Rama kërcënon me burg
kryebashkiakët e bregut

Rama kërcënon me burg<br />kryebashkiakët e bregut
TIRANE - “Ka dhe burg në shtator, nëse nuk zbatohen detyrat”. Këto kanë qenë fjalët e ashpra dhe të prera që Edi Rama, kryeministri në pritje të marrjes së mandatit pas pak ditësh, u ka drejtuar krybashkiakëve socialistë të bregdetit jugor në takimin e para dy ditëve në Vlorë. Ndërtimet pa leje, por edhe ato me leje të dhëna prej tyre, por që kanë prishur krejt strukturat e qyteteve që drejtojnë, kanë qenë shkaku i zemërimit të Ramës.

“Keni prishur disa kotece, sa për të më hedhur hi syve”, mësohet t’u jetë drejtuar ai të zgjedhurve vendorë të majtë, duke ripërsëritur edhe njëherë “burgun”, e duke i parë një nga një në sy, por sipas burimeve nga takimi, ai nuk ka përmendur ndonjë emër në veçanti. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm të gjithë të zgjedhur vendorë të PS-së së qarkut të Vlorës si dhe deputetët e këtij qarku.

Prishja e ndërtimeve pa leje ka qenë një nga iniciativat e para të Ramës, menjëherë pasi u mësua rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit. Ai dha urdhër të menjëhershëm për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë bregdetit, duke fituar menjëherë simpatinë e shumicës së qytetarëve, të cilët e përkrahën në këtë iniciativë me shpresë se qytetet dhe vendet e tyre do të çlirohen nga çibanët që mbinë kudo, duke uzurpuar plazhet publikë deri dhe hapësirat ujore.

Aksioni nisi fillimisht në Ksamil ku prishja e ndërtimeve nisi me vrull, por që më pas sikur u zbeh. Po ashtu pati aksione në Radhimë dhe në Vlorë, por që gjithashtu i fashitën me kalimin e ditëve. Ndërkohë që në faqen e hapur nga Partia Socialiste “Stoprrënimit.com” për denoncimin e ndërtimeve pa leje, çdo ditë bëhen me dhjetëra denoncime nga këto qytete. Por me sa duket problemi më i madh me prishjen nuk janë ndërtimet pa leje, por ato me leje, të dhëna nga kryebashkiakët vend e pa vend dhe që për të cilat “rruspat” e kanë vështirë të punojnë.

Pikërisht këto të dytat kanë sjellë edhe më shumë acarimin e Edi Ramës, duke u përmendur edhe burgun të zgjedhurve socialistë. Eshtë premtimi i parë madhor që ai ka dhënë para shqiptarëve, një iniciativë e nisur me bujë dhe me sa duket Rama nuk do të ndalet para askujt, asnjë justifikim duket se nuk do të bëjë atë të tërhiqet, pasi një dështim i tij në këtë premtim do të ishte një godtitje e rëndë për qeverisjen e re socialaliste.

Në takimin me kryebashkiakët Rama nuk e ka qetësuar aspak gjuhën kundrejt tyre. Duke kaluar edhe tek punësimi mësohet se ai u ka thënë atyre “ta harroni se ju do të vendosni drejtorët e punonjësit e tjerë në qytetet tuaja. Ta hiqni nga mendja njëherë e mirë, se asnjë kushëri i juaji, i dytë apo i tretë do të hyjë në punë shteti prej emrit tuaj”.  Madje sipas burimeve nga takimi, Rama u ka treguar një gotë gjysëm me ujë: “Këtë gjysmën lart e keni pirë deri tani. Por mos mendoni se do të pini edhe këtë tjetrën”, mësohet të jetë shprehur ai.

Ky paralajmërim i Ramës, që duket se do të shpërndahet edhe në bashki të tjera ku drejtojnë socialistët, është në fakt një ogur i mirë për qeverisjen e re, sigurisht nëse çohet deri në fund, pasi shumica e krybashkiakëve, sipas asaj që kanë pranuar edhe vetë socialistët, janë kthyer në “zotërinjtë e mëdhenj” të këtyre qyteteve duke emëruar dhe hequr njerëzit nga puna, sidomos kjo edhe në kohën kur PS ka pasur të dy pushtetet, atë qëndror dhe atë vendor. Duket se kryeministri i ri socialist, kërkon të shkëpusë njëherë e mirë urat  që lidhin qeverisjet e vjetra me qeverisjen e tij, qofshin ato edhe socialiste.

Paralajmërimet e Ramës dhe toni i zërit, i ka tulatur pjestarët në takim. Sipas burimeve, asnjë prej tyre nuk ka kundërshtuar fjalët e tij, por janë munduar të justifikohen. Megjithatë Rama ka qëndruar fort në idenë e tij; asnjë ndërtim pa leje nuk duhet të egzistojë më pas shtatorit, ndërkohë që ato me leje do të shihen njëra pas tjetrës, e ndoshta njëri pas tjetrit mund të shihen edhe bashkiakët që i kanë lejuar ato.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë