TIRANË-Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka deklaruar në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Reuters" se incidenti në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri nuk do të prishë planet për vizitën e tij në Beograd më 22 tetor.
Siç bën të ditur "Reuters", Kryeministri Rama është shprehur se është i zhgënjyer nga komentet e zyrtarëve serbë. "Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara"- ka thënë kryeministri shqiptar. Shefi i ekzekutivit shqiptar ka theksuar se "nuk e imagjinoj se si dikush mund të hynte në stadium me një dronë, kur as shallra kuqezi nuk lejoheshin". Ai ka theksuar më tej se; "sot jemi në paqe jo sepse jemi bërë engjëj, por sepse jemi të gjithë të bindur që destinacioni ynë është Europa," për të përmbyllur citimin me faktin "çfarë ndodhi nuk ndryshon planet e vizitës në Beograd më 22 tetor", raporton Reuters./ATSH/