Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta ndaj Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE), duke e cilësuar atë simbol kërcënimi për ekonominë deri pak kohë më parë.

Rama theksoi se tashmë është bërë një transformim i rëndësishëm, duke filluar nga aspekti më thelbësor, vendosja e ligjshmërisë në sektorin e energjisë dhe transformimi i kompanisë nga një aset i rrezikshëm për ekonominë, në një aset që sot rivlerësohet ditë pas dite. Sipas tij, u trashëgua një situata ku humbjet i afroheshin 50%, ndërsa sot ato janë përgjysmuar dhe brenda vitit parashikohet që të shkojnë në 10%.

“Kompania e Shpërndarjes së Energjisë, simbol kërcënimi për ekonominë. Kalonte një fazë dramatike në çdo aspekt. Ajo që bëmë ne ishte një transformim i rëndësishëm duke filluar nga aspekti më thelbësor, vendosja e ligjshmërisë në sektorin e energjisë dhe transformimi i kompanisë nga një aset i rrezikshëm për ekonominë, në një aset që sot rivlerësohet ditë pas dite. Për të mbajtur në këmbë sistemin e shpërndarjes dhe për të furnizuar me energji vendin, Buxheti i Shtetit financonte 150 milionë euro në vit si kompensim i humbjeve. Trashëguam një situatë ku humbjet i afroheshin 50%, ndërsa sot janë përgjysmuar dhe strategjia parashikon që ato të shkojnë në 10%. Brenda pak viteve do të kemi një hapje 100% të tregut të energjisë. Sot kemi nisur përgatitjet për një tjetër hap të rëndësishëm, që do të krijojë një atmosferë të re në marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe OSHEE. Kemi nisur punën për një IPO dhe deri në fund të vitit do jemi gati t’iu ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë në OSHEE, që vitin e ardhshëm të ketë një benefit reciprok për kompaninë dhe qytetarët”

Edi Rama, kryeministër i vendit