Rama, për median gjermane: Anëtarësimi europian i Ballkanit për hir të sigurisë së unionit! Bashkimi me Kosovën? Nëse futemi në BE nuk ndodh

Rama, për median gjermane: Anëtarësimi europian i Ballkanit për hir të sigurisë së unionit! Bashkimi me Kosovën? Nëse futemi në BE nuk ndodh

Angela Merkel dhe Edi Rama

Në një intervistë për gazetën Merkur në Gjermani kryeministri Edi Rama shpjegon ndër të tjera, përse Shqipëria vazhdon të dojë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Sipas Ramës anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është në interes të vetë sigurisë së Bashkimit Europian. I pyetur për një bashkim të mundshëm me Kosovën, Rama jep një përgjigje që lë të kuptojë se anëtarësimi në BE do t'i jepte fund kësaj çështjeje, ndryshe gjithçka është e hapur. 

-Zoti Kryeministër për çfarë mund të bisedojnë Bavaria dhe Shqipëria?

Siç mund ta dini historia e marrëdhënieve mes vendeve tona shtrihet pas në kohë deri në vitet ‘80. Franz Josef Strauß vizitoi asokohe papritur e papandehur Shqipërinë duke thyer kështu akullin. Gjermania Perëndimore dhe Bavaria e Strausit ende konsideroheshin armiq të pushtetit popullor. Strauß i propozoi regjimit shqiptar të kohës një marrëveshje joshëse tregtare, e cila nuk u realizua kurrë. Në Tiranë sot ka një shesh që mban emrin e tij.

Si e vlerëson Söder-i dëshirën Tuaj për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE?

CSU-ja gjithmonë na ka mbështetur fort në lidhje me këtë çështje. Markus Söder u shpreh në bisedën tonë se mendon që procesi i përafrimit të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet. Vitin e ardhshëm ai dëshiron të vizitojë personalisht Tiranën.

Angela Merkel është nga mbështetëset Tuaja. A përbën një lajm të keq për planet Tuaja të anëtarësimit fundi i erës Merkel në krye të kancelerisë gjermane? 

Ky formulim është paksa i tepruar. Por duhet të pohoj se kandelarja ka pasur një ndjeshmëri të veçantë për çështjet tona, çka lidhet me siguri edhe me të shkuarën e saj. Kancelarja është rritur në një dikaturë komuniste, ndaj dhe ndoshta na kupton më mirë se shumëkush. Rrallëherë kam takuar tjetërkënd që ta njohë aq mirë Ballkanin Perëndimor dhe problemet e tij. Ajo do t’i mungojë fort rajonit dhe krejt Evropës.

Procesi i anëtarësimit ka ngelur prej kohësh në vendnumëro. A jeni i zhgënjyer?

Në krye të herës po, por jo më. Sot BE-ja nuk është më e njëjta si në kohën e themelimit të saj. Ajo është e fragmentarizuar, vuan pasojat e dinamikave të brendshme të shteteve dhe të interesave politike të papërputhshme me njëra-tjetrën. Unë besoj se që pas krizës së refugjatëve, BE-ja ndikohet fort nga kahet ekstreme të politikës. Vërtet që partitë e ekstremit të djathtë nuk janë në pushtet, por ato kanë ndikim të madh në politikat e qeverive të moderuara. Hera herës kjo bie në kundërshtim me vetë vlerat dhe parimet e BE-së. 

Këto fjalë nuk tingëllojnë aspak si një fjalim bindës pse BE-ja duhet synuar. Përse vazhdoni të doni të bëheni vend anëtar?

Nuk bëhet fjalë për gjendjen e bashkësisë në një çast konkret të historisë. Për ne Bashkimi Europian është një premtim paqeje. Këtë njerëzit në Perëndim mbase e kanë harruar, sepse falë Zotit nuk kanë parë luftë prej kohësh. Ama ne po. Ndoshta rrugëtimi i BE-së do të jetë me kthesa e pengesa edhe për ca kohë, por në finish BE-ja mbetet padyshim e ardhmja e kontinentit.

Por me Ballkanin Perëndimor BE-ja fut probleme në derën e shtëpisë, si për shembull konflikti për çështjen e Kosovës.

BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së vet. Nuk ka kuptim që BE të ketë kufi të brendshëm me ne. Dhe nuk ka aspak kuptim që ta lëshojë rajonin tonën nën ndikimin e të tjerëve…

-...E keni fjalën për Kinën dhe Rusinë?

Ato janë veç pjesa e dukshme. Mos harroni se në rajon jetojnë të krishterë e muslimanë. Do të ishte çmenduri ta lësh Ballkanin Perëndimor një portë të hapur për radikalizimin dhe terrorizmin. Ka ardhur koha që BE-ja ta kuptojë këtë.

Edhe njëherë: Tensionet në rajon po shtohen. Para pak kohësh Serbia vendosi mjete të mbinduara në kufirin me Kosovën…

Por kjo nuk ka të krahasuar me tensionet e kohëve të mëparshme. Madje faktikisht sot kundërshtarët e dikurshëm  sot duan të anëtarësohen të gjithë së bashku në BE. Konfliktet ushtarake lindin kur shtetet janë të izoluara e jo kur janë në një bashkësi. Kujtoni zhvillimet pozitive që sollën marrëdhëniet franko-gjermane apo dhe rastin e Irlandës. Rreziku që BE-ja të importojë konflikt brenda shtëpisë është thuajse zero.

Në rajon disa kanë frikë se Ju doni të bashkoheni me Kosovën për të krijuar Shqipërinë e Madhe…

Lojëra mendimesh të tilla kanë më shumë gjasa të zhvillohen jashtë se sa brenda BE-së.

Teksa shumë vende ngurrojnë, Shqipëria, një vend relativisht i varfër ka pranuar shumë refugjatë nga Afganistani. Përse?

Kjo është pjesë e vetëkuptueshme e qenies sonë. Në Shqipëri kemi një thënie: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Me mik kuptojmë mikun e paftuar që ka nevojë për ndihmë. Vendi ka strehuar gjysmë milioni refugjatë nga Kosova dhe 3000 iranianë,  kundërshtarë politikë të regjimit të atjeshëm. Pas rënies së komunizmit ne vetë kemi kërkuar strehë në Europë. Sot si vend anëtar i NATO-s e ndjejmë për detyrë. Vendet anëtare të NATO-s nuk mund thjesht t’i kthejnë kurrizin e t’i lënë në mëshirë të kasapëve talebanë forcat vendase që kanë rrezikuar jetën për NATO-n në Afganistan.

Shqipëria do të strehojë 4000 persona…

Deri tani janë thuajse 2000, numri shtohet çdo javë. Por në vend nuk ka asnjë diskutim, a është mirë apo keq. Këtu bëhet fjalë edhe për respektin karshi vetes.

Intervista e Ramës në gazetën gjermane

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbër: 29/10/2021 12:35

    Ore palaqo, për ty është më rëndësi të veçantë bashkimi me serbin... Prej teje asgjë e mirë për kombin shqiptar nuk pritet...

    Përgjigju
    • Shaqo: 29/10/2021 14:11

      Emrin e ka reklame, por jane te varfer nga ana intelektuale, nga kultura, zero fare, dhe ne fund, aspak patriote, ose patriote fallco.

    • Kastriot: 29/10/2021 12:45

      Emrin e ke te mire nese e ke te vertet po nuk kuptoj dicka kur kryeministri jone kerkon dhe po ben shum mire qe populli Shqiptar te behet faktor ne ballkan ju mrz. Pastaj meso se shkronja "q" me " ç " nuk kane jane njesoj. Zbulove nga je

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren