TIRANE- Transformim rrënjësor të shëndetësisë në vend brenda mandatit të parë qeverisës. Ky është premtimi që ka bërë kreu i qeverisë Edi Rama ndërsa ka inspektuar dje investimet që po kryhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po zbatohen 3 projekte të rëndësishme në shëndetësi.

Projekti i parë ka të bëjë me 20 auto-ambulanca të reja për spitalet rajonale në të gjithë vendin të cilat do t’i shërbejnë urgjencave. Ndërkohë që dy projektet e tjera kanë të bëjnë me QSUT-në, pikërisht me ngritjen e qendrës se konsultave si dhe ndërtimin e bunkerit dhe vendosjen e akseleratorit linear për sëmundjet tumorale. Kryeministri gjatë fjalës së tij i ka kujtuar opozitës gjendjen në të cilën e la këtë sektor, kreu i qeverisë ka premtuar se në fund të mandatit të parë gjithçka do të ketë ndryshuar.

“Nuk e kam harruar atë që kam thënë, që në fund të këtij mandati, debatin për shëndetësinë, si ishte dhe si u bë, do ta bëjmë këtu në këtë spital. Në këtë spital do të flasim përsëri me të gjithë ata që sot kanë kurajën që të ngrenë dhe gishtin e akuzës në vend se të heshtin dhe të përpiqen të kuptojnë se ajo çfarë i bënë Shqipërisë ishte një tradhti e madhe, që nuk mund të kapërcehet duke bërë sikur nuk ishin këtu” ka nënvizuar kreu i qeverisë. Por për kreun e qeverisë edhe pas 16 muajsh qeverisje dhe pune të bërë ndryshimet në sektorin e shëndetësisë janë të dukshme.

“Sistemi është rrënuar me vite të tëra, deri në pikën ku këtu ka mbetur e vetmja shpresë dhe shpeshherë një shpresë e zhgënjyer e njerëzve për vite të tëra. Sot ne jemi këtu për të dëshmuar se kantieri jo vetëm që është ngritur mbi piketat e duhura, por hap pas hapi po fillon të japë edhe rezultatet që ne presim. Dua të nënvizoj se 16 muaj janë shumë pak për të shndërruar në një histori të plotë suksesi një platformë të plotë rrënimi si ajo që trashëguam, por në 16 muaj ndryshimet në shëndetësi janë reale” nënvizoi Rama.

Nga ana tjetër kreu i qeverisë ka bërë me dije se pas disa ditësh do të bëhet publike platforma antikorrupsion, ku edhe sektori i shëndetësisë do të zerë një pjesë të rëndësishme. Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka pohuar se blerja e 20 autoambulancave ishin të domosdoshme për spitalet e vendit dhe se po studiohet mundësia që ato të jenë të pranishme edhe pranë vendeve më problematike, përsa i përket aksidenteve në disa rrugë kombëtare të vendit, në mënyrë që t’u vihet sa më parë në ndihmë qytetarëve në nevojë.

“Po punojmë gjatë gjithë vitit për të ngritur modelin sidomos të vendosjes në territor sepse në qoftë se sot i kemi pranë spitaleve, është e domosdoshme që të krijojmë edhe njësi të ndërmjetme. Për shembull Tirana nuk mund të rrijë vetëm me një qendër urgjence. Në 2 apo 3 hot-spote nacionale ku ka më shumë aksidente mendojmë t’i afrohemi me një njësi të përhershme me dy ambulanca që të jetë më i shpejtë transporti,” - u shpreh Beqaj. Drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu ka bere publik projektin tjetër që ka të bëjë me ndërtimin e Qendrës së Konsultave ambulatore në QSUT, e cila do të lehtësojë shërbimin ambulator brenda kësaj qendre, dhe do iu vijë në ndihmë 300 pacientëve në ditë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)