Kryeministri Edi Rama ishte sot, 8 prill, për inspektim në kompleksin industrial në Durrës ku operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial.
Në këtë takim me punonjësit e kësaj ndërmarrjeje u shoqërua nga kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Kreu i qeverisë tha se ndërmarrjet që ofrojnë paga të larta për punonjësit janë shtuar ndjeshëm në Shqipëri. Ai u zotua se qeveria do të vijojë të stimulojë rritjen e pagave duke mbështetur drejtpërdrejt ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duan të rriten, nëpërmjet platformës “Dyfisho ndërmarrjen tënde.”
“Arsyeja pse ne jemi këtu dhe kamerat është për ta promovuar sa të mundemi shembullin e mirë të ndërmarrjeve shqiptare si kjo ndërmarrje. Ashtu siç e pamë nga prezantimi që na bënë themeluesit e kompanisë, ka nisur me një ëndërr të madhe, por me mundësi jashtëzakonisht të kufizuara dhe hap pas hapi janë transformuar në realitete mbresëlënëse, si realiteti që sapo pamë, ku faktikisht shkohet nga mbetjet elektronike tek përpunimi i nivelit më të lartë i unazave dhe varëseve të arit. Faktikisht nxirret ar nga mbetjet që për shumë këmbë konsiderohen thjesht si mbeturina për t’u hequr qafe, ndërkohë që për këtë kompani janë si një material i një miniere prej së cilës krijohet vlerë e shtuar”,- tha Rama.
“Në një kohë kur mund të rendisim shumë gjëra pozitive që kanë ndodhur si rezultat i rritjes së ekonomisë, por ndërkohë kemi bindur që ka më shumë për të bërë mundësi, për këtë arsye jemi duke përgatitur një program të posaçëm financimi për ndërmarrjet. Qëllimi është financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe për ato ndërmarrje që mund të jenë ndërmarrje të mëdha por duan të investojnë në mënyrë të veçantë në mënyrë njerëzore dhe procese sociale pune, ne do të vendosim në dispozicion një instrument të ri financimi. Do ta bëjmë shumë më të lehtë kreditimin. Do vendosim një tavan deri në 2 milion euro për ndërmarrjet që kanë në plan për t’u rritur”,- tha Rama
Rama tha gjithashtu se qeveria po përgatit një skemë të re pensionesh. Kreu i qeverisë tha se kush do të kursejë më shumë për pensionin, mund të japë një kontribut nga paga, dhe të njëjtën shumë, shteti do e dyfishojë.
“Jemi duke përgatitur një skemë të re pensionesh. Duke u dhënë mundësi njerëzve që duan të kursejnë më shumë për pensionet, për të dhënë një kontribut, të cilin shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë. Pra, nëse dikush do të nxjerr nga paga një euro për pensionin, shteti do të vendosë një euro tjetër. Kështu do bëhen dy euro dhe, natyrisht, kjo do të jetë e kombinuar. Fondi i pensioneve do të fillojë të marrë formë dhe të garantojë qoftë ata që investojnë te fondi, por edhe lidhjen mes privatit dhe punonjësit”-tha Rama.
Komente










