Kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën e intervistës Rama i ka përcaktuar vetë dhe intervistën me bashkëpunëtorët e tij do ta bëjë në mënyrë të drejtpëdrejtë. Në fund të “njoftimit të tij për punësim”, Rama vë në dukje edhe një detaj jo të parëndësishëm: Kush fut mik, humb pikë.
Ja mesazhi i Ramës: “Me dëshirën që t'u gjendem pranë qytetarëve të Vlorës dhe synimin që të jem në kontakt të pandërprerë me ta, do të hap në shtator siç e kam premtuar Zyrën e Deputetit në Vlorë. Kjo zyrë do të jetë e hapur çdo ditë dhe do të mirëpresë çdo qytetar e qytetare që dëshiron të ndajë me mua opinionet, shqetësimet, dëshirat për mbarëvajtjen e jetës ekonomike e sociale në Vlorën tonë të dashur.
Zyra ime në Vlorë nuk do t'u mbivendoset zyrave të shtetit dhe nuk do të trajtojë çështje të kompetencës së shtetit. Ajo do të funksionojë si urë lidhëse mes qytetarëve dhe përfaqësuesit të tyre. E unë dua të dëgjoj e të mësoj gjithçka është e mundur prej tyre, për të ndikuar sa më mirë në ecurinë procesit legjislativ dhe qeverisës në nivelin qendror po edhe vendor.
Për ta realizuar sa më mirë qëllimin e përfaqësimit me dinjitetin më të lartë të interesave të Vlorës e të komunitetit të qytetarëve të saj, kam nevojë për një skuadër të vogël njerëzish të përkushtuar. Të cilët dëshirojnë të punojnë në zyrën time në Vlorë. Prandaj ftoj çdo vajzë apo djalë që ka dëshirë të konkurojë për një nga detyrat e zyrës, që të dërgojë letrën e vet të motivimit me CV bashkëngjitur, në adresën [email protected], duke vendosur në subjekt: Aplikim pune për zyrën e deputetit në Vlorë.
Të gjithë ata që do ta kalojnë fazën e parë të seleksionimit, do të ftohen për një intervistë të drejtpërdrejtë në javën e fundit të gushtit. Paraprakisht falenderoj me mirënjohje çdonjërin që do të shprehë dëshirën të punojë me mua për komunitetin e Vlorës. Por njëkohësisht dua t'ju kujtoj të gjithëve se procedura do jetë rigoroze dhe numri i të pranuarve do të jetë minimal. Kështu që dy gjëra në fund: E para, kush nuk pranohet s'duhet ta marrë absolutisht si dështim dhe ne do mbetemi sidoqoftë në kontakt. Dhe e dyta, perveçse të jeni bindës në kandidaturën tuaj, asgjë tjetër nuk ndihmon, përkundrazi, kush fut mik humbet pike.” – përfundon Rama.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)