë” do të plotësohet falas dhe nuk do të merret asnjë qindarkë, në momentin kur do të dorëzohet dokumentacioni.

Së katërti, kush ka ndërtuar në tokën e tij kuptohet që s’ka asnjë detyrim tjetër dhe do të marrë menjëherë në dorë dokumentin e pronësisë. Fjala e plotë e Kryeministrit

Kush ka ndërtuar në tokën e dikujt tjetër apo në tokën e shtetit, do duhet që të kontribuojë për të bërë të mundur që me fondin e mbledhur nga këto kontribute, të mund të shlyhen detyrimet ndaj ish pronarëve. Në këtë mënyrë të mos ketë më asnjë konflikt në të ardhmen, as për fëmijët as për nipërit, mes atyre që do të trashëgojnë shtëpinë tuaj dhe atyre që nesër mund të trokasin në derë dhe të thonë shiko se “kjo shtëpi nuk është e jotja, është ngritur në tokën e katragjyshit dhe stërgjyshit tim”. Duke bërë që me kontributin për tokën, që është absolutisht një kontribut fare simbolik në krahasim me çmimin real të tokës, ky konflikt të mos jetë më një rrezik për të ardhmen dhe ndërkohë, nesër, familja i thotë kujtdo që pretendon se “nuk ka punë me të, pasi e ka mbyllur këtë çështje me shtetin”.

Por, së pesti, në këtë aspekt ka një ndryshim shumë të madh. Është pikërisht ndryshimi që e bën legalizimin sot të jetë falas. Nëse familja i ka paratë për ti dhënë menjëherë, kur duhet të japi kontributin për tokën që nuk është e vetja, atëherë, menjëherë i bëhet një ulje prej 20 % nga çmimi, që dhe vetë çmimi është shumë më pak sesa vlera e tregut, dhe 50% të tjera mund ti paguash me letra me vlerë. Ç’ka e bën vlerën totale që paguan, shumë më të vogël sesa vlerën fillestare.

Në rast se nuk paguan menjëherë, por paguan një vit më vonë, nuk përfiton nga ulja 20 % e çmimit, por përfiton nga ulja që vjen nga përdorimi i letrave me vlerë.

Në rast se përsëri nuk paguan dot, nuk përfiton më asnjë ulje, por do të paguash kur të kesh mundësi.

Së gjashti, dokumentin do ta marrësh menjëherë, që në fillim. Si ai që do të paguajë, si ai që nuk do të paguajë dokumentin e pronësisë do ta marrin, por ai që nuk do të paguajë nuk do të përfitojë asnjë nga uljet dhe shtëpia do të regjistrohet në hipotekë me një kufizim hipotekor. Që do të thotë ndryshe, me një barrë hipotekore prej 4 milionë lekë të vjetra, pak a shumë, siç është shifra mesatare. Këto 4 milionë lekë të vjetra janë aty, pjesë e detyrimit që familja do të mbartë, derisa t’i shlyeje këto para. Por shtëpia kthehet në një pronë dhe si çdo pronë me kufizim apo me barrë hipotekore mund të shitet, mund të jepet me qera, mund të përdoret për transaksione apo për çfarëdo qoftë tjetër që ka të bëjë me zhvillimin e zonës etj., por në çdo rast blerësi e blen bashkë me 4 milionë lekët e vjetra që janë si kufizim. E gjitha kjo bën që procesi të jetë i gjithi falas; e gjitha kjo bën që procesi të jetë i gjithi transparent dhe i shpejtë; e gjitha kjo bën që procesi të zhvillohet pa korrupsion. Ndërkohë që gjithë barrën e deridjeshme të burokracisë e merr përsipër shteti.

Së fundmi, ka edhe një ulje tjetër, për ata që paguajnë menjëherë, që ka të bëjë me faturat e energjisë. Edhe pse në lagjen tuaj ju jeni të veçantë, sepse i paguani rregullisht faturat e energjisë. Kjo ulje do të thotë që në rast se në momentin e parë do të paguaje 4 milionë lekë të vjetra, uljet e tjera do të të nisin nga 3.6 milionë, sepse 400 mijë lekë të vjetra do të lihen pa marrë, për të paguar 2 vjet faturat e energjisë. Dhe do të regjistrohen në hipotekë si kufizim, që do të hiqet në momentin kur do të faktosh me fatura se 2 vjet ke paguar energjinë. Kjo është edhe për një arsye tjetër, sepse familjet në zonat informale, përgjithësisht janë familje me të ardhura të ulëta. Ne duam t’ua lehtësojmë barrën që vjen nga pagesa e energjisë. Praktikisht, në vend që t’ia marrim paratë për legalizimin të gjitha menjëherë, i lëmë një pjesë të parave për të paguar energjinë. Dhe në fund të 2 vjetëshit nuk duam paratë, duam faturat që provojnë që energjia është paguar.

Kjo është një skemë e studiuar për një kohë relativisht të gjatë dhe në çdo detaj, është një skemë që funksionon dhe është një skemë që mbyll një plagë mbi 20 e kusur vjeçare që ka ardhur vetëm duke u majisur dhe duke infektuar plagën e informalietit në ndërtimet dhe plagën e korrupsionit që është prodhuar si pasojë e mungesës së legalizimeve dhe e mungesës së plotë të përgjegjshmërisë së një shteti që asnjëherë nuk mori përsipër t’i legalizonte realisht shtëpitë dhe asnjëherë nuk arriti dot që t’i jepte fund kësaj historie të dhimbshme dhe kësaj historie të dëmshme.Këtu ne e mbyllim këtë faqe të kësaj pjesë të historisë sonë në demokraci dhe hapim një faqe të re, që do të jetë sfida e urbanizimit të gjithë këtyre zonave.

Tani, do doja ta nisnim këtë proces dhe dokumentin e parë të pronësisë,  i takon ta japë ish-Kryetari i bashkisë së Korçës dje dhe Zv.Kryeministri sot, Niko Peleshi,"- përfundoi Kryeministri.
 
Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi