Rama inspekton sheshin e ri 'Çerçiz Topulli’ në Gjirokastër: Ky i ka hije Çeços dhe gjirokastritëve! Në funksion të plotë, parkim nëntokësor e identitet arkitektonik (VIDEO)

Gjirokastër- Kryeministri Edi Rama ka vijuar ditën e sotme (24 mars) inspektimet gjatë turit të tij në qarkun e Gjirokastrës, edhe në kuadër të takimit me strukturat elektorale të PS, për përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Pas Pallatit të Sportit dhe spitalit rajonal, kreu i qeverisë inspektoi edhe sheshin e ri “Çerçiz Topulli”, i shndërruar tashmë në një vepër me një funksionalitet të plotë si parkim nëntokësor dhe një hapësirë estetike me identitet arkitektonik të veçantë.

“Ky është sheshi që Çeços dhe gjithë gjirokastritëve u ka hije”, shprehet Rama.

Shefi i ekzekutivit shoqërohej nga kryebashkiaku Flamur Golemi dhe përfaqësues të tjerë vendorë, si dhe drejtuesit politikë të qarkut dhe ministrat e linjës.

Ministrja Mirela Kumbaro, njëkohësisht drejtuese politike e PS-së në Gjirokastër dhe kryebashkiaku e njohën Ramën me punimet e deritanishme, strukturën dhe çfarë ka nevojë më tej. 

“Duhet edhe muzeu i kalasë, ai do ishte një atraksion i paparë dhe do zhvillonte turizmin”, tha kryeministri, teksa shoqëruesit pohuan. 

Kryebashkiaku Flamur Golemi shpjegoi se "e kishim merak këtë shesh". Ai shpjegoi se tani do zhvillohet edhe më shumë turizmi në zonë, teksa nuk lejohet parkimi i automjeteve në këtë zonë.

"Është një zonë e mirë për aktivitete, panaire e koncerte", thotë ministrja Kumbaro.

Ajo shpjegoi edhe se po afroheshin qytetarë që investonin në banesat e vjetra me rikonstruksione, që t'i shërbejnë biznesit familjar.

"Bravo, punë shumë të mirë keni bërë", iu drejtua kryeministri edhe stafit të punëtorëve që e prisnin në sheshin e gurtë.

Golemi tha se është zgjidhur edhe problematika e zonës sipër të kalasë me lidhjen nëpërmjet dy rrugëve, duke zgjidhur edhe trafikun dhe lëvizjet.

Më herët kryeministri kishte postuar edhe për pallatin e rilindur të sportit:

“Pallati i Sportit i rilindur si një hapësirë moderne, por edhe si një vatër plot emocione i jetës sportive për të rinjtë dhe sportdashësit e qytetit, ku janë ngritur dhe ekipet e të rinjve në disiplina të ndryshme sportive që përfaqësojnë qytetin në kampionate ndërkombëtare”, shkruante kryeministri në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:29
Kryeministri Rama inspekton kantierin e ndërtimit të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, në shërbim të 60 mijë banorëve të qarkut

Gjirokastër-Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në kantierin e ndërtimit të Spitalit Rajonal në Gjirokastër, ku ka bërë inspektimin e punimeve.  

I shoqëruar nga Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, Rama u njoh nga drejtuesit e këtij projekti se deri në çfarë fazë kanë arritur punimet dhje kur pritet që të përfundojnë. 

Godina e cila ishte e rrënuar që do të rilindë me të gjitha specialitetet si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia, patologjitë. Ajo është 4 kate dhe do të jetë në shërbim të 60 mijë banorëve të qarkut të Gjirokastrës.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punimet cilësore dhe sugjeroi disa ide mbi detaje të projektit, në mënyrë që godina të ruajë karakterin e saj historik.

“Duke qenë godinë që ka një karakter historik, duhet bërë kujdes me ngjyrat. Përderisa do e ktheni komplet aty ku ka qenë si arkitekturë duhet ruajtur kjo. Mirë është kjo grija me të bardhat. Është godinë historike. Kjo është me sistem kapot, pra ka dhe efikasitet energjetik”, tha ndër të tjera kryeministri.

Rikonstruksioni i godinës së këtij spitali do të mundësojë transformimin e ambienteve për mjekët dhe infermierët si dhe do të rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor për qytetarët e Gjirokastrës. 

“Spitali Rajonal i Gjirokastrës ka filluar punimet që në dhjetor të vitit që shkoi. Ka të parashikuara rehabilitim të plotë të një godine 4 katërshe, shumë e rëndësishme për të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Është një investim që realizohet me fondet e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 4.7 milion euro. Parashikon rehabilitim në tre faza për arsye të mos ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore, pra të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, që është e rëndësishme dhe është një nga ato çështje në fakt që ne konsiderojmë sa herë që rikonstruktojmë godinat e spitaleve. 

Spitali ofron shërbim për plot 60 mijë banorë të qarkut dhe ofron specialitete të tilla si kirurgjia. Këtu ku jemi aktualisht, jemi në shërbimin e pediatrisë, ndërkohë që godina është 4 katërshe, kati minus një ka shërbimin e radiologjisë, ndërkohë që kati i dytë dhe i tretë janë shërbimi i kirurgjisë', tha Koçiu.

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Stockholm: 24/03/2025 20:50

    Respekt për drejtorin që drejtoj punime për ndërtimin e spitalit të Gjirokastrës Arshi Dabulla.

    Përgjigju
    • Doktori: 25/03/2025 10:43

      Po me pezulet ç'patën?

  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

 Shefi i NATO-s mesazh SHBA dhe Evropës: Nuk është koha për të ecur vetëm

Shefi i NATO-s mesazh SHBA dhe Evropës: Nuk është koha për të ecur vetëm