Këto fjalë kryeministri Rama ia dërgoi nëpërmjet e-mail si përgjigje gazetares së “Shqiptarja.com”, Magdalena Alla, e cila këto ditë ka qenë pjesë e protestave anti-armë kimike, teksa kjo e fundit i shprehu gjerësisht dhe rreptë shqetësimin e saj si qytetare, por dhe të shumë protestuesve të tjerë. Si për të rikonfirmuar edhe një herë, që “unë jam ai që kam qenë”, “ai që më keni votuar”, “me po atë dashuri”.Pasi merr një kthim përgjigje nga gazetarja se “nuk dyshon tek dashuria e tij për shqiptarët, por ndoshta tek aftësia e tij për t’u orientuar drejt së duhurës në këtë rast delikat”, me sa duket edhe kryeministrat kanë nevojë për besimin e të tjerëve, sepse Edi Rama përgjigjet me “ah rrofsh!”. Dhe shton se “për një gjë ju siguroj: Që ky alarm është fals dhe që apokalipsi që prodhon imagjinata e nxitur prej nocionit "armë kimike" është pa asnjë lidhje me realitetin teknologjik të neutralizimit të tyre”.
Madje shkon dhe në tjetër shpjegim më të qartë, edhe pse përgjithësues, se edhe nëse ndodh demontimi i tyre në Shqipëri, shqiptarët as do t’i prekin dhe as do mbeten tek ne mbetje kimike: “Tani më lejo të të them, që nëse ndodh, s’bëhet fjalë që shqiptarët të shohin apo prekin gjë me dorë dhe as që këtu të mbeten mbetje kimike!”, pohon Rama. Shqetësimit të ngritur ditë më parë nga “A1 Report”, se në Mjekës banorët ankohen se ka çdo vit një fëmijë me tumor, Rama në e-mail i përgjigjet: “Sa për tumoret e Mjekësit, Shqipëria është e mbushur me hotspote (zona) kancerogjene, që s’pëlcasin, po vrasin ngadalë. Gjithë të mirat e rrofsh dhe një herë për reagimin!ER”. Kjo bisedë u zhvillua pak minuta, madje dhe pak sekonda para se kryeministri të merrte fjalën në konferencën e Antikorrupsionit, ku fjalët e para ai ia drejtoi shqiptarëve jo për korrupsionin, por për armët kimike.
Njëkohësisht, pak minuta para këtij fjalimi përfundoi edhe protesta e djeshme kundër armëve kimike para Kryeministrisë, Kuvendit dhe Presidencës. Më pas në fjalimin e tij për publikun, Rama deshi të sigurojë shqiptarët duke iu thënë se “kurrë unë vetë dhe kjo qeveri nuk do të pranonte që jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cënimin më të vogël”. Rama ka qartësuar se edhe nëse do ketë marrëveshje “Shqipëria do dalë jo vetëm me kokën lart, por e fituar dhe më e pastër se ç’është sot”.
Armët kimike
Itali-Greqi në alarm: Konsultë edhe me ne
Italia e Greqia të alarmuar nga pranimi i mundshëm nga Shqipëria të armëve kimike siriane. Këto dy vende kanë kërkuar konsultime të qeverisë shqiptare me ta përpara se të vendosë. “Kjo mund të arrihet përmes krijimit të një fronti të përbashkët të vendeve fqinjë që të bindë Tiranën të mos pranojë asgjësimin e armëve të Sirisë pavarësisht kompensimit financiar të Perëndimit”, thotë “Kathimerini” duke kërkuar që asgjesimi të bëhej në Siri, në SHBA apo Rusi. Dhe eurodeputeti italian Antono Cancian tha se procesi për shkatërrimin e armëve kimike siriane është një operacion me përgjegjësi të madhe. “Rama duhet të tregohet shumë i kujdesshëm kur merr vendim për Shqipërinë. Ai duhet ta diskutojë këtë dhe të marrë mendimin dhe të vendeve fqinje e sigurisht Italisë. Italia nuk është e përjashtuar nga ky rrezik. Ne na ndan vetëm një shesh ujor. Jemi shumë afër”, tha Cancian.
Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)